Derbi Inter-Roma, “look” i ri në sulm

Sep 17, 2011 | 12:32

Sot në mbrëmje në “San Siro”, Interi do të presë një tjetër të zhgënjyer të momentit që është Roma e Luis Ebrikes. Ndeshja është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Një humbje do të nënkuptonte minimin e postit të trajnerit përkatës. Fatet janë të njëjta për Gasperinin dhe Luis Enriken, të detyruar të japin përgjigje në fushë, pasi shoqëritë respektive kanë theksuar edhe njëherë besimin, i cili sidoqoftë ka një limit. Interi – Për ta blinduar vendin e tij në pankinën zikaltër, Gasperini do t’i besojë liderit zikaltër dhe lojtarit më në formë të momentit, Usli Shanjderit. Trajneri i Interit, dukshëm i zhgënjyer nga humbja e së mërkurës në Champions, tejet i nervozuar me paraqitjen e skuadrës në fushë, ka studiuar me kujdes situatën. Për momentin, holandezi, më i miri i nënkampionëve të Italisë në të tri ndeshjet zyrtare të zhvilluara deri tani, është ende shpëtimtari i trajnerit piemtontez, i cili në konferencën për shtyp të së shtunës së kaluar përpara Palermos, e ka cilësuar si të nevojshëm, por jo të domosdoshëm. Por, duket se Shnajder është shndërruar në “të domosdoshëm” shumë shpejt. E ka zbritur menjëherë në fushë, pas 30 minutave lojë, në vend të të turbulluarit Zarate, dhe holandezi ka “ndezur” dritat e manovrës së skuadrës. Stankoviç dhe Kivu nuk do të jenë në fushë për shkak të dëmtimeve dhe Gasperini ka konfirmuar thuajse të njëjtin formacion që ka luajtur me Trabzonsporin, me përjashtim të Pacinit dhe Zarates. Roma – Në prag të ndeshjes që do të zhvillohet nesër në mbrëmje në “San Siro” me Interin, trajneri i Romës, Luis Enrike, po studion të gjitha zgjidhjet e mundshme për t’i dhënë skuadrës një fytyrë definitive: të dhënat e fundit që ka mbledhur nga fusha e gjelbër, tregojnë se balotazhin në repartin e avancuar mes Osvaldos dhe Marko Borrielos, e ka fituar ky i fundit. Ndërkohë, në mesfushë, mundësitë janë të reduktuara për Pizarron, i cili ka braktisur përpara kohës së caktuar seancën stërvitore. Edhe Sisinjo nuk është në gjendje shumë të mirë fizike, ndaj edhe ai rrezikon. Për pasojë, janë rritur kuotat për një konfirmim të Rosit në krahun e djathtë. Drejt rikuperimit është edhe Juan, i cili ditët e fundit është shqetësuar nga një mbilodhje muskulore dhe nga një problem i vogël me gjurin. Braziliani, pavarësisht se është bashkuar me grupin në stërvitjen e ditës së djeshme, nuk do të jetë në fushë për ndeshjen me Interin.

© Panorama.al

Te lidhura