Denoncimet për mungesën e ilaçeve dhe abuzimet me pacientët në Spitalin Onkologjik, kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa

Dec 11, 2025 | 15:45

Pas serisë së denoncimeve mbi mungesat e ilaçeve, pajisjeve dhe abuzimet me pacientët në Spitalin Onkologjik, gazetari i News24, Osman Stafa, është bërë shënjestër e një mesazhi kërcënues që synon ta intimidojë dhe ta largojë nga investigimet e tij.

osman stafa onkologjik

Kërcënimi, i ardhur nga një adresë anonime në rrjetet sociale, përdorte gjuhë fyese e vulgare dhe i kërkonte gazetarit të mos shfaqej më në ambientet e Onkologjikut dhe të ndalonte raportimet mbi korrupsionin në këtë institucion.

Menjëherë pas marrjes së mesazhit, Stafa ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar rastin si “kërcënim për shkak të detyrës”. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që fshihet pas adresës anonime dhe motivet e tij.

Pavarësisht presioneve, gazetari Osman Stafa deklaron se nuk do të tërhiqet nga investigimet për gjendjen alarmante në Onkologjik. Ai thekson se çdo kërcënim vetëm sa e forcon vendosmërinë e tij për të nxjerrë në dritë abuzimet që rëndojnë mbi pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale.

Prej vitesh, Stafa ka raportuar në mënyrë të vazhdueshme problemet e thella të sistemit onkologjik: mungesën e brakiterapisë, një shërbim jetik për pacientet me tumore gjinekologjike, mungesën e PET-scanit, të domosdoshëm për diagnostikimin e saktë; mungesat e përsëritura të ilaçeve të kimioterapisë, si edhe raste të rënda abuzimi dhe korrupsioni nga personeli mjekësor, përfshirë trafikimin e biopsive drejt laboratorëve privatë.

© Panorama.al

Te lidhura