Defektet në zemër, 10 fëmijë në vit në Itali

Jun 16, 2012 | 13:51

Dje gjatë konferencës për shtyp

Zv.ministri i Shëndetësisë firmos marrëveshjen me spitalin më të madh pediatrik për problemet kardiake.

Spahia: Shqipëria, për herë të parë Qendër Hemodinamike.

Do të kenë mundësi të trajtohen në një nga qendrat e ekselencës në fushën pediatrike në Itali. Janë 10 fëmijë çdo vit, të cilëve do t’u ofrohet asistencë e specializuar mjekësore. Po kështu në vendin tonë, për herë të parë do të ngrihet një Qendër Hemodinamike, e cila do të mundësojë riparimin e defekteve në zemër. Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, negociator i marrëveshjes së firmosur pak ditë më parë me institutin “Giannina Gaslini”, dha dje gjatë një konference për shtyp lajmin e mirë për pacientët e vegjël.
Në Shqipëri evidentohen çdo vit 320 fëmijë me defekte të lindura në zemër, 250 të tjerë vijnë nga Kosova. “Do ta konsideroja një nga marrëveshjet më të rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë ka lidhur me një institucion të huaj.
Bëhet fjalë për një nga qendrat e ekselencës për sa u takon patologjive të ndryshme dhe në veçanti atyre kardiake. Kjo është pjesë integrale e një suporti të madh, që qeveria shqiptare u ka dhënë nismave të tilla dhe shërbimeve të veçanta, si kardiologjia dhe kardiokirurgjia në rastin konkret”, tha zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia.
Sipas tij, mjafton të përmenden ndryshimet sa u takon financimeve nga 300 milionë vitin e kaluar, në 800 milionë këtë vit, të cilat dëshmojnë për vëmendjen që po i kushtohet sektorit shëndetësor. “Një rritje që do vazhdojë të shkojë në mënyrë progresive, 120 milionë është fondi i akorduar vetëm për aparatura. Pjesë e rëndësishme e këtyre ndryshimeve këtë vit do të jetë dhe ngritja e Qendrës së parë Hemodinamike shqiptare, pjesë e marrëveshjes më të fundit të nënshkruar me institutin ‘Gaslini’”, tha Spahia. Marrëveshja që pritet t’iu japë zgjidhje urgjencave kardiake të rënda në moshat pediatrike, të pakurueshme deri tani në spitalet tona, është e përqendruar në tri pika kryesore. Falë saj, do të ofrohet asistencë klinike ku përfshihet jo vetëm numri prej 10 fëmijësh shqiptarë që do të trajtohen çdo vit, por dhe një ulje e tarifave spitalore në masën 30 për qind, për të gjitha rastet e tjera të pacientëve shqiptarë që do të trajtohen pranë këtij spitali dhe në rrugë jo zyrtare. Kjo marrëveshje mundëson gjithashtu trajnimin e stafeve mjekësore shqiptare në një gamë specialitetesh pediatrike. Një pikë tjetër është mbështetja në fusha të ndryshme. Në këtë pikë, mes zv.ministrit Bardh Spahia dhe autoriteteve të larta drejtuese të Institutit është diskutuar mbi asistencën që pala italiane pritet të japë në ngritjen e të parës Qendër të Hemodinamikës pediatrike në vend (korrigjim defektesh kardiake, pa operacion). Ngritja e kësaj qendre në Tiranë do të zgjidhte shumë probleme kardiake në moshat e vogla, në ato raste kur është e mundur, pa qenë nevoja e aplikimit të kirurgjisë tradicionale. “Kjo marrëveshje do të na ndihmonte shumë në ngritjen e Qendrës së Hemodinamikës, duke shkuar në një linjë dhe me një udhëzim që ka dhënë Kryeministri për ngritjen në Tiranë të një qendre rajonale për trajtimin e kardiopative të lindura”, tha Spahia.

Rastet
Deri tani, të gjithë fëmijët që kanë pasur nevojë për kateterizëm kanë shkuar jashtë. “Por me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe realizimin e Qendrës së Hemodinamikës Pediatrike, ky problem pritet të gjejë zgjidhje duke bërë të mundur dhe shërimin e shumë pacientëve pa operacion”, tha kardiokirurgu pediatër, Altin Veshti.

Gaslini, instituti elitar që sjell hemodinamikën

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes nga zv.ministri i Shëndetësisë Bardh Spahia me drejtuesit e institutit “Gaslini”

Futja e hemodinamikës pediatrike cilësohet një hap pozitiv shumë i domosdoshëm me efekte të mëdha pozitive mjekësore në radhë të parë, sociale sa u takon familjarëve dhe ekonomike sa i takon buxhetit të spitaleve, pasi është një nga ndërhyrjet me më pak ditë shtrimi në spital. “Deri tani nuk kemi pasur asnjë marrëveshje teknike me asnjë spital rajonal për trajtimin e patologjive të rënda kardiake të patrajtuara në Shqipëri, në mënyrë që të arrinim në 100 për qind të kurimit të pacientëve, ndaj ky për ne si kardiokirurgë është një lajm i mirë. Gaslini është një nga qendrat europiane për kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë pediatrike”, tha zv.ministri Spahia.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura