Deputetët e Kombit, nisin festimet e 100-vjetorit me Skënderbeun

Jan 18, 2012 | 11:24

100 Vjet Shtet Shqiptar

Kuvendi organizon ceremoni mbarëshqiptare

Të ftuar parlamentarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Berisha: Jemi një komb një qëndrim

Parlamenti shqiptar ka çelur dje, me një ceremoni solemne, vitin e aktiviteteve për 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Kremtimet e 100-vjetorit kanë nisur më një datë simbolike, 17 janarin, ditë e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek i cili simbolizohet bashkimi i shqiptarëve.
Në ceremoninë e zhvilluara në sallën e seancave plenare morën pjesë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përfaqësues të Kuvendit të Malit të Zi dhe Maqedonisë, gjithashtu dhe ambasadorët Ettore Sequi dhe Eugen Volfarth. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe ish-kryetarët socialistë të Kuvendit, Ylli Bufi e Servet Pëllumbi. Gjithashtu ra në sy dhe pozicionimi i ish- kryetarit të Kuvendit, njëherësh deputet i çregjistruar nga Grupi i PS-së, Kastriot Islami, i cili ka qëndruar në krahun e majtë të Kryeministrit Berisha. Në këtë ceremoni nuk kanë munguar as deputetët e opozitës, të cilët përfaqësoheshin nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle dhe një grup deputetësh.
Deklarata
Kreu i qeverisë, Berisha, u shpreh se kjo ditë do të mbetet nga më të shënuarat në historinë e Parlamentit të kombit shqiptar, pasi janë mbledhur së bashku në një sallë deputetët shqiptarë nga të gjitha viset e kombit, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. “Unë mendoj se kjo përbën arritjen më të madhe të këtij shekulli për ne, përbën nderimin më të madh ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që flijuan rininë dhe jetën e tyre për këtë ditë, për qindra, mijëra, miliona shqiptarë, që me mundin dhe djersën e tyre dhanë ndihmesën në këtë ditë, për arritjen e kësaj dite”, theksoi Kryeministri. Sipas Berishës, në aspiratat e shqiptarëve qëndron parimi “Një komb, një qëndrim”, asgjë s’mund të ndalë dhe copëtojë shpirtin e një kombi, trupin po, por shpirti është një i pandarë, shpirti i një kombi është liria e tij, liria e tij është një e pandarë, ndaj lavdi Zotit, ne vijmë sot të lirë në këtë sallë, sepse qëndruam së bashku.
Mirënjohja
Kryeministri Berisha i bëri dje homazh edhe kombit amerikan, udhëheqësit e të cilit, të frymëzuar nga liria, i janë gjendur pranë dhe kanë ndihmuar shqiptarët të mbijetojnë si komb në trojet e tyre dhe të prosperojnë gjatë këtyre 100 vjetëve. “Ne kemi fituar beteja nga më të vështirat dhe më të paimagjinueshmet, sepse kemi pasur fatin e madh të kemi mbështetjen e kombit të madh amerikan, Kongresit dhe Presidentit të këtij vendi. Ne jemi një komb perëndimor dhe nuk kemi ndonjë lidhje gjaku me kombin amerikan, por mbështetja e këtij kombi për shqiptarët buron nga pasioni i këtij kombi për lirinë”, deklaroi Berisha. Me tej, Kryeministri pohoi se aspirata më e madhe e të gjithë qeverisë është aderimi në Bashkimin Europian.
“Le të bëjmë gjithçka, që të bëjmë çdo ditë e më shumë qytetarët shqiptarë, më të lirë, më të begatë, më të sigurt, të bëjmë gjithçka për projektin tonë të madh, projektin e shqiptarëve në Europë”, përfundoi Berisha.

Xhevat Ademi
Deputeti i Maqedonisë, Xhevat Ademi, i ftuar në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e festimeve të 100-vjetorit, u shpreh se integrimi i shqiptarëve në BE nuk ka kthim mbrapa. “Fakti që shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk kanë realizuar gjithë ëndrrën e tyre për të qenë të barabartë tërësisht me komunitetin maqedonas, përfundimisht janë në rrugë të mbarë, sepse proceset eurointegruese të rajonit në radhë të parë janë interesi ynë strategjik kombëtar dhe nga kjo rrugë, fatmirësisht, kthim prapa nuk ka”, deklaroi Ademi.

Mehmet Bardhi
Deputeti i Malit të Zi, Mehmet Bardhi, deklaroi dje në Kuvendin e Shqipërisë se: “Teposhta më e madhe ishte atëherë kur në ’48-n u mbyllën dhe na i mbyllën kufijtë me Shqipërinë. Atëherë ne na këputën një damar të qafës. Prandaj, zonja dhe zotërinj deputetë dhe të gjithë ju shqiptarë, le të jetë dhe kjo e sotmja, ky Kuvend me përfaqësues, me deputetë nga të gjitha viset shqiptare, një vazhdim i lidhjes së damarit të këputur, i shërimit të plotë”.

Jakup Krasniqi
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh gjatë ceremonisë së festimeve me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, se Shqipëria, shteti i shqiptarëve, do të rrojë për jetë të jetëve. “Në këtë përvjetor jubilar, prandaj, s’kam arsye dhe s’dua ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë, ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë njerëzore. E kundërta do të më dukej pozë e çnatyruar. Për jetë të jetëve, Shqipëria “…më vehte, e lirë dhe e mosvarme”, tha Krasniqi!

Kryetarja e parlamentit pret parlamentarë nga trojet shqiptare
Topalli: Të gjithë bashkë në Kuvendin tonë
“Anëtarësimi në NATO, Rruga e Kombit dhe lëvizja e lirë u kry”
Nën kujdesin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në sallën e seancave janë çelur zyrtarisht festimet me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Topalli ka pritur që në ambientet e jashtme të Kuvendit personalitet e ftuara nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Dekori festiv dhe muzika e përzgjedhur kanë shoqëruar seancën solemne të kalendarit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit. “Pavarësia është kryefesta jonë kombëtare, që festohet në të gjitha viset e trojet shqiptare, nga çdo shqiptar kudo në botë. Ne sot kujtojmë e kremtojmë në liri, ditëlindjen tonë, 28 Nëntorin 1912, vitin e flamurit. Në çdo kohë, kombi mbeti i vendosur në besimin se mbrojtja e Lirisë, e shtetit, e aktit themelues, Kushtetutës, respektimi i vlerave e i parimeve te mëdha dhe i ligjeve të vendit është detyra jonë e madhe, e të gjithëve”, deklaroi Topalli. Sipas kryeparlamentares, liria është vlera më e çmuar, e cila ndër vite u është mohuar shqiptarëve. “Ne shqiptarët bashkuam të njëjtin shpirt që gjeti Kastrioti, që lindi rilindjen tonë kombëtare, që lindi shtetin shqiptar. Në Shqipëri, shqiptarët rifituan lirinë 20 vite më parë. Në Kosovë, pavarësia u krye 4 vite më parë. Anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën e lirisë u kry, Rruga e Kombit u kry, liria e lëvizjes u kry. Kështu, ne do të shkruajmë edhe kapitullin tjetër në historinë shqiptare. Sot, nga Kosova, nga trojet tona në Maqedoni, Mal i Zi etj., jemi të gjithë bashkë në vendtakimin tonë, në ditën tonë, me flamurin tonë, me lirinë e gjuhën tonë, në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.

Kreu i PS reagon në Twitter

Rama: Skënderbeu dhe Europa do turpëroheshin nga drejtësia

Kreu i PS, Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje lidhur me festimet që u zhvilluan në sallën e Kuvendit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Në rrjetin e tij social “Twitter”, Rama ka ironizuar dhe vendimin e drejtësisë për shpalljen si të pafajshëm të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Sipas Ramës, “Skënderbeu dhe gjithë etërit e kombit e të pavarësisë shqiptare do ndiheshin sot të turpëruar nga llumi i drejtësisë pas 100 vjetësh pavarësi!”. Shefi i opozitës vijoi më tej duke thënë se dhe Europa ndihet e turpëruar për vendimin e Gjykatës së Lartë, që sipas Ramës i dogji një tjetër shans Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. “E turpëruar ndihet sot edhe Europa, që dje u pengua nga drejtësia në përpjekjen për ta kandiduar Shqipërinë në BE në vitin e pavarësisë!”, deklaroi shefi i opozitës.

PDIU, homazhe në varrin e Skënderbeut
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e shoqata “Çamëria” zhvilluan dje homazhe në Varrin Monumental të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Lezhë. Duke vendosur kurora dhe lule në varrin e Heroit tonë Kombëtar, në përvjetorin e 544-vjetorit të vdekjes së tij, presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, bëri thirrje për ngritjen e një panteoni për të gjitha figurat kombëtare shqiptare. “Me këtë rast, ne dëshirojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare për ngritjen e një panteoni në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, ku të prehen figurat kryesore kombëtare shqiptare. Ky panteon duhet të jetë një pikë pelegrinazhi për çdo shqiptar”, u shpreh Muhedini. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, shprehu mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve dhe frymëzimin nga vepra e Heroit Kombëtar. “Skënderbeu është dhe do të mbetet pika kryesore e frymëzimit për çdo patriot shqiptar, pasi në kohëra të vështira arriti që të ngrejë flamurin dykrenor dhe të mbrojë atdheun”, deklaroi ai.

Spahiu: Bashkim trojeve etnike
Aleanca Kuq e Zi në Krujë me programin “Shqipëria bëhet”
KRUJE – Aleanca Kuq e Zi shpalosi dje në Krujë programin “Shqipëria bëhet”. Vizita në këtë qytet u bë në përvjetorin e 544 të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për të cilën AK-ja theksoi se asnjë qeveri nuk e ka kujtuar këtë datë të rëndësishme. Kreu i Aleancës, Kreshnik Spahiu, u shpreh se: “Kam ardhur këtu me rastin e 544-vjetorit të Gjergj Kastriotit, për të përkujtuar një nga figurat më unikale shqiptare, një udhëheqës, që diti të drejtonte një Shqipëri të bashkuar. Por edhe për një qëllim, të cilin Aleanca Kuq e Zi e ka në misionin e saj, të bashkimit të trojeve etnike”, u shpreh Spahiu. Sipas tij,  platforma e Aleancës Kuq e Zi është platformë dhe aspiratë për bashkimin kombëtar, për kufizimin e mandateve, për hapjen e dosjeve të një turme antishqiptare, të cilët sot janë në politikë, sepse shqiptarët duhet të votojnë për shqiptarët dhe se shqiptarët duhet të udhëhiqen nga shqiptarët dhe jo nga grekët apo agjenturat antishqiptare. Sipas AK-së, këtij aktiviteti i janë bashkuar edhe pinjollët e familjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilët janë bërë edhe anëtarë të saj.                                                                r.n

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura