Nuk ka, të thuash, ditë të vetme kur nuk flitet për këto tema. Njëkohësisht është vështirë të gjenden ditët kur diçka shumë konkrete, e matshme, është bërë në trajtimin e këtyre temave. Perspektiva europiane e Kosovës, luftimi i korrupsionit dhe reformimi i partive politike në Kosovë janë tri nga temat më të përfolura në tri-katër vitet e fundit, që prej se jemi bërë shtet i pavarur. Natyrshëm, mbase, sepse Republika e Kosovës ka si adresë të fundit të rrumbullakësimit të pozicionit ndërkombëtar Bashkimin Europian (adresa e parë do të duhej të ishte OKB-ja), pastaj, ngadhënjimi ndaj korrupsionit është kusht pa të cilin nuk bën nëse duam të kemi sundim të ligjit këndejpari, ndërsa ndryshimi i funksionimit të partive politike është një tjetër cilësi e synuar për ta stabilizuar politikën kosovare.
E, pra, nuk mbajmë në mend dot një ditë të tërë kur këto tri tema nuk janë sjellë dhe mbështjellë në mediat tona dhe në politikën kosovare. Ndërsa shikuar së paku nga perspektiva e sotme, e gati fundit të vitit 2011, nuk gjenden dot shenjat a gjurmët e qarta që kemi marrë drejtimin e duhur dhe që po ecim përpara kah Brukseli, kah zvogëlimi i ndjeshëm i korrupsionit dhe kah kualifikimi i partive politike për t’u përballur me sprovat kyçe në shtetin e Kosovës.
Kosova ka perspektivë europiane. Saktë. Vendi i Kosovës është në Europë. Saktë. Nuk mund të ketë stabilizim afatgjatë të Kosovës dhe të mbarë rajonit pa integrimin e Kosovës dhe të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Europë. Saktë.
Kështu flasim ne, kështu flasin edhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian për Kosovën.
Në shkurtin e vitit 2012 ne do të shënojmë katërvjetorin e pavarësisë dhe në tavolinën e dialogut Prishtinë-Bruksel, me gjasë, do ta kemi vetëm Letrën/Dokumentin që hap procesin e ndërmarrjes, fundi i së cilës do të mundësojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova nuk ka ende raporte të mirëfillta me Bashkimin Europian, sepse për BE-në Republika e Kosovës është një lloj “ndërtimi i egër” ligjor dhe politik, “legalizimi” i të cilit varet nga vullneti i pesë shteteve të BE-së, të cilat, përkundër të gjithave, përfshirë këtu edhe mendimin e ICJ (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) për ligjshmërinë e pavarësimit të Kosovës, nuk e njohin shtetin e Kosovës. Saktë.
Pra, kemi një humnerë aktualisht të pakalueshme midis synimeve të përbashkëta të Prishtinës dhe Brukselit dhe mekanizmave për arritjen a përmbushjen e tyre. Mund ta dimë, pra, çka do të ndodhë pas 7-8 viteve në këto raporte, por nuk e dimë dot si të mbërrijmë atje, apo çka do të bëhet në 7-8 javët dhe 7-8 muajt e ardhshëm.
Kosova duhet ta luftojë korrupsionin me të gjitha mjetet. Saktë. Korrupsioni është sëmundja më e rëndë e institucioneve të Kosovës. Saktë. Nuk mund të ketë rend dhe ligj në Kosovë me këtë korrupsion të lartë, që e bën Kosovën shtetin më të dëmtuar në rajon nga kjo sëmundje. Saktë.
Të thuash çdo javë mbahet një konferencë ku me fjalë dhe me kërcënime të llojllojshme goditet pamëshirshëm korrupsioni. Renditen, në këto konferenca, politikanë dhe zyrtarë qeveritarë dhe ndërkombëtarë, prokurorë e gjyqtarë, ekspertë të të gjitha llojeve, publicistë e analistë. Thuhen, pak a shumë, të njëjtat fjalë dhe nxirren po të njëjtat konkludime. Gjë të re nuk ka këtu. Risia e vetme e kohëve të fundit është edhe zotimi publik i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që edhe ajo do të inkuadrohet, përmes Këshillit që do ta ndërtojë vetë, në luftën kundër korrupsionit.
Të gjitha këto fjalë dhe përkushtime deri tash nuk kanë ndryshuar gjë prej gjëje. Në këtë front të madh, korrupsioni po zapton gjithnjë e më shumë “territore” të pushtetit në Kosovë dhe të shoqërisë kosovare, e ne gjithnjë e më zhurmshëm po flasim kundër tij, duke u përpjekur, si thotë populli, ta tutim (frikësojmë) arushën me tupan.
Politika kosovare duhet të reformohet ndjeshëm. Saktë. Nuk mund dot të ndërtohet dhe të stabilizohet shteti i Kosovës me po atë qasje politike që domosdoshmërish është dashtë të aplikohet në lëvizjen e madhe për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Saktë. Nuk munden partitë politike të ndryshohen pa ndërruar mentaliteti politik brenda tyre, pa demokratizuar nga brenda partitë kryesore të Kosovës. Saktë.
Reforma e partive politike të Kosovës është deformuar shumë, akoma pa nisur mirë. Politika kosovare e ditëve të sotme mbizotërohet, në masë të madhe, nga grindjet, ngatërresat, fyerjet dhe shpifjet e të gjitha llojeve, nga injoranca dhe arrogance që shkojnë shumë mirë së bashku, nga politikanët që synimin e parë të vetin, me të gdhirë të ditës e kanë si të dalin para kamerave televizive për të komentuar diçka, rëndom, pa pasur as informatën themelore se për çka bëhet fjalë në të vërtetë. Natyrisht, shumica e këtyre prononcimeve veçohet me një dalldi të re pseudopatriotike në politikën kosovare, e cila, siç mund të parashikohet lehtë, do të ketë inflacion dy-tre shifror sa më shumë që të devalvohet politika e Kosovës.
Si politikë kosovare kemi mbërritur në stadin kur kështu nuk mund të ecim më, nëse duam që shteti i Kosovës të ecë para.
Në përgjithësi, kjo është një politikë që nuk merr vesh dot që periudha e ankesave dhe parashtresave ka kaluar një herë e përgjithmonë, që tani jemi vetë ne përgjegjës për shtetin e Kosovës dhe fatin e tij, që duhet të ndryshojmë shumë përbrenda nesh si politikë, ashtu që të krijojmë një cilësi të munguar aktualisht në politikën e Kosovës, me qëllim që pas një periudhe kohore, të ndodhë zëvendësimi i natyrshëm i brezit politik që lidhet me çlirimin dhe pavarësimi e Kosovës, me gjeneratën që është krijuar prej vitit 1999 e këndej.
Po aktualisht jemi duke folur për të gjitha këto çështje. Dhe sillemi thuajse gjithë koha dhe durimi i Botës është këndejpari, në Kosovë.
© Panorama.al












