
Akuza dhe replika mes maxhorancës dhe opozitës për ngjarjet e 21 janarit
Braçe: Berisha urdhëroi vrasje se i shkuan te kangjellat
Maxhoranca dhe opozita kanë debatuar dje zhvillimet e fundit të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit, ku humbën jetën katër protestues. Gjatë diskutimit jashtë rendit të ditës, nënkryetari i Grupit të PS-së, Erjon Braçe, e akuzoi Kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, si urdhërues të vrasjeve më 21 janar. Braçe replikoi me kryetaren e Kuvendit duke thënë se më 21 janar nuk ka pasur asnjë tentativë për t’i marrë institucionet me forcë. “Nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tentative për të cenuar rendin kushtetues më 21 janar. Dhe provën e ke të qartë. Ke qenë në zyrën tënde e rrethuar me automatikë në dorë dhe nuk ka ardhur njeri të të trokasë në derë. Atij zotnisë tjetër, Kryeministrit të vendit, i erdhën njerëzit në bulevard, i vajtën deri te kangjellat dhe nuk tentuan asnjë sekondë zyrën e tij. Pikërisht se bënë këtë gjë, ai urdhëroi vrasjen e katër njerëzve. I gjithë zinxhiri urdhërues i Gardës së Republikës varet nga ministri i Brendshëm. Lulzim Basha ka qenë. Ja ku e ke ligjin, zonjë. Ky është ligji yt”, deklaroi Braçe.
Reagimi
Këto akuza kanë ngjallur reagimin e kryetares së Kuvendit, e cila deklaroi dje se Garda e Republikës ka zbatuar ligjin dhe ka mbrojtur institucionet kushtetuese. Topalli ka ironizuar dhe me letrën e kryesocialistit Edi Rama, që disa ditë më parë kërkoi nga Prokuroria të ishte pjesë e hetimit së bashku me Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Topalli këtë qëndrim të kryetarit të PS-së e ka shoqëruar me ironi duke e lidhur me refrenin e një kënge italiane të këngëtarit Ennzo Jannacci, që titullohet “Të vij dhe unë, jo ti jo!”. “Unë dhe ju këtë gjuhë e dimë, se ajo ishte e planifikuar, e organizuar për t’u realizuar me të gjitha mjetet në 5 orë rrethim. Natyrisht, planifikuesit dhe realizuesit do të përgjigjen. I pari e ka emrin Edi Rama. Nuk e kalon me letrën e tij që është si kënga “Vengo anch’io no tu no. Perche no?”, ironizoi Topalli qëndrimin e kryesocialistit Rama dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











