Deklarimi i të ardhurave, Opozita: Shtyjeni në 2014

Feb 1, 2012 | 12:43

Komisioni i Ekonomisë

Debatet në Komisionin e Ekonomisë, PD: Tatimet kanë kapacitete

Rushaj: Fëmijët, në deklaratën e atyre që rimbursohen

Opozita dhe maxhoranca kanë ndarë edhe dje vlerësime të ndryshme lidhur me propozimet në projektligjin “Për të ardhurat”, që u diskutua në Komisionin e Ekonomisë. Të majtët nuk mbajtën qëndrim kundër dhe vendosën të abstenonin me votë, por gjatë diskutimit shprehën dyshime të forta mbi aftësinë që do të ketë administrata tatimore për të zbatuar këtë ligj. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, u shpreh se zbatimi i ligjit duhet të shtyhet më shumë se 30 shtatori. Nëse më herët afati për dorëzimin e formularit të deklarimit të të ardhurave duhet të dorëzohej deri në fund të prillit, tashmë me ndryshimet e bëra propozojnë fundin e shtatorit si afatin e dorëzimit të formularit. “Meraku i opozitës është që ky ligj dhe numri i madh i deklarimeve do të bëjë që sistemi të konfuzohet. Ne përsëri propozojmë shtyrjen deri ditën që administrata do të jetë gati, deri ditën që Ministria e Financave do të vijë të thotë që po, e kemi sistemin, e kemi teknologjinë, e kemi soft-in dhe e kemi testuar. Ne e mbështesim ligjin, por kemi propozim për shtyrje deri në 2014-2015-n, hajde ta vendosim bashkë”, u shpreh Ahmetaj. Por, krejt i kundërt ka qenë qëndrimi i maxhorancës. Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, jo vetëm që nuk ra dakord me propozimin e opozitës, por u shpreh se nuk ishte dakord me shtyrjen që propozoi Ministria e Financave dhe se prilli ishte afati i duhur, por që gjithsesi, në tërësi, ndryshimet ishin të nevojshme. Një tjetër deputet i maxhorancës që mbrojti ndryshimet në projektligjin “Për të ardhurat”, ishte edhe Sybi Hida. Ai u shpreh se nuk ka arsye për të dyshuar për kapacitetet e administratës tatimore, pasi ajo është testuar një herë në zbatimin e një reforme të rëndësishme, siç ishte ajo e përgjysmimit të barrës fiskale. “Mendoj që është i njëjti merak që ka qenë para disa vitesh, kur u ul ndjeshëm niveli i taksave, ku opozita tha që me këtë nivel të taksave do të ulen të ardhurat, nuk do të kemi mundësi të financojmë shpenzimet publike. Por, e vërteta rezultoi e kundërta, patëm një rritje të të ardhurave, ulje të evazionit fiskal dhe një përmirësim të bazës së taksueshme. Meraku është i zgjidhur, pasi kjo administratë është provuar njëherë që është e aftë të dijë të menaxhojë sistemin e taksave”, tha Hida. Nga opozita pati edhe propozime të tjera për të zgjeruar hapësirën e shpenzimeve të zbritshme të përfshira dhe të njohura në ligj, kurse nga deputeti Sherefedin Shehu u kërkuan sqarime mbi mënyrën se si do të procedohet dhe nëse deklarimi do të jetë individual apo familjar. “Nëse në një familje janë dy individë që kanë të ardhura mbi pragun e caktuar, atëherë ata plotësojë secili deklaratë. Gjithsesi, jemi munduar të marrim parasysh dhe rastin kur një individ ka të ardhura mbi pragun dhe tjetri të ardhura nën pragun, dhe natyrisht që familja ka dhe fëmijë që nuk janë subjekt për deklarim. Këta fëmijë, themi kanë nevojë për shpenzime mjekësore. Në këtë moment kemi përcaktuar në ligj, që ai prind që përfiton nga shpenzimet mjekësore, ai prind deklaron dhe fut në deklaratë individuale dhe fëmijët”, sqaroi Rushaj.

Pragu
Pragu për deklarimin e të ardhurave është rritur me 10 herë nga Ministria e Financave. Nëse më herët ishin të detyruar të deklaronin të gjithë ata persona që kishin të ardhura 200 mijë lekë, me ndryshimet e bëra ky prag shkon tashmë në 2 milionë lekë.

