De Biazi vendos, Meha “regjisori” i Kombëtares

Sep 6, 2012 | 13:25

Mesfushori do të gjuaj të gjitha goditjet standarde.

Paraditen e djeshme, Kombëtarja ka zhvilluar një ndeshje kontrolli me skuadrën e të rinjve të Teutës, të cilën e fitoi 3-0. Pavarësisht rezultatit, numri një i pankinës nuk ka mbetur i kënaqur. De Biazi e ka nisur ndeshjen me dy sulmues, Bogdanin dhe Sadikun, me këtë të fundit që shënoi edhe njërin nga golat. Ndërkohë, dy golat e tjerë u shënuan nga dy zëvendësuesit, Salihi dhe Hyka. Fillimisht italiani luajti me Berishën në portë, Cana, Dallku, Lila dhe  Mavraj në mbrojtje, ndërsa në mesfushë u aktivizuan Burim Kukeli, Bulku, Meha dhe Vila, ndërsa Bogdani e Sadiku në sulm. Ndonëse kundërshtari ishte i një niveli të dobët, kjo e fundit u ndal nga të besuarit e Gentian Begës, duke mos arritur të tundnin rrjetën më shumë se tri herë. Në pjesën e dytë, tekniku bëri disa zëvendësime: u larguan sulmuesit Bogdani dhe Sadiku, për t’ia lënë vendin Hykës dhe Salihit, të cilët arritën të shënojnë që të dy. De Biasi u dha mundësi thuajse të gjithë lojtërëve për të treguar aftësitë e tyre në këtë ndeshje kontrolli, por vëmendja e teknikut ka qenë te një pjesë e lojtarëve. Këtë gjë tekniku e ka shprehur dhe gjatë seancës stërvitore të pasdites, e cila ka qenë formale për gjysmën e skuadrës, e cila nuk bëri gjë tjetër përveç ushtrimeve akrobatike dhe disa goditjeve me top në portë. Ndërkohë, De Biazi punoi vetëm me lojtarët që bëjnë pjesë në planet e tij për këto dy takime: Berisha, Cana, Mavraj, Dallku, Lila, Vila, Meha, Bulku, Salihi dhe Sadiku, ishin lojtarët që vunë në zbatim skemat e teknikut, ndërsa më pas italiani afroi në grup Lilajn, Agollin, portierin Shehi dhe sulmuesin Januzi. Gjithashtu, italiani u ka kërkuar lojtarëve të bëjnë shumë kujdes në pasime. Tekniku provoi disa skema për të goditur kundërshtarin me topa të lartë. Të gjitha krosimet ekzekutoheshin nga Meha, i cili sipas parashikimeve do të ketë ekskluzivitetin për goditjet standarde, pasi me shumë gjasa De Biazi do t’ia besojë atij këtë detyrë. Ajo që binte në sy në skemat e italianit, ishte fakti që lojtarët e repartit të mbrojtjes, si Cana, Dallku dhe Mavraj, duke pasur favor dhe shtatlartësinë e tyre, duhet të lënë zonën dhe të pozicionohen në sulm në rastet e goditjeve të këndit. Më pas, mesfushori është urdhëruar nga De Biazi të vazhdonte duke bërë disa goditje në portë nga jashtë zone, ndërkohë që përpara ishte improvizuar muri mbrojtës. Edhe këtë provë mesfushori e ka kaluar me sukses. Ai ekzekutoi disa goditje të bukura dhe tepër të kalibruara, të cilat u pëlqyen jo vetëm drejtuesve të skuadrës kuq e zi, por dhe shokëve të tij të ekipit. Kurse Burim Kukeli nuk ka marrë pjesë në skemat e goditjeve nga këndi dhe në ato standarde.

Stadiumi
Ndeshja zyrtare mes Shqipërisë dhe Qipros do të luhet në “Qemal Stafa” me drita, jo vetëm me gjenerator, por edhe me energji elektrike, e ofruar nga CEZ-i. Dje është shuar edhe përplasja mes FSHF-së dhe CEZ-it, pas pagesës nga ana e Federatës së borxhit prej pak më shumë se 7 milionë lekësh (të vjetër). Në këtë mënyrë, ndeshja do të luhet sipas rregullave të kërkuara nga FIFA: me dy burime energjie.

