Droga e Lazaratit gjen korridor sërish për të dalë nga fshati i ashtuquajtur “rebel”, por sekuestrohet nga policia në tentativë për ta trafikuar drejt kufirit të gjelbër. Policia e Gjirokastrës organizoi një operacion, në përfundim të të cilit bllokoi 50 kilogramë marijuanë. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, blutë ishin vënë në dijeni se në afërsi të fshatit Glinë, në pjesën juglindore të Gjirokastrës, dy persona po trafikonin drogë. Ata po e transportonin në krah mallin narkotik, në brendësi të dy çantave, në drejtim të kufirit të gjelbër. Policia u vu në ndjekje të trafikantëve të dyshuar dhe, pas rreth 30 minutave, arritën në destinacion duke mposhtur kushtet e vështira atmosferike me kohë të keqe, me shi dhe me mjegull. Sapo blutë janë afruar buzë lumit Drino, aty ku gjendeshin personat me drogë, këta të fundit u detyruan të braktisnin çantat dhe u larguan në errësirë drejt një pylli të afërt. Policia u vu në ndjekje të tyre duke i sinjalizuar t’u bindeshin thirrjeve të tyre për të ndaluar. Por dy trafikantët e lëndës narkotike kanë refuzuar të ndalojnë duke vazhduar rrugën. Ata kanë arritur të kapërcejnë rrjedhën e Drinos e më pas u larguan pa lanë asnjë gjurmë. Operacioni i ndjekjes së dy trafikantëve ka vijuar deri në mesditën e së mërkurës, ku u kap njëri prej tyre në afërsi të fshatit Sofratikë, jo më larg se 2 km nga vendi i ngjarjes. Burime të Policisë bënë të ditur se ai është banor i Lazaratit, por për arsye hetimi emri i tij nuk është bërë i ditur. Ndërkohë që lazaratasi është marrë në pyetje nga grupi i hetimit, bashkëpunëtori i tij, edhe ky nga i njëjti fshat, është shpallur në kërkim. Mësohet se droga është blerë dy ditë më parë në Lazarat dhe destinacioni i saj ishte për në tregun grek. Ndonëse Policia kufitare e Gjirokastrës në shumë raste ka bllokuar sasi të konsiderueshme droge, dje sërish në Greqi ka kaluar lëndë narkotike, duke mos u diktuar nga kufitarët. Sipas informacioneve të Policisë së Janinës, rreth 15 kg marijuanë është kapur në 15 kilometra thellësi brenda territorit grek. Lënda transportohej me një automjet, brenda të cilit kishte dy 36- vjeçarë nga Shqipëria. Ata kishin hyrë nga Kakavija, ndërkohë që marijuana pasi kishte kaluar nga vija e gjelbër e kufirit, u vendos në autoveturën e tyre nga një shtetas shqiptar, i cili u kthye sërish në Shqipëri, sapo kreu “detyrën”. Policia greke pasi kishte vëzhguar lëvizjet e shqiptarëve, iu “vu nga pas” dhe ndaloi vetëm shoferin e mjetit, ndërsa tjetri arriti të largohej.
DROGA QË SYNOI GREQINË NË NJË MUAJ
22 tetor 2011 Kapet 105 kg marijuanë nga Policia greke në afërsi të Kakavijës. Droga që vinte nga Lazarati po trafikohej nga Alket Rami, 29 vjeç
30 tetor 2011 Del nga Lazarati 147 kg marijuanë. Droga u kap në një autoveturë “Fiat Punto” me drejtim për Greqi, arrestohet autori
1 nëntor 2011 Policia e Sarandës kapi në hyrje të qytetit 127 kg kanabis. Droga vinte nga Gjirokastra me destinacion Greqinë
15 nëntor 2011 Rreth 104 kg marijuanë u bllokuan në tentativë për t’u futur në Greqi. Poseduesi i lëndës ishte një 26-vjeçar shqiptar
18 nëntor 2011 “Luftë” në kufirin shqiptaro-grek për trafikimin e 338 kg hashash. Policia zbuloi çantat midis Konispolit e Igumenicës, por u gjend përballë breshërisë së trafikantëve
23 nëntor 2011 Kapen në afërsi të Nepravishtës 120 kg drogë nga Lazarati në tentativë për të kaluar për Greqi. Trafikantët në kërkim
24 nëntor Sekuestrohen në Artë 241 kg hashash. Droga vinte nga Shqipëria me destinacion Irlandën dhe u prangos këngëtari e aktori greko-italian
27 nëntor 2011 Policia greke bllokon 30 kg marijuanë nga Lazarati. Arrestohet një 36-vjeçar nga Fieri. Një polic grek i infiltruar
28 nëntor 2011 Zbulohen 75 kg marijuanë nga Lazarati me destinacion Greqinë. Policia shpalli në kërkim 4 persona nga Lazarati 29 nëntor 2011 Kapet nga Policia e Gjirokastrës 98 kg marijuanë, në zonën kufitare të Përmetit. Në pranga ra një 26-vjeçar V.A., mësues
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al












