Debat i munguar

Sep 19, 2011 | 11:45

ILIR KALEMAJ

Duket se në morinë e lajmeve pa lajm të politikës dhe kronikës së zezë, që është bërë bashkëshoqëruese e përhershme në këto ditë të nxehta dhe të varfra pas vere, mungon debati për çështje dhe modele që duhen të ndiqen për të stimuluar rritjen dhe mirëqenien ekonomike, për t‘u bërë ballë sfidave përherë dhe më të mprehta, që vijnë si rezultat i konkurrencës në rritje dhe presioneve të tregjeve globale, por dhe ndikimeve që sjellin kriza të ndryshme ekonomiko-financiare qofshin këto me simptoma rajonale, apo me ndikime globale. Për shembull, a duhet të ketë rritje taksash dhe rritje të shpenzimeve publike, që shoqërohet me shpikjen e vendeve të punës në administratë, duke e fryrë atë edhe më tej, apo duhet stimuluar biznesi, duke mbështetur sektorë strategjikë nëpërmjet stimujve inteligjentë. Kjo mund të bëhet për shembull kredi me terma të butë, për të bërë të mundur përthithjen e teknologjisë më të fundit dhe shtimin e rendimentit prodhues.
Duhet theksuar se tregu kombëtar është tepër i vogël dhe, nëse kompanive të mëdha nuk u lejohet frymëmarrja e nevojshme, si dhe reformat e brendshme që duhet të kryejnë si rikapitalizimi apo ristrukturimi për t‘iu përshtatur kërkesave të tregut, nuk mund të arrijnë të çajnë tregjet e huaja dhe të garantojnë fitime të qëndrueshme në perspektiva afatgjata, çka do sillte dhe ulje kostosh për vetë firmat dhe ulje çmimesh për konsumatorët. Gjithashtu, duhet të ketë ligje të qarta dhe të zbatueshme ndaj konkurrencës së pandershme, favorizimit të krijimit të monopoleve, trusteve e karteleve dhe të kombinohen masat e duhura të ndërhyrjes qeveritare për të shpërbërë marrëveshje të dyshimta që ngrihen mbi interesa klientelistë.
Një shtet i qëndrueshëm në valën e ndryshimeve epokale, që të arrijë t‘u mbijetojë erërave të forta, duhet të garantojë inflacion të ulët, një sistem financiar efektiv, tregje lokale që ndërlidhen mirë me ata rajonalë dhe globalë, kosto të ulëta transaksioni për biznesin, infrastrukturë të mirë rrugore, detare dhe hekurudhore, si dhe një sistem efikas drejtësie që të bëjnë të mundur zbatimin e kontratave dhe të ruajë të drejtat e pronësisë individuale.
Nuk është më surprizë që ka krizë likuiditeti tashmë, krizë të cilën e ndiejnë ndërtuesit, furnitorët, bizneset e vogla dhe të mëdha. Bankat japin vetëm kredi të shtrenjta dhe për të cilat nevojitet një mal me dokumentacion, burimet e parave të trafiqeve, por edhe ato thjesht informale (si të ardhurat e emigrantëve etj.), që shërbejnë si një lloj lubrifikatori për shoqëritë në tranzicion, janë duke u luftuar me akte ligjore apo thjesht urdhra të pashkruar, ndërkohë që paradoksalisht kemi fryrje të administratës dhe kur duhet të ndodhte bash e kundërta. Zgjidhja nga një qeverisje që përfaqëson filozofinë e djathtë duhet parë te fuqizimi dhe jo te rrënimi i biznesit vendës, i cili s‘ka pse të diskriminohet karshi atij të huaj. Mundësitë e punësimit në administratë janë finite dhe, në këtë stad, administrata është e tejfryrë. Në Greqinë fqinje janë duke u mbyllur dhjetëra mijëra vende pune në administratën publike, në kuadër të ristrukturimit për t‘i shpëtuar rrënimit financiar dhe falimentimit dhe natyrisht, parë në këtë prizëm, nuk mund të ecim kundër rrymës.
Gjithashtu, prirja duhet të jetë drejt krijimit të vendeve të punës nëpërmjet politikave fiskale që nxisin biznesin, veçanërisht atë të vogël dhe të mesëm, sesa rritja e shpenzimeve publike që duket si rrugë pa kthim. Vetëm mbështetja e mëtejshme e biznesit vendës, të madh dhe të vogël, krijimi me shpejtësi i gjykatës administrative, e cila duket se është futur në kalendarin grek, heqja e barrierave fiskale apo lehtësimi i tyre, stimulimi i atyre bizneseve të cilat kontribuojnë në fusha jetike apo që eksportojnë (me qëllim që të përballojnë presionet e konkurrencës në vendet destinatare), mund të sjellin një përmirësim të garantuar qoftë të financave të vendit në terma afatgjatë, qoftë t‘i shërbejnë shoqërisë, pasi biznesi është dhe do të jetë punëdhënësi më i madh e më i sigurt në të tashmen dhe të ardhmen. Grupet e interesit janë ende të fragmentarizuara, të dobëta dhe qëllimisht të anashkaluara, por një solidaritet më i madh i tyre për të mbrojtur të drejtat e natyrshme, do ishte dobiprurës si për një oponencë teknike efikase, ashtu dhe për një opozitarizëm konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

© Panorama.al

Te lidhura