
Raporti i “Mjaft” për periudhën nëntor- dhjetor: Nga PD vetëm Oketa, nga PS, Ruçi e Braçe
“Deputeti Agim Leka i PS votoi edhe për Fidel Yllin në Kuvend”
Lëvizja “Mjaft” publikon raportin e muajve nëntor-dhjetor 2011 lidhur me miratimin e ligjeve në Parlament. Nga ky raport, rezulton se në pesë raste deputetë të ndryshëm kanë thyer qëndrimin politik të partisë ku aderojnë dhe kanë votuar ndryshe nga anëtarët e tjerë të Grupit Parlamentar. Në këto katër raste, tre i përkasin deputetëve të Partisë Socialiste dhe një deputetëve të Partisë Demokratike. Sa i takon forcës më të madhe në maxhorancë, në këtë periudhë dymujore është shënuar vetëm rasti kur ish-ministri i Mbrojtjes dhe zv.kryeministri i vendit, Gazmend Oketa, ka votuar kundër dekretit të shumicës për të rrëzuar rishqyrtimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, një kërkesë kjo e Presidentit Topi. Ndryshe nga deputetët e tjerë të Partisë Demokratike që rrëzuan dekretin e kreut të shtetit, Gazmend Oketa votoi pro. Nga ana tjetër, në radhët e Partisë Socialiste ka pasur katër raste kur deputetët nuk kanë pasur të njëjtin qëndrim. Kështu në seancën e 10 nëntorit, deputeti Andis Harasani ka votuar abstenim për ligjin e Autoritetit të Aviacionit Civil, ndërsa Grupi Parlamentar i PS-së ka votuar pro. Rasti i dytë është shënuar në seancën e 17 nëntorit, kur Erjon Braçe ka abstenuar në votimin e projektligjit “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo-ushqimore” dhe projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9662, datë 18.02.2006 “Për Bankat në RSH”, ndërsa Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar pro. Në të njëjtën seancë, Erjon Braçe dhe Dashamir Peza kane abstenuar në votimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 “Kodi hekurudhor në RSH”, kurse Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar pro. Ndërsa në votimin e “Kodit Detar”, në një kohë që Grupi Socialist ka votuar pro, kryetari i Grupit, Gramoz Ruçi, ka dhënë votën e tij kundër, kurse deputetët Erjon Braçe, Ermonela Felaj, Ilir Gjoni, Skënder Hasa, Arben Isaraj, Ervin Koçi, Valentina Leskaj, Piro Lutaj, Dashamir Peza dhe Armando Subashi kanë abstenuar.
Votimi i dyfishtë
Në periudhën nëntor-dhjetor, kur është kryer edhe monitorimi i skuadrës “Unë Votoj”, pjesë e lëvizjes “Mjaft”, është shënuar edhe një rast kur një deputet ka votuar edhe për kolegun e tij në krah që mungonte në atë moment. Bëhet fjalë për seancën parlamentare të 17 nëntorit, kur deputeti i Partisë Socialiste, Agim Leka, pasi ka votuar për veten e tij ka hedhur votën edhe për kolegun në krah, Fidel Ylli, lidhur me ndryshimet që do të bëheshin në “Kodin Detar në Republikën e Shqipërisë”. Sa i takon prezencave në Parlament, deputetët që kanë munguar në votimin e shumicës së të gjithë projektligjeve në seancat plenare, duke mos ushtruar të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga roli i përfaqësuesit të elektoratit kanë qenë Rudina Seseri, e cila nuk mori pjesë në asnjë nga 17 seancat dhe Dritan Prifti që ishte i pranishëm në 6 seanca. “Nisur nga mungesat e vazhdueshme në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe në ato të seancave plenare, Partia Socialiste, nëpërmjet një kërkese zyrtare i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë zëvendësimin e znj.Seseri me kandidatin e radhës që vjen në listat zgjedhore të Partisë Socialiste. Kjo kërkesë e Partisë Socialiste vjen pas një letre të dërguar nga znj.Seseri, e cila i kërkon Partisë Socialiste dhe Kuvendit të Shqipërisë që të pranojë kërkesën e saj për të hequr dorë nga mandati si deputete e qarkut Durrës, për shkak të okupimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raportin e “Mjaft”.