Arbitri
Gjyqtari nga Kazakistani, Artjom Kushin, do të arbitrojë ndeshjen Shqipëri-Qipro, e cila do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, mbrëmjen e kësaj të premteje. 35-vjeçari (15.12.1977) është një arbitër i kategorisë së dytë dhe e ka marrë stemën e FIFA-s vetëm në janar të 2009-s. Ai ka drejtuar kryesisht ndeshje të skuadrave të vogla në Champions League, Europa League dhe në kualifikimet e “Euro 2012” (Litenshtejn-Lituani).

Bastet/ Shqipëria do rendite e 5-ta në kualifikime
Të vësh bast që Shqipëria do të kualifikohet për në Botërorin 2014 dhe natyrisht të fitosh, do të thotë të kapësh një dorë të mirë parash. Në fakt, koeficienti për një gjë të tillë është 1 me 51, ose më mirë për 1 mijë lekë (të vjetër) fitohen 51 mijë lekë (të vjetër). Sipas kompanive të basteve, Kombëtarja shqiptare ka shumë pak gjasa, madje edhe më pak sesa Qiproja, për të fituar në grupin ku bën pjesë. Sakaq, parashikimet flasin për një Zvicër superfavorite, e ndjekur nga Norvegjia. Për helvetët, si fitues të grupit, koeficienti është vetëm 2.45, ndërsa për norvegjezët që fitojnë grupin (pra renditen të parët në grup) koeficienti është 2.60. Pas tyre vijnë sllovenët, të cilët, sipas bastexhinjëve, janë të tretët më të favorizuar për të fituar grupin, me 3.50.

Fiton grupin
Zvicra    2.45
Norvegjia    2.60
Sllovenia    3.50
Qipro    34.00
Shqipëria    51.00
Islanda    67.00

Nioplias: Shqipëria e fortë, por nuk humbim
Trajneri i Qipros, Nikos Nioplias, e ka konsideruar si mjaft të rëndësishme ndeshjen e parë të kualifikimeve ndaj Shqipërisë. “Nëse do të analizoja gjendjen e skuadrës lidhur edhe me kundërshtarin, mendoj se kemi një gjë pozitive dhe një tjetër negative: E para është se të gjithë lojtarët që kam pasur në dispozicion për miqësoren me Bullgarinë në gusht janë në një formë të shkëlqyer. Ndërsa si negativ shoh faktin që nuk kemi bërë seanca të rregullta stërvitore. Gjithsesi, ju siguroj se jemi në formë të mirë dhe duam me patjetër rezultat në Shqipëri. E dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë në fushën e vet, por i kemi studiuar mirë dhe besojmë se nuk do dalim të humbur”, – ka pohuar Nikos Nioplias.

Hicfeld: Duam 6 pikë të plota, por s’jemi favoritë
Trajneri i Zvicrës, Otmar Hicfeld, e ka ulur disi tensionin te skuadra e tij, duke mos e konsideruar si favorite për fitimin e grupit, paçka se në fund konfirmon se për dy ndeshjet e para ndaj Sllovenisë dhe Shqipërisë ka si objektiv primar 6 pikët e plota. “Nëse shikon me kujdes, edhe Norvegjia me Slloveninë janë thuajse në një rang me ne. Por jo vetëm kaq. Ky grup mund të dhurojë surpriza të pakëndshme për ne dhe çdo kombëtare, dhe unë uroj që të mos jemi ne ata që do të penalizohemi. Sa u përket dy ndeshjeve të radhës, ndaj Sllovenisë dhe Shqipërisë, objektivi ynë është marrja e 6 pikëve. Ne do mundohemi që t’ia arrijmë si me sllovenët, edhe ndaj Shqipërisë, më 11 shtator në Luzernë”,
– ka theksuar Hicfeld.

© Panorama.al

Te lidhura