TIRANË- Duke vlerësuar procesin e demokratizimit të Shqipërisë, jo të lehtë, ambasadori i SHBA-së, në vendin tonë, Aleksandër Arvizu ka bërë apel se në këtë rrugë nuk duhet më të përdoret e shkuara si justifikim për dështimet. Deklarata është bërë sot gjatë konferencës ndërkombëtare, “Demokratizimi i mëtejshëm i rajonit si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor
“E shkuara mund të ndikojë në disa prej sfidave që Shqipërisë i duhet të kapërcejë për të paraqitur një kulturë më demokratike, por e shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike dhe në ecjen e saj përpara”- tha Arvizu.
Sipas tij, demokratizmi nuk është thjesht një kriter për integrimin rajonal. Ai e ka vlerësuar atë si një proces që vendos kornizën që populli shqiptar të punojë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare. “Demokratizimi nuk është proces i lehtë, veçanërisht për një vend që ka qenë në një sistem autokratik për disa breza, sepse kërkon durim, bashkëpunim dhe gatishmëri për të vendosur të ardhmen e përbashkët të vendit përpara ambicieve personale”, tha ambasadori.
Ai ka inkurajuar vendin për plotësimin e gjithë reformave të kërkuara në kuadër të integrimit, duke garantuar mbështetjen e plotë dhe partneritetin e SHBA-së në këtë rrugë.
© Panorama.al











