Debat në Kuvend për plehrat, miratohet ligji për importin

Sep 23, 2011 | 11:55
Deputetet e PS Fino e Braçe dje ne Parlament

Opozita debatoi dje me qeverinë për ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, duke e cilësuar atë klientelist dhe antikombëtar. Prej katër orësh, deputetë të opozitës dhe maxhorancës kanë dhënë arsyet pro dhe kundër këtij ligji që, sipas opozitës, bëhet për interesa të një grupi njerëzish.  Ndërsa, nga ana e saj, qeveria, përmes drejtorit të Politikave në Ministrisë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi, argumentoi standardet e BE-së që ky ligj ka. Edhe pse opozita e kundërshtoi fort ligjin për menaxhimin e mbetjeve, maxhoranca e miratoi me 69 vota draftin në punimet parlamentare të së enjtes, me votat e saj, ndërsa opozita, me 56 vota, votoi kundër tij. “Ky ligj është klientelist dhe antikombëtar. Bëhet për interesa të një grupi njerëzish. Ligji nuk përmirëson cilësinë e mjedisit, pasi kapacitetet e importit të mbetjeve do të jenë gjigante. Ju ftoj të votoni kundër këtij ligji që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një provincë të Napolit”, u shpreh nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe. Deputeti Arben Malaj iu drejtua deputetëve të maxhorancës duke u shprehur se me ligjin e propozuar prej tyre, çdo investitor shqiptar ka të drejtë të ngrejë një fabrikë sa më të madhe dhe pas gjashtë muajsh t’i vërtetojë qeverisë se nuk ka më kapacitet, sepse dihet teorikisht kapaciteti maksimal i mbetjeve në Shqipëri. Ju do të nxisni investimet në këtë industri, e cila nuk do të ketë në thelb pastrimin e ambientit shqiptar, por biznesin me mbetjet”, tha Malaj. Ndërsa deputeti socialist Ethem Ruka, shprehu shqetësim se me këtë ligj do të inkurajohet mafia e plehrave dhe e mbetjeve të rrezikshme. “Nismat tuaja i janë prezantuar vendit, duke nisur nga propozimet për përpunimin e mbetjeve të vendit me impiante djegëse, por duke sjellë mbetje edhe nga jashtë, si dhe për depozitim lëndësh deri radioaktive në minierat e braktisura të vendit. Vende të varfra si i yni, janë targete të mafies që operon fuqishëm për të nxjerrë përfundime marramendëse nga depozitimi dhe asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme. Për fat të keq, tranzitimi i mbetjeve përmes territorit tonë mbart rreziqe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe predispozicionit të lartë korruptiv që është kthyer në nga problemet e shoqërisë shqiptare. Ndonjë ditë nuk është çudi të mësojmë se problemi i ndotjeve po zgjidhet me ndonjë nga klientët e pushtetit të lidhur, kur dihet se grupe të ndryshme e shohin Shqipërinë si një oazë ku mund të fitohet në mënyrë marramendëse nga depozitimi i lëndëve të rrezikshme”, tha Ruka. Përfaqësuesi i qeverisë u shpreh se ligji nuk lejon mbetje të tjera përveç atyre për riciklim. “Ky ligj parashikon importimin e mbetjeve vetëm për qëllime riciklimi dhe ndalon importimin e mbetjeve për qëllime të tjera, depozitim, grumbullim të mbetjeve të rrezikshme”, tha drejtori i Politikave ne Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi.
Deputeti socialist, Taulant Balla, u shpreh se projektligji është i porositur nga interesa mafioze nga vende të tjera që duan medoemos që të ndërtojnë në Shqipëri impiante të përpunimit dhe të groposin plehrat e tyre. “Sipas projektit ‘Skoria’, volumi i dytë i hartuar nga Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit, me qendër në Pulia, Shqipërisë i duhen shumë impiante jo vetëm për plehrat e veta, por edhe për plehrat e Europës. Në këtë raport thuhet që në planet e parashikuara, të konsultuara me qeverinë shqiptare, janë këto ndërmarrje të mëdha për ndërtimin e vend-përpunimit të plehrave. Si vende përpunimi janë Vlora, Elbasani, Berati, Gjirokastra, me vlerë totale janë 120 milionë euro”, tha Balla.

Debati i djeshëm për importin e plehrave
Erjon Braçe:
Ky projektligj lejon importin e mbetjeve në territorin e Shqipërisë, po apo jo? Plani kombëtar i menaxhimit të mbetjeve kur do të hartohet? Kur do të hartohen planet rajonale dhe për gjithë Shqipërinë të menaxhimit të mbetjeve?
Pëllumb Abeshi: Ky ligj parashikon importimin e mbetjeve për qëllime riciklimi dhe ndalon importimin e mbetjeve për qëllime të tjera, depozitimi, grumbulli dhe mbetje të rrezikshme. Plani kombëtar i menaxhimit të mbetjeve është miratuar në shkurt të këtij viti, që do të thotë që kanë hyrë në fuqi. Ky plan përcakton që brenda dy viteve të hartohen planet lokale. Ka filluar procesi për hartimin e planit për Tiranën, Elbasanin etj., por shqyrtimi dhe miratimi është kompetencë e qarkut dhe pushtetit lokal.
Arben Malaj: Përmes këtij ligji do të nxitet investimi në këtë industri, e cila nuk do të ketë në thelb pastrimin e ambientit shqiptar, por biznesin me mbetje. Problemi është që ndoshta për një periudhë të caktuar, nisur nga cilësia e kontrollit në dogana për të futur në Shqipëri mbetje të rrezikshme, a është një risk potencial?
Erjon Braçe: Duhet të ishte ministri që t’u përgjigjej këtyre pyetjeve.
Pëllumb Abeshi: Lëvizja e mbetjeve në nivel ndërkombëtar, import-eksport, realizohet sipas Konventës së Bazelit, ku Shqipëria është anëtare dhe vendi eksportues është i detyruar të njoftojë vendin importues për llojin e mbetjeve dhe sasinë e tij, i cili shoqërohet me një certifikatë. Dogana ka qenë pjesë e këtij projektligji dhe ka dhënë mendimin e saj dhe e ka pranuar këtë ligj e këtë procedurë. Deri tani kemi vetëm dy kompani që kanë bërë kërkesë për import mbetjesh për qëllime riciklimi.
Sajmir Tahiri: Ju thatë që autoriteti që kontrollon këto mbetje të importuara janë doganat. A kanë doganat shqiptare instrumente, mekanizma për të dalluar mbetjet radioaktive nga mbetjet e natyrës tjetër?
Pëllumb Abeshi: Mbetjet që importohen janë të pajisura me kode dhe kodet identifikohen në dogana, ndërsa ligji është hartuar nisur nga kapaciteti që kanë aktualisht doganat për të kontrolluar.

Ardian Turku: Nuk ka asnjë nen në pr.ligj që të lejojë hyrjen në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme. Qëllimi i tij është sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit, përmes parandalimit, minimizimit dhe menaxhimit të duhur të mbetjeve, si dhe përdorimin e efektshëm të burimeve natyrore përmes ripërdorimit, riciklimit dhe rikuperimit të tyre.
Taulant Balla: Të dhënat e ËikiLeaks-it tregojnë, ndër të tjera, edhe se çfarë ka shkruar konsulli amerikan në Napoli. “Camorra dhe Ndrangheta, sytë për plehrat i kanë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri po miratohet një pr.ligj për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe se qeveria shqiptare po i hap dyert këtij projekti”. Konsulli i shkruan Departamentit të Shtetit që të merren masa, që të njoftohet qeveria shqiptare që të marrë masa për këtë rrezik që i kanoset nga dy grupet më të mëdha mafioze në Itali.

Bizhga: Të vendosen penalitete të rënda
“Sot importimi i plehrave është mjaft fitimprurës dhe mafia është shumë e interesuar, sidomos për të dërguar plehrat e Perëndimit në vende të pazhvilluara me struktura të dobëta dhe kontroll fiktiv, me burokraci dhe qeveritarë lehtësisht të korruptueshëm dhe penalitete të papërfillshme, pikërisht në një vend si yni. Mafia është e interesuar që të sjellë plehra në Shqipëri dhe ky ligj i hap rrugë kësaj tregtie. Megjithëse në ligj shkruhet se ne do të lejojmë importin dhe tranzitimin e mbetjeve të parrezikshme, realiteti ka treguar se strukturat tona kontrolluese janë të paafta ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse një biznesmen depoziton plehra të rrezikshme në vlera disa milionë euro, sipas ligjit, ai dënohet me vetëm 2 milionë lekë”, u shpreh deputeti socialist.

Mima: Doganat me pajisje profesionale
“Një ndërhyrje lidhur me kapacitetet e shërbimit doganor për kontrollin e këtyre mbetjeve. Me pikëpyetjet që u ngritën, nëse ky shërbim është apo jo i pajisur me pajisje dhe dedektorë për kapjen e materialeve radioaktive. Që nga viti 2006, të gjitha pikat kufitare janë të pajisura me dedektorë, me skaner me rreze Gama, si pjesë e projektit të përbashkët të qeverisë me Ambasadën Amerikane dhe Institutin e Fizikës Bërthamore, dhe operojnë 365 ditë në vit me cilësi të plotë. Është detyra jonë të ngremë një shërbim me integritet dhe do ta miratoja zotin Tahiri që do t’i propozonte fonde më të mëdha shërbimit doganor për modernizimin e tij”, u shpreh deputeti demokrat.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura