Deputetët e PS “pushtojnë” KQZ-në

May 18, 2011 | 10:11
Deputetet socialiste, dje ne KQZ duke protestuar ndaj projektvendimit per numerimin e votave per kryetarin e bashkise, ne kutite e minibashkive

Mbledhja e KQZ-së, e parashikuar të niste në orën 13:30, në fakt nisi me rreth 30 minuta vonesë.Të parët që hynë në sallë, si në çdo mbledhje tjetër, ishin anëtarët e opozitës në KQZ, si dhe përfaqësuesit e PS-së. Vetëm pak momente më vonë pas tyre erdhën edhe katër deputetë socialistë, Fatmir Xhafa, Pandeli Majko, Namik Dokle dhe Dashamir Peza. Për një moment u mendua se ata do të ishin të vetmit që do të ndiqnin nga afër këtë mbledhje ku do të miratohej një akt që pezullonte nxjerrjen e rezultatit të votimit në Tiranë. Nuk vonoi shumë dhe ambientet e brendshme të KQZ-së u mbipopulluan nga thuajse 40 deputetë socialistë, të cilët, në pamundësi të uleshin të gjithë në karriget ku zakonisht rrinë përfaqësuesit e mediave dhe anëtarët e KZAZ-ve, u ulën në tavolinat ku mbahen vendimet e vjetra, por edhe në karriget e përfaqësuesve të partive. Ndërkohë që përfaqësuesit e mediave ua lanë vendin deputetëve socialistë, të shumtë në numër, i vetmi që nuk lëvizi dhe qëndroi për rreth 6 orë në të njëjtin vend ishte një përfaqësues i Partisë Komuniste në KQZ. Për komunistin mund të mos kenë qenë orë edhe aq të mira, pasi kandidimi i kryetarit të tij në Tiranë ishte një nga arsyet e rezultatit të ngushtë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Mbledhja
Zënia e të gjitha karrigeve në anën e përfaqësuesve të partive u bë shkak për prishjen e mbledhjes. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kishte ngelur pa karrige dhe i pari që reagoi për këtë situatë ishte kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili u kërkoi deputetëve socialistë të lironin karriget. Pas disa batutave mes Ristanit, Tahirit, Braçes e Ballës, mbledhja u mbyll në jo më shumë se 3 minuta dhe anëtarët e KQZ-së, pa u ulur mirë në vendet e tyre, iu drejtuan derës. Nga ana tjetër, deputetët socialistë kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë, të ndarë grupe-grupe. Nuk kaluan shumë minuta kur disa prej tyre filluan të dilnin në korridor, ku qëndron një makinetë me ushqime të thata. I pari që u kthye në klient të makinetës në KQZ ishte Ervin Bushati e pas tij, me radhë, deputetët e tjerë. Pas rreth një ore qëndrimi brenda KQZ-së u panë qeset e mëdha me ushqime të restoranteve të Tiranës, të cilat i kishin porositur deputetët që, për t’i shpëtuar syrit të medias, ngjiteshin në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve. Deputetët mes tyre shkëmbenin batuta, ku në qendër të tyre ishin çadrat që kishin marrë për shkak të shiut. Ligori e Dade në një moment u vunë në “garë” me njëra-tjetrën, ku fillimisht deputetja e Elbasanit tha “ja ku e kam çadrën pistoletë”. I menjëhershëm ishte reagimi i Dades, e cila me ton jo të ulët u përgjigj: “Çadër pistoletë e kam vetë, ti e ke karabinë”.
Policia
Ndërkohë që prej orës 15:00, KQZ-ja u rrethua nga policia dhe një numër i madh i forcave të rendit ishin vendosur në ambientet e brendshme të stadiumit “Qemal Stafa”, në sallën e mbledhjeve ishin vënë në përdorim edhe dy ekranet e mëdha të televizioneve. Të gjendur në qendër të vëmendjes, deputetët e panë veten shpejt në ekranet e mediave, të cilat po transmetonin direkt pamjet nga kjo ngjarje. Në orën 18:35 erdhi lajmi që KQZ ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit, policia do të ruajë rendin dhe qetësinë në ambientet e brendshme të këtij institucioni. Brenda pak minutash, në sallën e mbledhjeve erdhi drejtori i KQZ-së, Alfred Spahiu, i shoqëruar nga përfaqësues të mediave, i cili bëri të ditur vendimin. Leximi i vendimit u prit me ironi nga deputetët e PS-së, madje ndaj drejtorit u hodh një monedhë 50 lekëshe, e cila ra në tavolinën ku zakonisht rri administrata e KQZ-së. Pas largimit të zyrtarit të KQZ-së dhe policisë, deputetët e PS-së u futën të gjithë në sallë dhe për disa momente u krijua përshtypja se policia mund të vinte nga momenti në moment për të tentuar t’i nxirrte jashtë. Në ambientet e brendshme të KQZ-së është parë edhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës me bashkëpunëtorë të tij. Burime nga forcat e rendit bëjnë të ditur për gazetën se gjatë atyre orëve kanë pasur komunikim me deputetët dhe eprorë të tyre për të negociuar largimin nga KQZ-ja. Në kushtet kur negociatat nuk ecën mirë dhe deputetët janë me mandat, e, për rrjedhojë, nuk mund të preken, drejtuesit e Policisë janë tërhequr dhe e kanë lënë gjithçka në dorë të anëtarëve të Parlamentit. Ambientet e KQZ-së janë kthyer në të njëjtën kohë edhe në vende për të zhvilluar konferenca shtypi. Thuajse të gjithë deputetët socialistë parakaluan në disa prej televizioneve për të sqaruar pozicionin e tyre dhe përse vendosën të shkonin në KQZ.
Rreth orës 19:00, në televizorët që ishin ndezur u shfaq edhe kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një komunikimi me mediat. Deklarata e tij kaloi jo pa komente dhe ironi nga deputetët e PS-së. Pas rreth 6 orësh në KQZ, deputetët të udhëhequr nga Fatmir Xhafaj lanë sallën dhe u larguan, duke deklaruar se do të kthehen sërish sot, këtë radhë edhe me qytetarët me vete.

Replikat në KQZ

Njazi Kosovrasti hyn në mbledhje dhe në vendin ku qëndron ai nuk kishte karrige.

Arben Ristani: Lironi karriget!

Sajmir Tahiri: Karrigen ta hoqi populli ty.

Erion Braçe: S’ka karrige!

Arben Ristani: Erioni, boll Erioni!

Taulant Balla: Bëje mend mirë, kaq po të themi sot!

Arben Ristani: Kur të lironi karriget fillojmë. Mbledhja pezullohet.

Sajmir Tahiri: Për karrigen e Njaziut shiko çfarë bën ky, imagjinoni për karrigen e Saliut.

Anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e partive, me përjashtim të atyre të PS-së, largohen nga mbledhja.

Fatmir Xhafaj, ditëlindja e dytë si në grevë urie

Një vit më parë ishte në grevë urie për të kërkuar hapjen e kutive kur mbushi 51 vjeç dhe në çadrën para Kryeministrisë i dërguan një tufë me lule. Dje, më 17 maj, ai mbushi 52 vjeç dhe për shkak të angazhimeve politike duhet të ishte në Komisionin Qendror i Zgjedhjeve, “gjysmë i ngujuar”, këtë herë për të kërkuar që kutitë të mos hapen. Jo të gjithë deputetët dhe gazetarët e dinin këtë fakt dhe mjaftoi një zë që Fatmir Xhafa ka ditëlindjen për t’ia uruar atij. Nuk ishin të paktë që e kishin uruar Xhafën duke e lidhur këtë festën e këtij viti me atë të një viti më parë, ku siç thoshte një mesazh, “Xhafa ka bërë përparim, pasi nga çadra para Kryeministrisë tani është në ambientet e KQZ-së”.

Gratë e PS, në zyrën e Subashit

Gratë deputete të Partisë Socialiste nuk e kanë ndjerë shumë qëndrimin për rreth 6 orë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ato kishin ardhur të merrnin pjesë në mbledhjen ku do të miratohej vendimi për pezullimin e nxjerrjes së rezultatit në Tiranë deri në vlerësimin e votave të pavlefshme. Pasi janë larguar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 5 minuta pasi kishin ardhur, gratë deputete të PS-së nuk kanë qëndruar në karriget e sallës së mbledhjeve, por janë ngjitur në katin e dytë së bashku me nënkryetaren e këtij institucioni, Dëshira Subashi. Kushtet më të mira në zyrën e Subashit kanë bërë që ato të mos e ndienin lodhjen. Megjithatë, përveç Kodhelit, Dades e Ligorit, që janë ngjitur në katin e dytë, kishte edhe deputete si Vasilika Hysi, e cila ka qëndruar gjatë gjithë kohës me anëtarët e tjerë të Grupit Parlamentar.

Skema e daljes

Dalja e deputetëve socialistë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bë përmes një skeme të përcaktuar qartë nga Fatmir Xhafa. Fillimisht ai lajmëroi të gjithë deputetët që ishin në korridor apo jashtë KQZ-së që të mblidheshin në sallën e mbledhjeve. Ndërsa atyre që ishin duke dhënë intervista u kërkoi t’i ndërprisnin ato sa më parë. Më pas u kërkoi dy televizioneve që të bëheshin gati të filmonin deputetët që do të dilnin nga salla. Pas komunikimit me disa gazetarë, Xhafa i komunikoi Grupit vendimin për të lënë KQZ-në dhe në derën e këtij ambienti do të mbahej një deklaratë nga Erion Braçe. Pas deklaratës së Braçes, i cili i kërkoi KQZ-së të tërhiqet nga miratimi i këtij vendimi, deputetët lanë sallën dhe u shpërndanë. Bashkë me ta edhe forcat e rendit.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura