Deklarata raciste e ministers serbe, Partia Demokratike kërkon shpalljen non grata të Paunoviç dhe paditjen për nxitje të genocidit

Jul 14, 2026 | 16:07

Partia Demokratike ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, duke e cilësuar atë raciste dhe antishqiptare.

snezhana paunoviq

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, tha se deklarata e ministres, ku ajo shprehet se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, përbën një nxitje të hapur të urrejtjes dhe glorifikim të gjenocidit.

Sipas Partisë Demokratike, me këtë deklaratë Paunoviç shpreh keqardhje që regjimi i Millosheviçit nuk arriti të dëbonte shqiptarët nga Kosova gjatë luftës.

PD akuzon gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për mungesë reagimi ndaj, siç e cilëson, një deklarate çnjerëzore që bie ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut.

Në përfundim të reagimit, Partia Demokratike kërkon që Snezhana Paunoviç të shpallet “non grata” në Shqipëri dhe të paditet për nxitje të gjenocidit, duke i cilësuar këto si masat e vetme që meriton.

Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike,Floriana Garo

Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.

Në këtë deklaratë, ajo shprehet: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.”

Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi” dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t’i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëravjeçare.

Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton.

© Panorama.al

Te lidhura