Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me deklaratën e kreu të PD-së, Sali Berisha, i cili tha në Kuvend se ambasadori i BE-së po “imponon bindjet e tij personale” në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.
Lidhur me debatin që u krijua pas deklaratës së Berishës, Komisioni Evropian thekson se “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së:.
“Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë”, nënvizon Komisioni Evropian.
Reagimi i plotë
Përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë.
Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE.
Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”.
Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.
Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj.
Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE.
Çfarë deklaroi Berisha në Kuvend për Gonzaton?
Sali Berisha: Ekspertë të shquar, kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë.
Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit.
Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes.
Pas deklaratave të Berishës, Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, përmes në postimi në”X”, Kos tha se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë thelbësore e legjislacionit europian.
Ajo tha se këto parime nuk janë kërkesa personale të Gonzatos dhe se çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE.
Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan ajo.
© Panorama.al











