Dëshmia e oficerit: Vrava kolegun, më ngacmoi gruan

Jan 19, 2012 | 13:22

Vendi ku ndodhi vrasja e policit të FNSH

Tiranë, Gjykata: Burg pa afat policit të akuzuar për ngjarjen në Kombinat

Zbardhet versioni zyrtar i vrasjes të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, mesditën e 12 janarit, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Polici i arrestuar për ekzekutimin me armë të kolegut të vet ka thënë se e ka kryer vrasjen, për shkak se polici që banonte në të njëjtën zonë, i ngacmonte gruan. Bashkim Memia nuk mundi dot t’u shpëtonte plumbave të shkrehur nga arma që mbante në dorë Genc Domi, efektiv i Komisariatit Nr.3 të kryeqytetit, njëkohësisht fqinj i tij. Pas dyshimeve të forta se bashkëshortja e tij kishte marrëdhënie intime me viktimën Memia, polici i objekteve Genci Domi ka derdhur dy karikatorë pistolete drejt tij. Në përfundim, armën e ka drejtuar drejt vetes për vetëvrasje, por plumbat kishin mbaruar. I paraqitur në Gjykatën e Tiranës pak ditë pas ngjarjes ndaj Domit, u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “vrasjes me paramendim”.
NGJARJA SIPAS PROKURORISE
“I dyshuari Genc Domi është banor i qytetit të Tiranës dhe punonjës policie i Komisariatit Nr.3 Tiranë. Më datë 12.01.2012, rreth orës 12:00, i dyshuari ka përfunduar punën e tij si punonjës policie dhe është nisur në drejtim të zonës së Kombinatit Tiranë. Sipas deklarimeve të tij në momentin e ndalimit dhe të disa dëshmitarëve, sapo është afruar pranë kioskës së viktimës Bashkim Memia, i dyshuari ka nxjerrë pistoletën që mbante si punonjës policie dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të viktimës Bashkim. Ky i fundit fillimisht ka arritur t’u shpëtojë plumbave dhe ka tentuar të largohet me vrap. Por i akuzuari e ka arritur, e ka goditur edhe me qytën e pistoletës, ka vënë një karikator tjetër në pistoletë dhe e ka qëlluar disa herë viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Më pas, i dyshuari ka tentuar të vrasë edhe veten, por në pistoletën e tij nuk ka pasur më fishekë. Menjëherë janë afruar punonjës policie, të cilët kanë ndaluar të dyshuarin dhe janë munduar të ndihmonin viktimën. Në shpjegimet e tij në momentin e ndalimit, i dyshuari ka pretenduar se viktima kishte marrëdhënie intime me bashkëshorten e të dyshuarit dhe, për këtë shkak, i dyshuari e kishte vrarë”, citoheshin materialet e Prokurorisë në vendimin që la në “arrest me burg” 44-vjeçarin Domi. Sipas Gjykatës, si pasojë e veprës penale për të cilën akuzohet Domi “ka humbur jetën një njeri dhe masa e dënimit e parashikuar prej saj është shumë e madhe, rrethana të cilat justifikojnë plotësisht masën e sigurimit ‘arrest në burg'”.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura