Nga fustani i nuses tek lulet, nga torta e dasmës tek të ftuarit! Të gjitha detajet e rralla të dasmës mbretërore mes Princit William dhe Kate Middleton. E cilësuar si “Dasma e Shekullit”, ajo mes princit William dhe Kate Middleton, nuk mund të ishte më mahnitëse dhe më surprizuese se aq! Ditën e premte, sytë e 2 milionë shikuesve nga e gjithë bota ishin fokusuar pikërisht në ceremoninë përrallore të zhvilluar në kishën Westminster, ndërsa 1900 ishte numri i të ftuarve të pranishëm në martesën e çiftit. Përpos dy protagonistëve të vërtetë, duket se detajet e rralla ishin ato që bënin diferencën. Dasmë e zakonshme?! Vetëm e tillë nuk mund të quhej!
Fustani i “nuses”!
Krejt i ndryshëm nga stili i fustanit të Lady Dianës, ai i Katherine Middleton ishte dizenjuar në një stil tërësisht modern. Elementi që spikat është fakti se fustani i saj është konsideruar i “kursyer”, jo sa i takon stilit, se sa formës. Më i ngushtë, se vetë format trupore të nuses, fustani në ngjyrë pana është krijuar tërësisht për të prezantuar një stil vajzëror të Kate. Stilistët më të famshëm të modës kanë ideuar katër plane për të nga A në D, ku i zgjedhur i nuses ka qenë pikërisht ai i krijuar nga drejtoresha e shtëpisë së modës së Alexandër McQueen, Sarah Burton. Në zonën e bustit ishte aplikuar dantellë e gjitha e punuar me dorë, teksa materiali i fustanit ishte i gjithi satin i fildishtë.
Unaza e Middleton!
Pas asaj të fejesës, unaza që do të zbukurojë dorën e bashkëshortes së princit William, është e gjitha prej ari të pastër. Kjo unazë i është dhuruar Princit nga Mbretëresha Elisabeta e II-të. Ari i përdorur për këtë unazë është marrë nga një minierë në një zonë të Uellsit, të quajtur Bontddu. Nga ana e tij, Princi William ka vendosur që përmes deklaratës së tij martesore të rrëfej se nuk do të mbante një të tillë në gisht, si një zgjedhje krejt personale e tij.
Buqeta e Kate!
E kthyer në një traditë për pallatin mbretëror të Anglisë, buqeta e lules nuk mund të mungonte në dorën e Kate. Ajo krijoi një “iluzion” të çuditshëm, duke kërkuar që në buqetë të përfshihej edhe lulja e etiketuar me emrin “I ëmbli William”. Në buqetë kishte dhe një lule të rrallë, e mbjellë nga dora e mbretëreshës Viktoria, në ishullin Wight në vitin 1845. Të tjera lule të buqetës ishin zambakë krejt të veçantë, të marrë nga një luginë e famshme e Anglisë dhe zymbyla të bardhë. Buqeta mban firmën e Shane Connolly, ideatori dhe dekoruesi i të gjithë ambienteve të dasmës mbretërore.
Torta e dasmës!
Një ndër elementët më cilësorë të dasmës që ngërthen natyrshëm vëmendjen e gjithë të pranishmëve është edhe torta. E kjo e përgatitur nga një grua krejt e zakonshme. Fiona Cairns është zonja që ka kaluar nga pjekëse e thjeshtë, në një pastiçere të pasionuar pas këtij zanati, e që troket në çdo tryeze e derë pastiçerie për të shitur “idetë” e saj. Ishte kjo e zgjedhura e çiftit, për të krijuar tortën e preferuar. Torta ishte dekoruar në krye me fytyrat e çiftit dhe në një anë të tortës ishin vendosur inicialet e emrave të dy protagonistëve. Përbërësit e saj ishin vetëm kremi i pastiçerisë, ndërsa ngjyra tërësisht e bardhë. Torta ishte me tetë kate dhe për të është punuar mbi pesë javë. Interesante ishte përfshirja si elementë zbukurues i katër luleve të kombit, të etiketuara kështu, siç janë trëndafili anglez, tërfili irlandez, lulja e verdhë e Uellsit dhe zambaku skocez.











