
KUKES – Prej dy ditësh galeritë e tunelit të Kalimashit nuk ndriçohen vetëm në gjysmën e tyre nga porta veriore, nga pjesa që vjen nga Kukësi. Dy gjysmat e tjera, nga mesi deri në daljen në portën jugore, në Thirrë, në një gjatësi prej 2.7 km secila, janë në errësirë të plotë, jo vetëm gjatë natës, por edhe gjatë ditës, sepse drita nuk depërton më shumë se 50 metra në thellësi të hyrjes. Sipas specialistëve që mirëmbajnë rrjetin elektrik, dje ka ndodhur një defekt në rrjetin energjetik që furnizon këtë pjesë të tunelit, e cila e merr energjinë nga kabinat hyrëse në Thirrë. Deri tani nuk ka pasur ndonjë incident me udhëtarët dhe qarkullimi nuk është ndërprerë për asnjë moment, pasi ndriçimin e bëjnë vetë automjetet përgjatë kalimit në tunel. Punonjësit e rrjetit mirëmbajtës po punojnë për riparimin e defektit, ndërkohë që me kalimin e kohës mund të shndërrohet në shqetësim mosfunksionimi i ventilatorëve të fuqishëm që qarkullojnë e pastrojnë ajrin nga gazrat e çliruar gjatë qarkullimit të automjeteve. Pritet që vetëm sot, me mbërritjen e specialistëve turq, të riparohet dhe defekti, i cili mendohet të jetë shkaktuar nga djegia e një stabilizatori dhe një kablloje. j.h











