Del udhëzimi i Financave, si do deklarohen të ardhurat

May 18, 2011 | 9:34

Të ardhurat e çdo qytetari tashmë do të jenë lehtësisht të verifikueshme dhe për paratë për të cilat nuk është paguar asnjë tatim, do të aplikohet një i tillë.Deklarimi individual i të ardhurave do të bëhet sipas formularëve të miratuar nga Ministria e Financave dhe kjo vjen në një kohë me amnistinë fiskale, e cila synon një formalizim total të ekonomisë.
Deklarimi
Në Fletoren Zyrtare janë botuar edhe llojet e formularëve që do të përfshihen në procesin e deklarimit, duke filluar nga formulari i pagesës së tatimit mbi të ardhurat individuale, deklarata individuale vjetore e të ardhurave për individët e huaj, deklarata individuale vjetore e të ardhurave. Procesi i deklarimit në vendin tonë do të zbatohet për herë të parë sipas afateve të paracaktuara me ligj. Sipas këtij të fundit, detyrimi i deklarimit të parë bëhet brenda datës 30 prill, që pason periudhën tatimore për të cilin bëhet deklarimi. “Detyrimi i parë i deklarimit bëhet brenda datës 30 prill për vitin fiskal 2011”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave. Deklarata duhet të dorëzohet pranë drejtorive tatimore rajonale.
Kush do të deklarojë?
Deklarimi i të ardhurave do të bëhet nga të gjithë qytetarët që janë në marrëdhënie pune apo kanë të ardhura nga burime të tjera. Këtu nuk përjashtohen as të huajt që realizojnë të ardhura në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë që pjesë e këtij deklarimi do të jenë edhe emigrantët. “Të vetëpunësuarit rezidentë, vendas ose të huaj, të cilët realizojnë të ardhura nga veprimtaria e biznesit të vogël, krahas deklaratës për biznesin e ushtruar e cila duhet dorëzuar deri në datën 31 mars të vitit pasardhës, duhet të plotësojnë për pjesën e fitimit pas tatimit (të  përfituar në formën e të ardhurave personale) edhe deklaratën  individuale vjetore të të ardhurave, sikurse dhe individët e tjerë, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi”, sanksionon udhëzimi i Ministrisë. Deklarata mund të plotësohet edhe nga persona që nuk kanë detyrim ligjor për ta plotësuar atë, por që duan të përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme.
Shpenzimet e zbritshme
Qeveria, kur miratoi deklaratën personale të të ardhurave, përcaktoi edhe kategorinë e detyrimeve që do të njiheshin si shpenzime të zbritshme për qytetarë. Kështu, në këtë kategori përfshihen shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe kontributet vullnetare të pensioneve, shumat e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, shpenzimeve të zbritshme  për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari. Me një vendim të dytë, qeveria ka përcaktuar se maksimumi i shpenzimeve të zbritshme për pjesën e mjekimit është 8 mijë e 532 lekë, ndërkohë që për një familje shpenzimet nuk duhet të kalojnë vlerën 32 mijë lekë gjithsej. Në fund të vitit, nëse rezulton që qytetari ka paguar më shumë taksa, sesa rezulton detyrimi i tij nga deklarimi, atij i kthehet diferenca nga Tatimet.

Shembulli i Financave për deklarimin

Një familje është e përbërë nga kryefamiljari, bashkëshortja dhe 3 fëmijët. Kryefamiljari ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej për 700 000 lekë, bashkëshortja ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej për 600 000 lekë, ndërsa  fëmijët nuk kanë të ardhura individuale. Në zbatim të ligjit, detyrimin për dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të  ardhurave e ka kryefamiljari dhe gruaja në deklarata të veçanta, sipas modelit të miratuar, duke plotësuar rubrikat respektive të  deklaratës individuale vjetore të të ardhurave. Meqenëse, kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore 700 000 lekë (pra më pak se kufiri 800 000 lekë), ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme. Për fëmijët, meqenëse nuk kanë realizuar të ardhura (sipas shembullit),ata duhet të deklarohen në deklaratën e kryefamiljarit dhe atë të gruas, duke plotësuar kutitë përkatëse në rubrikën 17, “Persona në kujdestari të deklaruesit” të seksionit A të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave me të njëjtën numër 3 (tre). Nëse kryefamiljari realizon të ardhura vjetore mbi kufirin 800 000 lekë, ai nuk do të përfitonte nga shpenzimet e zbritshme të përcaktuara në ligj. Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi jokryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, janë 8 532 lekë. Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, janë 8 532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32 000 lekë.

Burimi

Do të deklarohen të gjitha të ardhurat individuale që kanë si burim pagën nga puna, fitimin, nëse zotërohet një biznes i vogël, të ardhura nga dividenti si pjesëmarrës në një shoqëri, të ardhura bruto nga qiraja dhe shitja e pasurisë së paluajtshme, të ardhurat nga interesat bankare, fitim neto nga investimi në tituj apo pasuri e paluajtshme, për shumat e fituara në lotari apo lojëra të tjera fati, të ardhura nga pasuria intelektuale, licenca, për fitim kapital nga dhurimi, të ardhura të realizuara jashtë vendit apo çdo lloj burimi tjetër të ardhurash.

© Panorama.al

Te lidhura