Dështon prapë “Gërdeci”, gjyqi shtyhet në 2012-n

Dec 27, 2011 | 12:56
Nga gjyqi i Gërdecit

TIRANE – Gjykata e Tiranës do t’i dëgjojë në muajin janar argumentet mbrojtëse të të pandehurve VIP të dosjes gjyqësore “Gërdeci”. Kryesuesi i këtij gjykimi, gjyqtari Ridvan Hado, vendosi dje shtyrjen e seancës dhe caktoi 9 janarin 2012 si datë të seancës së radhës. Shkak i shtyrjes u bë dje, për të disatën herë radhazi, mungesat në radhët e avokatëve mbrojtës. Pasi kryesuesi i gjykimi bëri verifikimin e palëve në proces, rezultoi se ishte një numër i konsiderueshëm avokatësh mbrojtës të papranishëm. Por, veç avokatëve, në seancën e djeshme u vu re edhe “tkurrje” në radhët e përfaqësuesve të prokurorisë. Nga katër prokurorë në këtë proces, dje ishte i pranishëm vetëm një prej tyre. Por gjithsesi, kjo nuk ishte pengesë për zhvillimin e procesit, pasi ai u shpreh para gjykatës se mund të vazhdonte përfaqësimin e akuzës i vetëm.  Gjykimi i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës prej disa muajsh ndodhet në fazën e leximit të konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes. Deri tani është lexuar pjesa më e madhe e tyre, por ende gjykata nuk ka dëgjuar konkluzionet mbrojtëse të të pandehurve më kryesorë të këtij procesi, Mihal Delijiogji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli. Në kërkesën e saj, lexuar para gjykatës më 1 nëntor, Prokuroria e Tiranës kërkoi deklarimin fajtor të të gjithë të të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Në pretencë akuza kërkonte burgim përjetë për të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli.                                ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura