Dështon votimi në Kuvend për heqjen e imunitetit. PS nuk ka pranuar të votojë ndryshimet kushtetuese duke shtyrë për në shtator arritjen e një konsensusi të mundshëm.
Maxhoranca është tërhequr nga votimi, pasi në mungesë të 93 votave, amendamentet kushtetuese nuk mund të votoheshin në shtator duke rrezikuar përmbushjen e një prej kushteve të BE për këtë vit. Pas fjalës përmbyllëse të mbajtur nga Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dha fund seancës ndryshe nga herët e tjera, duke konfirmuar deklaratën e kreut të maxhorancës.
“Përsa kohë që opozita nuk pranon të votojë ndryshimet kushtetuese dhe këto ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit nuk janë të mundshme pa votën e opozitës, zgjidhjen e dha zoti Kryeministër”, u shpreh Topalli, duke i dhënë fund debatit të djeshëm maratonë. Që në fillim të seancës, kryetarja e Kuvendit lexoi një listë të gjatë me emrat e deputetëve që kishin kërkuar fjalën. Rreth 32 deputetë nga maxhoranca dhe opozita ishin përgatitur që të debatonin qëndrimet e tyre të kundërta për miratimin apo jo të draftit për heqjen e imunitetit.
Lista e gjatë e diskutantëve tregoi që në fillim të seancës se asgjë nuk kishte ndryshuar në qëndrimet mes PS dhe PD. Nuk kishte konsensus për të votuar draftin e miratuar nga të dyja palët në Komisionin e Ligjeve, sepse PS këmbëngulte se heqja e imunitetit duhet të shoqërohet me ndryshime të tjera kushtetuese, që lidhen me një reformë të plotë në Drejtësi. Edhe pse dy ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i PS-së, Pandeli Majko, bëri thirrje për negociata të minutës së fundit për gjetjen e një konsensusi, tërheqje të maxhorancës dhe debat publik edhe për propozimet e PS, asgjë nuk u arrit.
Kryeministri paralajmëron tjetër proces pas dështimit për të ndryshuar Kushtetutën në Parlament
Berisha: Referendum për imunitetin
“Do t’u drejtohemi socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë”
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje nisjen e procedurave për organizimin e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës në nenet që kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit. Pas më shumë se shtatë orë debatesh në Parlament, ku e mori fjalën tri herë, kreu i Ekzekutivit tha se shumica do t’u drejtohet qytetarëve për të miratuar këto ndryshime kushtetuese, të cilat në Parlament kërkojnë jo më pak se 93 vota.
“Në qoftë se ju, nën diktatin e klubit të miliarderëve të partisë suaj, sot u bëtë bllok dhe lartësuat më shumë se kurrë murin e turpshëm të korrupsionit e të imunitetit, unë ju garantoj se ky është fundi i këtij debati dhe se nesër forca ime politike, maxhoranca jonë, do të fillojë procesin për t’iu drejtuar socialistëve të thjeshtë, demokratëve të thjeshtë, qytetarëve pa parti: referendum popullor për heqjen e imunitetit. Dhjetë vite e kundërshtuat, por besimi im i palëkundur është te qytetarët e këtij vendi. Fatura është e tmerrshme mbi ju”, tha Berisha.
(Lajmin e plote me gjithe zhvillimet e djeshme te seances per imunitetin e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama, versioni print)
© Panorama.al











