
DURRES – Fluksit të emigrantëve që vijnë në atdhe për festat e fundvitit dhe motit të keq u janë shtuar dje dhe defektet në sistemin TIMS të Portit të Durrësit dhe aeroportit të Rinasit. Dje në portin më të madh të vendit janë vërejtur radhë të gjata, të cilat janë pasuar me shumë vonesa gjatë procesit të përpunimit të pasagjerëve. Shkak është bërë një avari në sistemin TIMS, ndërsa nga kapitaneria bëhet e ditur se tragetet kanë mbërritur me disa orë vonesë. Emigrantët të cilët janë kthyer në Shqipëri për festa kanë qëndruar për orë të tëra në port për shkak se është bllokuar sistemi i përpunimit të të dhënave. Ata kanë qenë të detyruar të qëndronin në port, pasi bllokimi i sistemit nuk ka lejuar që ata të bënin proceduarat. Sipas policisë kufitare, ditën e djeshme është regjistruar numri më i madh i udhëtarëve të cilët kanë hyrë në këtë periudhë të vitit. Nga të dhënat e marra pranë policisë kufitare, raportohet se vetëm gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare të portit të Durrësit kanë mbërritur rreth 4500 pasagjerë dhe rreth 1200 mjete. Gjatë ditës së djeshme janë vërejtur vonesa të trageteve me dy-tre orë. I pari që ka mbërritur në port ka qenë trageti “Rigel”, ndërsa është pasuar nga “Athens”, e më pas kanë mbërritur edhe pesë tragetet e tjerë të cilët operojnë në linjën Durrës-Bari, Durrës-Ankona dhe Durrës-Trieste. Burime nga kapitaneria bëjnë të ditur se për shkak të erës së fortë tragetet kanë pasur vështirësi në lundrim. Madje sipas tyre ka qenë kjo arsyeja që ka pasur vonesa për mbërritjen e tyre.. l.m











