Deformimi i historisë shqiptare, reagon PDIU

Nov 22, 2011 | 16:23

TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nëpërmjet një deklarate për shtyp ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e shoqatave arsimtare shqiptare në Maqedoni për deformimin e historisë së kombit shqiptar.

Në deklaratën e saj thuhet se “PDIU vlerëson se shtetet multietnike si Maqedonia duhet të respektojnë në tërësi historinë e kombeve përbërëse të tyre. Historia e kombit shqiptar është një histori mijëravjeçare e lavdishme dhe nuk mund të përçudnohet nga asnjë komb i ri i gadishullit ballkanik.”

Sipas PDIU-së, sot, në 103 vjetorin e vendosjes përfundimtare të alfabetit shqip, nuk ka më vend fryma ballkanike bizantino-osmane.

Sot, të gjithë kombet e gadishullit tonë duhet të pranojnë që të tregojnë të vërtetën historike pa ngjyrime politike a shoviniste. Kombi shqiptar nuk ka frikë nga e vërteta, thuhet më tej në deklaratën e PDIU-së.

Duke vlerësuar se për Maqedoninë nevoja e një harmonie ndëretnike është ekzistencial,
PDIU vlerëson e se  shteti shqiptar, në bashkëpunim me të gjitha shtetet e tjera ballkanike duhet të krijojnë hapësirat e nevojshme në mënyrë që historia të mësohet ashtu siç është, në bazë të fakteve, dhe jo në bazë të emocioneve.

© Panorama.al

Te lidhura