TIRANE- Deputetët e Partisë Socialiste kanë lënë sallën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku kanë njoftuar se nesër sëbashku me mijëra shqiptarë do të jenë sërish aty. Duke folur në emër të të gjithë deputetëve të pranishëm, Erjon Braçe tha se “ne do të jemi nesër po prapë këtu, pavarësisht vullnetit të policisë së shtetit që kanë rrethuar KQZ-në, do jemi për të asistuar në bazë të ligjit, në atë mbledhje që një Shqipëri e tërë po e pret, ku të formalizohet ajo që gjithë shqiptarët kanë parë, fitoren e Edi Ramës në Tiranë”
Mbledhja e KQZ-së është paralajmëruar për nesër në orën 10:00, ndërsa Braçe njoftoi se ata do të jenë aty që në orën 09:30.
Ndërkohë, Braçe tha se ardhja e deputetëve në KQZ ishte për të ndjekur një mbledhje të paralajmëruar, të hapur dhe publike të KQZ-së. Sipas tij ,pa shkelur asnjë ligj dhe duke respektuar të gjitha rregullat.
Ai shtoi, se kreu i KQZ-së Ristani dhe tre anëtarët e djathtë u kapën në flagrancë duke shqyrtuar një akt që synon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.
Ai akuzoi Ristanin dhe anëtarët e së djathtës në KQZ, se po përpiqen të manipulojne rezultatin.
© Panorama.al











