Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e sotme, ku u shpreh se pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, vetë ai do të jetë pjesë e skuadrës së deputetëve që do të drejtojnë fushatën e PS-së për zgjedhjet e 11 majit në Tiranë.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh Rama e gjeti zgjidhjen pasi Veliaj u vu në pranga, duke i zënë vendin.
Sipas tij, kryeministri Rama derdhi lot krokodili gjatë ditës së sotme, ku kreu i qeverisë reagoi për herë të parë për arrestimin e Veliajt.
Berisha: Mirëmbrëma miq! Edi Rama pasi derdhi lot krokodili për Erion Veliajn gjithë paraditen dhe gjatë ditës, në darkë gjeti zgjidhjen, i zuri vendin!
Kujtojmë se në ceremoninë për 105-vjetorin e Tiranës si kryeqytet, Rama u shpreh se do t’i bashkohet skuadrës së deputetëve të Tiranës.
“Nga gjithë ajo që ndodhi dje, dhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë bashkë me skuadrën e Tiranës”, tha ai, ndërsa shtoi se në 11 maj, Tirana do t’i japi numrin më të madh të deputetëve Partisë Socialiste.
Rama: Më 11 maj, falë edhe blerjes së fundit të skuadrës, marrjes së Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do jenë një mavi flakëritëse cep më cep në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër.
Nga gjithë ajo që ndodhi dje, dhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë bashkë me skuadrën e Tiranës. Nuk diskutohet që në 11 maj, Tirana do t’i japi numrin më të madh të deputetëve që i ka dhënë ndonjëherë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve.
© Panorama.al