Komisioni i Ekonomisë
Në Komisionin e Ekonomisë, më 25 tetor, pas hapjes së mbledhjes ishin të pranishëm 9 nga 23 anëtarët e tij, ndërkohë që në votimin e iniciativës ligjore kanë marrë pjesë vetëm 11 anëtarë, nga të paktën 12 që duhet të ishin të pranishëm. Në procesverbalin përkatës, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, rezultojnë të pranishëm 13 anëtarë. Pas denoncimit të këtij fakti, skuadra “Unë votoj” u pengua disa herë të ndjekë mbledhjet.
Deputetët antikonformistë
Partia Demokratike:
– Në seancën plenare të datës 3 nëntor 2011, deputeti Gazmend Oketa ka votuar pro dekretit nr. 7122, datë 14.10.2011 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 10.463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ndërsa Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka votuar kundër.Partia Socialiste:
– Në seancën plenare të datës 10 nëntor, deputeti Andis Harasani ka votuar abstenim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.233, datë 11.02.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, ndërsa Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar pro.– Në seancën plenare të datës 17 nëntor 2011, deputeti Erjon Braçe ka abstenuar në votimin e projektligjit “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo-ushqimore” dhe projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9662, datë 18.02.2006 “Për Bankat në RSH”, ndërsa Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar pro.
– Në seancën plenare të datës 17 nëntor 2011, deputetët Erjon Braçe dhe Dashamir Peza kanë abstenuar në votimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 “Kodi hekurudhor në RSH”, ndërsa Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar pro.
– Në seancën plenare të datës 17 nëntor 2011, deputeti Gramoz Ruçi ka votuar kundër, ndërsa deputetet Erjon Braçe, Ermonela Felaj, Ilir Gjoni, Skënder Hasa, Arben Isaraj, Ervin Koci, Valentina Leskaj, Piro Lutaj, Dashamir Peza, Armando Subashi kanë abstenuar gjatë votimit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi detar i RSH”, ndërsa Grupi Parlamentar i PS-së ka votuar pro.
Mungesa e kuorumit
Mbledhja e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, e mbajtur në datën 1 nëntor 2011, ka nisur në kushtet e mungesës së kuorumit, për shqyrtimin dhe votimin e projektligjit “Për ratifikimin e dokumentit të amendimit numër një të marrëveshjes së ndihmës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për qeverisje të drejtë dhe demokratike”. Në hapjen e mbledhjes, sipas regjistrimeve të skuadrës “Unë Votoj”, kanë qenë të pranishëm 9 nga 23 anëtarë të këtij komisioni.
Votimi me 9 deputetë
“Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, e mbajtur në datën 8 nëntor 2011, ka nisur në kushtet e mungesës së kuorumit, për shqyrtimin dhe votimin e projektligjit ‘Për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo-ushqimore’”, thuhet në raportin e periudhës nëntor- dhjetor të vitit të kaluar. Në hapjen e mbledhjes, sipas regjistrimeve të skuadrës “Unë Votoj”, kanë qenë të pranishëm 9 nga 23 anëtarë të këtij komisioni.
Mjaft: Kuvendi nuk është transparent
Sipas lëvizjes “Mjaft”, Kuvendi ka shkelur ligjin për informimin publik, i cili detyron administratën t’i përgjigjet çdo kërkese për dhënie informacioni brenda 40 ditëve. “Për të testuar gatishmërinë e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, sesa ky institucion e respekton ligjin për të drejtën e informimit, si dhe qytetarët që kërkojnë të informohen. Në kuadër të kësaj nisme, lëvizja “Mjaft” i ka dërguar Kuvendit 5 kërkesa zyrtare, më datë 05.12.2011. Asnjë nga kërkesat e lëvizjes “Mjaft” nuk ka marrë përgjigje nga administrata e Kuvendit, megjithëse ka kaluar afati 40-ditor që parashikon ligji”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











