DELVINE – Babai me dy djemtë marrin peng dhe keqtrajtojnë një 22-vjeçar për 30 mijë lekë. Policia e Delvinës bëri të ditur ngjarjen, duke theksuar se heqja e paligjshme e lirisë së të riut ka zgjatur 10 orë. Si autorë të pengmarrjes janë ndaluar tre anëtarë të familjes Nano, nga fshati Palavli e Delvinës. Sipas Policisë, Mersin Nano dhe dy djemtë e tij Rafat dhe B. Nano, përkatësisht 50, 22 dhe 16 vjeç janë kapur nga blutë e Delvinës, të akuzuar si autorë të veprës penale “heqja e paligjshme e lirisë së tjetrit”. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve ka nisur pasi në datën 14 maj, rreth orës 21:00 të mbrëmjes, këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë marrë peng shtetasin E.M. 22 vjeç, banor i fshatit Koshnicë i rrethit të Devollit. Të tre personat e familjes Nano, sqarojnë më tej burimet policore, kanë shkuar në vendin e punës së 22-vjeçarit në një lavazho që ndodhet në fshatin Stjar të Delvinës, (në të njëjtin vend ku punonin dhe babai me dy djemtë), duke marrë me forcë të riun. Më pas e kanë çuar në shtëpinë e tyre në fshat, ku dhe e kanë rrahur. Nga hetimet paraprake mësohet se në vendin e punës në lavazho në Stjar, ku punonin si E.M, edhe babai e dy djemtë nga familja Nano, kishin humbur 30 mijë lekë të reja, për të cilat ende nuk dihet se kush i ka marrë, ndërkohë që akuzoheshin prej njëri-tjetrit të dyja palët. Pas lënies së lirë prej tyre, i riu ka lajmëruar policinë, duke denoncuar autorët. Policia ka bërë të mundur ndalimin e 50-vjeçarit Mersin Nano, 22-vjeçarit Rafat Nano dhe 16-vjeçarin B.Nano. Ndërsa e gjithë kjo ngjarje ka pasur si qëllim paratë e zhdukura, shuma prej 30 mijë lekësh nuk është gjetur ende. sh.d











