Dënohet me burg administratori i “VEFA”

May 23, 2011 | 12:46

Gjykata Kushtetuese gjen të rregullt dhe lë në fuqi dënimin me një vit e gjysmë burg për Arben Abazin, ish-administrator i pasurive të skemave piramidale, i shpallur fajtor për shpërdorimin e këtyre aseteve.Fjala është për një truall turistik të ish-kompanisë “VEFA”, që është shitur nën vlerë me të paktën 17 milionë lekë humbje në vitin 2000. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e saj për padinë e bërë nga Arben Abazi, ish-administrator i fajdeve, i akuzuar së bashku me disa kolegë të tij për një abuzim që ka çuar në “zhdukjen” e rreth 100 milionë dollarëve. Sipas Gjykatës, Arben Abazi, në cilësinë e administratorit të shoqërive huamarrëse në administrim, është deklaruar fajtor me vendimin Nr. 736, datë 11.06.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim. Për këtë akuzë, ai është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin Nr.148, datë 05.03.2008. I dënuari ka bërë rekurs, por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë më datë 05.03.2010 ka vendosur  mospranimin e rekursit të paraqitur, duke lënë në fuqi kështu dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për zyrtarin. Ai përsëri ka ankimuar duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i ka kërkuar të rrëzojë dënimin e dhënë ndaj tij nga Gjykatat e mëparshme, me argumentin se në proces ishin kryer shkelje proceduriale dhe binin ndesh me përcaktimet e Kushtetues. Por, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj Nr. 18, datë 18 maj 2011, e ka rrëzuar padinë e bërë ndaj ish-administratorit të fajdeve, duke lënë përfundimisht në fuqi dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burg, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Skandali me pronat e “VEFA-s”
Arben Abazi është gjykuar në Gjykatën e Tiranës për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me disa kolegë të tij, konkretisht, të akuzuarit e dosjes kanë qenë Nasip Ahmeti, Arben Abazi dhe Violeta Kraja. Në vitin 1999 ata janë emëruar administratorë të Shoqërisë “VEFA- Hollding”. Ata kanë marrë në dorëzim nga Grupi i Mbikqyrjes asetet dhe dokumentacionin e shoqërisë “VEFA- Hollding” sh.p.k. në administrim, përfshirë këtu edhe një truall me sipërfaqe 4950 m2, truall të ndodhur në Bradanesh-Çukë-Sarandë. Kjo pronë është konsideruar aset i ish-shoqërisë “VEFA- Hollding” sh.p.k., e shpallur e falimentuar dhe pas daljes së Ligjit Nr. 8188 dt. 23.01.1997, “Për ndalimin e skemave piramidale mashtruese të huamarrjes” dhe pronat e saj janë administruar nga shteti. Të akuzuarit më 7 prill 2000 kanë vendosur shitjen direkte të asetit Nr. V-102, truall në Çukë-Sarandë me sipërfaqe 4950 m2, me çmimin 25 000 USD, duke urdhëruar qëndrën e ankandeve të zbatojë proçedurat e shitjes direkte. Komisioni i qëndrës së ankandeve duke shqyrtuar kërkesën e vetme të shtetasit A.Xhollo për të blerë këtë aset në praninë e të akuzuarve Nasip Ahmeti, ka shpallur fitues shtetasin Akileo Xhollo, duke ia shitur këtë truall me çmimin 25 000 USD, e konvertuar në lekë shqiptare në kursin e asaj dite në vlerën 3 500 000 lekë. Sipas Gjykatës, në caktimin e çmimit të asetit të pandehurit nuk janë bazuar në një ekspertim vlerësues të kohës kur është kryer shitja, por janë bazuar në një vlerësim të kryer nga dëshmitarja Arbërina Grazhdani, vlerësim të cilin ajo e ka kryer për llogari të shoqërisë “Doilette & Touche” që mban dt. 21.09.1998. Arbërina Grazhdani, në dëshminë e saj si gjatë hetimeve paraprake dhe në gjykatë, ka shpjeguar se raportin e kishte bërë jo me kërkesën e të pandehurve, por me kërkesë të shoqërisë “Doilette & Touche”. Në këtë rast, për pronën objekt gjykimi ajo ka dhënë vetëm opinionin e saj të pabazuar në vlerën e tregut apo të krahasuar me objekte të tjera përreth kësaj prone. Ajo nuk ka mbajtur parasysh çmimin e shitjes së trojeve në zonat e përcaktuara si zonë turistike.

Trualli

Gjatë hetimeve të saj, Prokuroria ka verifikuar se një vendim qeverie i datës 30.06.1994, përcakonte çmimet e shitjes së tokës në zonat turistike të nivelit të lartë, që konkretisht ishte 3200 lekë/m2. Trualli i “VEFA” që është shitur nga administratorët e dënuar, provohet se ka qenë në zonë turistike të nivelit të lartë, fakt ky i verifikuar me shkresën Nr. 4824/1 Prot. dt. 15.08.2003 të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ku thuhet se “… aseti bën pjesë në zonën turistike të bregdetit Sarandë”

17 milionë
lekë është diferenca mes çmimit real të truallit të “VEFA” në Sarandë dhe vlerës me të cilën ai është shitur. Sipas ekspertizës, vlera reale e truallit ka qenë 21 145 147 lekë, ndërsa shitja është bërë për 3 500 000 lekë. Zbritja nga vlera reale e truallit në çmimin me të cilin është bërë shitja, është plot 17 645 147 lekë

Dëmi ndaj kreditorëve

Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Tiranës ka çmuar se administratorët kanë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Sipas Gjykatës, të pandehurit kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, veprime të cilat u kanë shkaktuar pasoja të rënda kreditorëve të shoqërisë “VEFA” sh.p.k. në vlerën 17 645 147 lekë. Kjo shumë mund t’u kthehej kreditorëve shqiptarë, në rast se do të realizohej shitja me vlerën reale të truallit.

Ekspertiza, trualli në Sarandë u fal

Trulli i shitur nga administratorët e kompanisë “VEFA” në Sarandë në vitin 2000, sipas dosjes penale në fjalë, ka qenë object i një konflikti civil mes pronarit të tij të mëparshëm dhe personave tek të cilët ishte shitur para se të bëhej pronë e “VEFA”. Gjykata e Sarandës, në kuadër të këtij procesi, kishte caktuar disa ekspertë për vlerësimin e pronës në fjalë. Pikëriasht nga ana e ekspertëve është përcaktuar vlera reale e tokës dhe e punimeve të kryera në të, fakt i cili është marrë në konsideratë nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë në vendimin me Nr.384 dt. 11.04.2003, në të cilin pasqyrohet fakti se shuma e përgjithshme e vlerës të truallit dhe dokumetacionit të punimeve është 21 145 147 lekë (dokumente qe ndodhen në faqet 96, 97, 98 të fashikullit hetimor). Sipas Gjykatës, administratorët e shoqërisë “VEFA” Sh.p.k. kanë kryer “Shpërdorim detyre” me shitjen e truallit në Çukë, Sarandë, me sipërfaqe 4950 m2, me një çmim shumë herë më të vogël se vlera reale e truallit, duke i sjellë kështu një dëm të konsiderueshëm interesave të kreditorëve të shoqërisë “VEFA” sh.p.k.

Vjedhja, administratorët e fajdeve u shkarkuan nga detyra në 2006

TIRANE – Pas rënies së piramidave, qeveria krijoi Grupin e Mbikqyrjes dhe administrimit të ish-kompanive piramidale. Qëllimi i këtij grupi ishte që të merrte në ruajtje dhe në administrim asetet e kompanive piramidale dhe t’i nxirrte ato në shitje. Me kthimin e këtyre pronave në valutë, sipas ligjit, do të bëhej më pas kthimi i parave tek qytetarët që kishin depozituar në fajde. Por deri në vitin 2005, administratorët e fajdeve, ndonëse kryen qindra shitje të pronave të fajdeve, pikërisht në këto procedura u akuzuan për shkelje dhe abuzime të rënda, pasi shitën nën vlerë asetet. Pikërisht nga ky fenomen u arkëtuan më pak para dhe për rrjedhojë edhe shumat që iu kthyen qytetarëve ishin më të ulëta. Nisur nga abuzimet në detyrë, qeveria më 8 shkurt 2006 vendosi lirimin dhe caktimin e administratorëve të shoqërive huamarrëse, në administrim. Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi largimin e administratorëve Arben Abazi dhe Donika Papa.

 

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura