Nga mbledhja e djeshme e keshillit te rregullores, mandateve dhe imunitetit
Kërkesa e plotë e organit të akuzës për heqjen e imunitetit të Doshit, Ballës dhe Barajt: Pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
PS kërkon kohë për imunitetet
Topalli: Po zvarrisni, Ruçi: Të hetohen Berisha, Basha e Rama
Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit shqyrtoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e procedimit penal ndaj tre deputetëve, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj. Prokuroria ka regjistruar dy ditë më parë një procedim penal për veprën e “organizimit dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestimet të paligjshme”, më datën 21 janar të vitit të shkuar. Mbledhja e parë e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit është shoqëruar me debate të ashpra midis kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Opozita ka kërkuar më shumë kohë në dispozicion për të shqyrtuar dosjet voluminoze, që sipas Ruçit janë rreth 240 faqe për secilin deputet. Por, nga ana tjetër, kryeparlamentarja Topalli propozoi që ditën e mërkurë të thirren për seancë dëgjimore tre deputetët e PS-së dhe, më pas, në seancën e të enjtes, të procedohej me votimin e heqjes së imunitetit të tyre. Debatet
Mbledhja e djeshme është shoqëruar me tone të larta midis përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës. Gramoz Ruçi theksoi se Prokuroria duhet të kishte sjellë kërkesë për nisjen e hetimeve dhe për Kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, madje ai tha se duhej hetuar dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Ndërkaq, Topalli gjatë debatit theksoi se pjesë e hetimeve të Prokurorisë dhe heqjes së imunitetit duhet të ishte dhe vetë kryetari i Grupit të PS-së. “Me mua e keni provuar 20 vjet ju. S’jam struc unë. Unë e kam provuar në Shkodër që në 1991-shin dhe në 1992-shin e deri më sot. Jam gati unë, Sali Berisha dhe Edi Rama të hetohen dhe Lul Basha dhe i gjithë Grupi i PS-së. Kjo është drejtësia!”, theksoi Ruçi. Topalli theksoi se opozita kërkon të zvarrisë procesin e heqjes së imunitetit të deputetëve, edhe pse ka deklaruar se është për një hetim të pavarur dhe të gjithanshëm. “Në kemi kërkuar që akti i asaj dite të hetohej në mënyrë të paanshme dhe mbas një viti kemi një kërkesë për procedim penal të tre deputetëve. Unë uroj që deputetët të vijnë ta marrin dosjen, që të mos e zvarrisin këtë proces. Është një dosje që përfundohet brenda 1 ore dhe, pa gjumë mund të rrini zotërinj, se ia vlen. Unë kërkoj që të mos zvarrisim procesin dhe të mos shpikim pretekste”, tha Topalli. Gjatë replikave, kreu i Grupit të PS-së akuzoi maxhorancën si shkaktare të vrasjes së katër qytetarëve më 21 janar të vitit 2011. “Mos i paragjykoni deputete tanë. Ti ke atë merak që ke, se ke mizën në kësulë, se ke vrarë 4 vetë që je ti në pushtet. Dhe i ka vrarë komandanti yt, komandanti i Gardës dhe ke fshirë gjurmët e krimit”, iu drejtua Gramoz Ruçi kryetares së Kuvendit. Anëtari i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Gent Strazimiri, akuzoi të majtën si shkaktare kryesore të vrasjeve në demonstratën e dhunshme para Kryeministrisë. “Unë besoj se është i pavend irritimi i zotit Ruçi në këtë mbledhje, në qoftë se është një përpjekje për të na mbushur mendjen që i qenkan dhimbsur ata katër shqiptarë që i nxorën për t’i vrarë dhe nuk i nxorët për të protestuar si në çdo vend demokratik, por për të rrëzuar qeverinë me çdo mjet. Ky është reagim i vonuar, zoti Ruçi”, pohoi Strazimiri. Pas diskutimeve, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit vendosi që ditën e premte, në orën 10:00 të nisë shqyrtimin me dëgjimin e deputetëve Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj.
Debatet në Këshillin e Imunitetit
Gramoz Ruçi: Zonja kryetare, ju nuk duhet të bëni interpretime sapo fillon seanca, duke thënë u gjet fajtori, fajtorë janë deputetët socialistë, por fajtor janë ata që vranë ata që dëmtuan. Meqë kemi të bëjmë me tre politikanë, pasi po hetohet politika, sigurisht që ne nuk kemi asnjë vërejtje me kërkesën për tre kolegët tanë. Ne jemi të qartë se veprimtaria e tyre apo veprimtaria jonë ka qenë në përmbushje të ligjeve të shtetit shqiptar dhe ka qenë një e drejtë që e siguron Kushtetuta e Shqipërisë. Por meqë kërkesa e Prokurorisë është për politikanët, atëherë të kishte një radhë dhe kjo të fillojë nga ata që dhanë urdhër, që shkaktuan gjak, që vranë dhe që plagosën dhjetra të tjerë. Këta kanë emra të përveçëm, Kryeministri Berisha dhe ish- ministri Lulzim Basha. Jozefina Topalli: Në respekt të Rregullores, njoftimi i seancës plenare do të bëhet në seancën e ardhshme. Kemi një vit që të bëhet një hetim i gjithanshëm, i pavarur, i thelluar dhe i pandikuar politikisht. Pas një viti kanë ardhur tri dosje për Besnik Barajn, Tom Doshin dhe Taulant Ballën, unë jam në dijeni se deputetët janë lajmëruar për procedimin penal ndaj tyre. Në respektim të Rregullores, deputetëve do t’u jepen dosjet sot menjëherë. Ne do i vëmë në dispozicion gjithçka. Detyra e këtij Këshilli është jo për të bërë politikë, por për të bërë atë që i është kërkuar më 21 janar në orën 19:00, si kryetare e Kuvendit kam mbajtur një konferencë shtypi për sulmin e egër që iu bë Kryeministrisë. Në kemi kërkuar që akti i asaj dite të hetohej në mënyrë të paanshme dhe, mbas një viti, kemi një kërkesë për procedim penal të tre deputetëve. Gramoz Ruçi: Mos i paragjykoni deputetët tanë. Ti ke atë merak që ke, se ke mizën në kësulë, se ke vrarë 4 vetë që je ti në pushtet. Dhe i ka vrarë komandanti yt, komandanti i Gardës dhe ke fshirë gjurmët e krimit. Jozefina Topalli: Gramoz, je jashtë teme! Gramoz Ruçi: Jo, vetëm ti je në temë. Unë jam i bindur që deputetët tanë do të lënë imunitetin. Dhe të jesh e bindur, se ne do të votojmë pro heqjes së imunitetit të tyre. Na lër kohë të shohim materialin dhe ditën e premte të mbledhim sërish Këshillin. Jozefina Topalli: Ky material lexohet për një orë. Këtu ka foto, pjesa më e madhe e saj. Dhe, po të rrini pa gjumë, e keni për detyrë të rrini pa gjumë, se keni lënë Tiranën pa gjumë një natë të tërë. Keni traumatizuar një qytet me një sulm kundër Kryeministrisë, 5 orë rresht. Gramoz Ruçi: Mos mendo se mund të fshihesh pas sulmit, demonstratat janë bërë, do të bëhen dhe bëhen në gjithë vendet e botës demokratike, por asgjëkund nuk vritet. Ju keni vrarë, këtë mos e harro! Me urdhrin tuaj ju keni zhdukur provat e vrasjeve. Ju duhet të përgjigjeni dhe këtu duhet të kishte kërkesë për heqjen e imunitetit të Kryeministrit, të ish-ministrit të Brendshëm dhe më pas të gjithë Grupit të deputetëve të PS-së. Jozefina Topalli: T’u nënshtrohen hetimit të pavarur dhe të gjithanshëm zoti Tom Doshi, zoti Taulant Balla dhe zoti Besnik Baraj. Mbaje vetën Gramoz! Ndoshta duhet të vinte dhe ndonjë kërkesë tjetër, ndonjë emër tjetër. Gramoz Ruçi: Urdhëro? Sali Berisha? Jozefina Topalli: E kisha për ty Gramoz, duhet të vinte për hetim emri jot, Gramoz. Gramoz Ruçi: Ore, me mua e keni provuar 20 vjet ju. S’jam struc unë. Unë e kam provuar në Shkodër që në 1991-shin dhe në 1992-shin e deri më sot, jam gati unë, Sali Berisha dhe Edi Rama të hetohen dhe Lul Basha dhe i gjithë Grupi i PS-së. Kjo është drejtësia. Jozefina Topalli: Këtë ke bërë dhe në Shkodër, Gramoz, por nuk po i kthehem. Mbaje veten Gramoz! Secili do të përgjigjet një ditë, drejtësi do të bëhet. Gent Strazimiri: Me faktin e voluminozitetin e këtij materiali, kërkoni që të na bindni ne dhe opinionin publik që nuk e dinit për çfarë do ju vinte kërkesa, unë personalisht nuk e besoj. Ju ka ardhur kërkesa ashtu siç e keni dash dhe siç e keni porosit dhe nuk ju ka ardhur për atë që me të vërtetë duhet të vinte.
Rama: Jozefina nuk di ç’flet Kryetari i Partisë Socialiste ka deklaruar dje në Twitter se në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit duhet të ishte kërkuar nisja e hetimit të Kryeministrit Sali Berisha. Lidhur me debatet e zhvilluara dje në Kuvend, Rama ka ironizuar kryetaren e Kuvendit, duke thënë se: “Jozefina si Jozefina, s’di ç’flet, po flet e flet pa kuptuar që këtë herë s’kalohet lumi me llomoti se çdo shqiptar e di: Saliu duhet hetuar!”, deklaroi Rama. Ndërkohë, në seancën e ditës së enjte do të njoftohet zyrtarisht kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së.
Rama: Përgëzime e mbështetje Prokurorisë
Kreu socialist falënderon prokuroren e Përgjithshme dhe FBI-në për hetimin e vrasjeve të 21 janarit
“Berisha me ish-ministrin e tij të Brendshëm duhet të ishin në hetim”
Kreu i PS, Rama
Kreu socialist, Edi Rama, përgëzoi Prokurorinë e Përgjithshme për rezultatet e hetimit të 21 janarit. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist Rama inkurajoi dhe mbështeti punën e prokurores së Përgjithshme. “E inkurajojmë dhe e mbështesim plotësisht prokuroren e Përgjithshme znj. Ina Rama dhe të gjithë grupin hetimor. Ashtu sikundër përfitoj nga rasti që personalisht të hedh poshtë me përbuzje çdo akuzë të bërë në adresë të saj për gjoja bashkëpunim me opozitën apo me mua vetë. Sot e vërteta është se Shqipëria është zgjuar më e lehtësuar dhe pa asnjë dyshim merita për këtë i takon në radhë të parë Prokurorisë
Për gjithë sa thashë e sidomos për faktin se ka një rritje të ndjeshme të shqetësimit dhe të ndjeshmërisë të botës demokratike, të Europës së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara për ecurinë e drejtësisë në Shqipëri lejomëni që sot të jem më optimist se dje për faktin se sot ndryshe nga dje në hetimin e krimit shtetëror të 21 janarit është bërë një hap i madh përpara. Edhe njëherë përgëzime për Prokurorinë dhe mbështetje pa asnjë ekuivok për t’i shkuar deri në fund hetimeve të 21 janarit”, u shpreh Rama. Kryesocialisti i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të përfshijë në hetime, në radhë të parë Kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Basha. Duke falënderuar Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, kryesocialisti kërkoi thellim të hetimeve ndaj urdhëruesve të vrasjeve sipas tij. “Në fakt, Sali Berisha, bashkë me ish-ministrin e tij të Brendshëm, sot duhet të ishin zyrtarisht nën hetim për vrasjet e 21 janarit. S’ka batalion ushtarak që hap zjarr pa urdhër dhe s’ka komandant Garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i arrestuar i Gardës Republikane mund të pranojë të bëhet kokë turku dhe të mos e thotë se kush ia dha urdhrin, por drejtësia shqiptare s’mund të mjaftohet me arrestimin e tij dje apo të ekzekutorëve të tjerë nesër”, u shpreh Rama. Sipas tij, nëse nuk hetohet Berisha dhe Basha, hetimi do të ishte i padrejtë. “S’mund të mos e themi, me gjithë mbështetjen pa asnjë ekuivok për Prokurorinë, se pa hetuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, hetimi i çdo figure tjetër politike ngjan i sforcuar për të mos thënë i padrejtë”, u shpreh Rama. Duke folur para deputetëve socialistë në mbledhjen javore të Grupit Parlamentar, Rama u shpreh i gatshëm të jetë ai vetë pjesë e hetimit. “Unë personalisht jam i gatshëm të hetohem bashkë me ta dhe sinqerisht nuk e kuptoj çfarë ka bërë secili prej tre deputetëve më shumë se unë, në organizimin e demonstratës së 21 janarit. Ose më shkoqur akoma, e di fare mirë që asnjë nga deputetët s’ka bërë asgjë më shumë se unë vetë për të organizuar demonstratën e 21 janarit. Në këtë aspekt, unë, të tre deputetët, të gjithë deputetët, jemi të gatshëm të hetohemi dhe të kontribuojmë në procesin hetimor duke thënë të vërtetën, vetëm të vërtetën, asgjë më shumë se të vërtetën. Prandaj i bëj apel Prokurorisë të na përfshijë të gjithëve, mua të parin, në hetimet e saj”, u shpreh Rama.
Deputeti debaton me Ramën në mbledhjen e Grupit të PS Braçe: PS të ndryshojë qasje, s’kemi pse lëvdojmë Prokurorinë
Anëtari i Kryesisë socialiste dhe nënkryetar i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, ka kritikuar dje në mbledhjen e Grupit qëndrimin e PS ndaj hetimit të 21 janarit dhe pozicionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak për këtë qëndrim duket se është bërë fjala e kryetarit Rama në nisje të kësaj mbledhjeje, e cila u transmetua dhe nga mediat, ndërsa pas largimit të kamerave, Rama ka dhënë porosi se si duhet menaxhuar situata në këto ditë. Kreu socialist ka kërkuar që deputetët në të gjitha hapësirat e tyre mediatike, si në Parlament ashtu dhe në televizione të ndryshme, të fokusohen te përgjegjësia e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në ngjarjet e 21 janarit. Edhe aty Rama ka falënderuar rolin e Prokurorisë së Përgjithshme në zbardhjen e ngjarjes. Por Braçe duket se nuk ka qenë dakord me këtë pozicionim. “Partia Socialiste duhet të ndryshojë qasje për këtë çështje. S’ka pse t’i bëjmë kaq lëvdata Prokurorisë, sepse në gjykimin tim ajo e ka kryer pjesërisht detyrën e saj. Hetimi i Prokurorisë nuk ka qenë proporcional, sepse ka vënë në një peshore 3 vrasës, të cilët kanë përdorur armët ndaj protestuesve dhe kanë fshehur provat me tre deputetë, që vetëm se kanë organizuar protestën, ashtu siç kemi bërë të gjithë dhe në atë protestë dhe në protestat e tjera”, mësohet të ketë thënë Braçe në fjalën e tij. Në këto momente, Rama është larguar nga mbledhja, për shkak se duhej të shkonte në Durrës për takimin që kishte me Presidentin kroat atje. Braçe ka qenë kundër deklaratave, sipas të cilave “bashkë me deputetët socialistë duhet të hetohen dhe Sali Berisha, dhe Lulzim Basha”. “Mënyra se si artikulohen akuzat ndaj Berishës dhe Bashës, duke i përfshirë në një kategori me tre deputetët, nuk i shërben PS. Nuk mundet që ai që dha urdhër që të qëllohej, të vihet në të njëjtin hetim me deputetin e PS që organizoi protestën. Kam frikë se në fund do të jemi ne të humbur nga e gjithë kjo histori”, mësohet të jetë shprehur Braçe. Por mësohet se kundër falënderimeve ndaj Prokurorisë kanë qenë dhe deputetët Ligori dhe Felaj, sipas të cilave Prokuroria mund të kishte përdorur më mirë të gjithë juridiksionin që i jep ligji.
Qëndrimi ndaj FBI-së
Kryesocialisti përshëndeti kontributin e dhënë nga ekspertët e FBI-së në përcaktimin e saktë të përdoruesve të armëve më 21 janar. “Në zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje ka luajtur një rol kyç FBI-ja me ekspertizën e saj. Unë përsëri e falënderoj në emër të të gjithë popullit opozitar me mirënjohje qeverinë amerikane dhe ambasadorin Arvizu, për mbështetjen totale që po i japin hetimit edhe falë përfshirjes së FBI–së”, u shpreh Rama.
Ambasadori i BE flet për 21 janarin Sekui: Hetimi të jetë i pavarur, kemi besim të plotë te Prokuroria
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, deklaroi dje se mbështet institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme në hetimet e 21 janarit. Sekui theksoi se hetimi duhet t’i përfshijë të gjithë dhe të mos këtë një varësi nga politika. Për ambasadorin e BE-së, ngjarja e 21 janarit meriton një zbardhje të plotë dhe se ndërkombëtarët presin, ashti si qytetarët, sundimin e ligjit. “Kemi ndjekur me vëmendje deklaratat e bëra dje nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga të gjithë të tjerët në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Ajo që dua të them, është me rëndësi që hetimi të jetë gjithëpërfshirës, i pavarur dhe pa ndërhyje politike. Është tepër e rëndësishme që të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. Shqiptarët presin që të vendoset drejtësia. Kemi thënë që ne presim që hetimi të vazhdojë nëpërmjet Prokurorisë dhe ne e mbështesim këtë institucion e kemi besim të plotë. Ajo që dëshiroj të theksoj, është që ne duam sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është ajo që presin shqiptarët”, tha Sekui. Ambasadori i BE-së u shpreh i sigurt se Gjyqësori shqiptar do të vendosë drejtësi. Ambasadori nuk pranoi të komentojë hetimet, për asnjë nga veprimet e kryera nga Prokuroria. Ditë më parë, dhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu garantoi mbështetjen e palëkundur ndaj institucionit të akuzës, për të zbardhur të vërtetën e 4 vrasjeve që ndodhën një vit më parë gjatë demonstratës së Partisë Socialiste.