Moti i keq që ka prekur vendin tonë gjatë ditëve të fundit ka sjellë bllokim të disa komunave në disa qytete të vendit, në Kukës, Dibër, Ersekë, Korçë apo në Shkodër dhe Vlorë.
Sipas raportimeve të fundit reshjet e dëborës që kanë prekur qarkun e Kukësit kanë sjellë bllokimin e disa komunave, ku më problematike gjendja paraqitet në komunat Shishtavec, Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod. Dëbora mësohet se i ka shkuar në 50 cm.
Në Korçë ka patur gjithashtu reshje të dendura dëborë duke bërë që rruga që lidh qytetin me fshatin Dardhë të ketë vështirësi në qarkullim. Po ashtu probleme ka patur edhe në Qafën e Llogarasë, ku situata tashmë duket më e përmirësuar.
Ngricat gjatë natës kanë bërë të pakalueshme disa akse rrugore, ku gjendje më e rënduar paraqitet në aksin Peshkopi-Librazhd, ku shoferët detyrimisht duhet të jenë të pajisur me zinxhirë. E njëjta situatë paraqitet edhe në Pukë.
© Panorama.al