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Arben Ahmetaj:
A ka sot sistem informatik që do të përballojë fluksin e madh të deklarimeve dhe brenda kësaj pyetjeje, a është në konformitet me këtë sistem dhe me deklarimet e tjera numri personal i identifikimit të tatimpaguesit?
Alfred Rushaj: Aktualisht Drejtoria e Tatimeve disponon një program. Ka programin e vet kompjuterik, i cili përpunon të gjitha deklaratat e tatimpaguesve që kanë detyrim për të dorëzuar këtë lloj deklarate. Numri i identifikimit personal është në bazë të sistemit që do të përdoret pikërisht për të proceduar deklaratën individuale të të ardhurave. Por edhe te formulari i deklarimit, që është i disponueshëm sot për t’u plotësuar. Pra numri i identifikimit personal është që ai identifikon tatimpaguesin për këtë efekt.
Albert Çaçi: Lidhur me taksimin e jorezidentëve, ne kemi marrëveshje të mostaksimit të dyfishtë me shtetet përkatëse. Tani ky ligj ka ndonjë problem në lidhje me këtë?
Alfred Rushaj: Kjo është një marrëveshje standarde e OECD-së, kështu që me çdo vend që kemi marrëveshje, kjo gjë është e zgjidhur. Me ata që s’kemi marrëveshje, ligji parashikon që ata duhet të paguajnë tatime.
Ervin Koçi: Ligji ka shumë pak elemente sociale, pra shpenzimet e zbritshme janë tri lloje, të cilat janë shumë pak dhe nuk kapin pjesën më të madhe të shtresave në nevojë. Pse nuk janë marrë parasysh më shumë shpenzime të zbritshme?
Alfred Rushaj: Sa u përket shpenzimeve të njohura, kur është harruar ky ligj ne kemi marrë në konsideratë shumë përvoja. Është parë sistemi austriak, kanadez, amerikan, kosovar, maqedonas dhe është ndërtuar një projekt që është në përputhje dhe me karakteristikat e legjislacionit tonë. Në ligjin tonë janë trajtuar shpenzime të zbritshme që kapin një buxhet të rëndësishëm për familjet shqiptare që nuk kanë të ardhura të mesme apo të larta. Siç e thashë, janë shpenzime mjekësore që individi kryhen për vete dhe për familjen, dhe që janë në masën 320 mijë lekë në vit. Pra llogarisni që janë thuajse një rrogë tjetër shtesë për një familje që është mbi atë çka skema e sigurimeve mbulon. Ky ligj mban në konsideratë dhe objektivat socialë që duhet të mbajë.
Sherefedin Shehu: Më tepër një sqarim për mënyrën se si trajtohet deklarimi që bën individi. Është personal apo familjar?
Alfred Rushaj: Sa i përket trajtimit individual apo familjar, që individi që ka një të ardhur të caktuar duhet të deklarojë në deklaratën e tij. Nëse në një familje janë dy individë që kanë të ardhura mbi pragun e caktuar, atëherë ata plotësojnë secili deklaratën e tij. Gjithsesi, jemi munduar të marrim parasysh dhe rastin kur një individ ka të ardhura mbi pragun dhe tjetri të ardhura nën pragun. Natyrisht që familja ka dhe fëmijë që nuk janë subjekt për deklarim dhe këta fëmijë themi kanë nevojë për shpenzime mjekësore. Në këtë moment kemi vendosur që ai prind që përfiton nga shpenzimet mjekësore, ai deklaron dhe fut në deklaratën individuale dhe fëmijët.
Arben Ahmetaj: Më duhet t’i bëj një pyetje retorike Ministrisë së Financave. Vallë nuk e kuptoni se deri ku mund të shkojë kapaciteti zbatues i administratës? Ju e dini shumë mirë që ky projektligj do të bëhet i pamundur në zbatimin në praktikë. Meraku i opozitës është që ky ligj dhe numri i madh i deklarimeve do të bëjë që sistemi të konfuzohet. Ne përsëri propozojmë shtyrjen deri ditën që administrata do të jetë gati. Deri ditën që Ministria e Financave do të vijë të thotë që po, e kemi sistemin, e kemi teknologjinë, e kemi soft-in, e kemi testuar. Ne e mbështesim ligjin dhe kemi propozim për shtyrje deri në 2014-2015-n, hajde ta vendosim bashkë.
Sybi Hida: Mendoj që është i njëjti merak që ka qenë para disa vitesh, kur u ul ndjeshëm niveli i taksave, ku opozita tha që me këtë nivel të taksave do të ulen të ardhurat, nuk do të kemi mundësi të financojmë shpenzimet publike, por e vërteta rezultoi e kundërta, patëm një rritje të të ardhurave, ulje të evazionit fiskal, patëm një përmirësim të bazës së taksueshme. Meraku është i zgjidhur, se kjo administratë është provuar njëherë që është e aftë të dijë ta menaxhojë sistemin e taksave.

Projekti 2 milionë euro i BE
Kodi i ri doganor, Bode: Kursen kohën e biznesit
Projekti që synonte modernizmin e sistemit doganor shqiptar ka shënuar dje edhe ditën e tij të mbylljes në një aktivitet ku morën pjesë ministri i Financave, Ridvan Bode, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, drejtori i DPD, Flamur Gjymishka e të ftuar të tjerë. Ky projekt, me vlerë 2 milionë euro, synonte përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si dhe implementimin e strategjisë kombëtare të menaxhimit të kufijve, duke përfshirë këtu teknologjinë e inflacionit. Ministri Ridvan Bode, gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, vlerësoi punën që është bërë për harmonizimin e Kodit Doganor shqiptar me legjislacionin e BE-së. “Kodi i ri Doganor përbën një gur themeli për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së”, u shpreh Bode. Nga ana tjetër, ai vlerësoi se Kodi i ri Doganor ka si qëllim bazë lehtësimin e biznesit dhe garantimin e një niveli të sigurisë e mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërkesave dhe sfidave me të cilat përballet vendi ynë në kuadër të anëtarësimit në BE. Vlerësime pozitive mbi ecurinë e projektit, që u asistua nga austriakët, u dhanë edhe nga ekspertët dhe të ftuarit e tjerë në këtë aktivitet.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura