Debatet me dyer të mbyllura në Grupin e PD, Leskaj do votohet pro për në KLSH

Dec 13, 2011 | 11:34

Berisha e patozi ne mbledhjen e grupit te pd

Bulku, Sula e Hoxha pro, Shehu e Gjana kundër. Berisha: Topi s’u konsultua, të shmangim krizën.

Partia Demokratike do të votojë pro dekretit të Presidentit Bamir Topi për të emëruar Bujar Leskajn në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky qëndrim u bë i ditur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, në pjesën me dyer të mbyllura. Pasi ka njoftuar deputetët për vizitën e tij në Francë dhe pas largimit të mediave, Kryeministri është ndalur te çështja e dekretit që pritet të votohet në Parlament këtë të enjte. Burimet pranë demokratëve bëjnë të ditur se Berisha ka shprehur rezerva për mënyrën se si u bë propozimi i ish-ministrit të Kulturës, por në fund u shpreh pro emërimit të tij në krye të KLSH-së. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë pro kandidaturës së Bujar Leskajt për postin e kryetarit të KLSH-së. Edhe pse Presidenti nuk është konsultuar me PD-në, edhe pse ky propozim nuk është i yni, ne duhet të votojmë pro në mënyrë që të mos e fusim në krizë këtë institucion”, mësohet të ketë thënë Kryeministri në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Pas fjalës së kreut të qeverisë, qëndrimet në Grupin Parlamentar kanë qenë të kundërta. Një pjesë e deputetëve kanë dalë pro kandidaturës së Leskajt për një mandat shtatëvjeçar në krye të KLSH-së, por ka pasur edhe nga ata që kanë qenë kundër. Deputetët Rajmonda Bulku, Dashnor Sula dhe Ismail Hoxha janë pozicionuar pro kandidaturës së Leskajt, ndërsa Sherefedin Shehu dhe Jemin Gjana kanë qenë skeptikë, teksa kanë pyetur nëse kjo kandidaturë është më e mira për këtë post. Pas fjalës së dy deputetëve që ishin kundër, ka ndërhyrë sërish Kryeministri, i cili është shprehur i palëkundur në qëndrimin e tij për ta votuar Bujar Leskajn. Gjatë dy ditëve të

Bujar Leskaj

ardhshme pritet që Komisioni i Ekonomisë të zhvillojë një seancë dëgjimore me Leskajn, ku do të hartohet një raport, i cili do të shkojë në seancë plenare. Për të njëjtin institucion, rreth një muaj më parë, Kryeministri Berisha, në një mbledhje të Grupit të PD-së, u shpreh kundër emërimit të Sali Shehut, qëndrim që u mbajt si në Komisionin e Ekonomisë, ashtu edhe në seancë. Në mandatin e parë pas rikthimit në pushtet të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj u zgjodh deputet në qytetin e Vlorës, ku fitoi një zonë bastion të së majtës përballë ish-deputetit të kësaj partie, Mezan Malaj. Në formimin e qeverisë së re, Leskaj mbajti për një vit e gjysmë postin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Pas largimit nga kjo detyrë ai ka qenë një ndër mbështetësit më të fortë në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të shtresës së të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, kur ka propozuar disa amendamente në ligjin për dëmshpërblimin që i ka shkuar në favor kësaj kategorie. Sipas ligjit “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, kryetari i këtij institucioni ka një mandat shtatëvjeçar. Nga viti 2004 deri më 28 tetor të këtij viti këtë pozicion e ka mbajtur Robert Çeku. Por, ligji i vitit 1997 nuk e përcakton se çfarë ndodh nëse Parlamenti nuk zgjedh brenda afateve kreun e ri të KLSH-së, çka e ka lënë këtë institucion në pritje të votimit të radhës kur të diskutohet emri i Leskajt.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura