Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi përmes një postimi në platformën “X” se delegacioni ukrainas po kthehet në Kiev nga Gjeneva, pas përfundimit të bisedimeve me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara.
Ai theksoi se pret një “informim të plotë” për ecurinë e negociatave deri në mbrëmje.
“Bazuar në këto raporte, do të përcaktojmë hapat e ardhshëm dhe afatet kohore. Do të vazhdojmë koordinimin me Evropën dhe partnerë të tjerë në mbarë botën. Llogarisim në arritjen e rezultateve të nevojshme dhe falënderoj të gjithë ata që e mbështesin Ukrainën,” tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, me të cilin diskutuan situatën diplomatike.
“Jam mirënjohës për këshillat dhe mbështetjen, Norvegjia, si gjithmonë, ndihmon,” theksoi ai.
I had a call with the Prime Minister of Norway, @jonasgahrstore. We discussed the diplomatic situation and bilateral cooperation. I am grateful for the advice and support – Norway, as always, is helping.
I briefed the Prime Minister on the initial results of the advisers’ work…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) November 24, 2025
Ndërkohë, sot ka reaguar edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili tha se duhet bërë më shumë punë për të arritur një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, megjithëse është shënuar progres.
Starmer tha se grupi i vendeve që mbështesin Ukrainën, i njohur si “koalicioni i të gatshmëve”, do të diskutojë nesër (të martën), gjatë një takimi nëpërmjet videokonferencës, për ecurinë e deritanishme.
“Të gjithë janë plotësisht të fokusuar në atë që na nevojitet për të dalë nga kjo situatë, dhe ajo është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme,” u shpreh Starmer para mediave.
Ai shtoi se çështjet që lidhen me Ukrainën duhet të përcaktohen nga vetë Ukraina.
“Prandaj, ka progres, po, por duhet bërë më shumë punë,” tha Starmer.
© Panorama.al












