
Xhiani de Biazi është prezantuar dje zyrtarisht si trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë. Tekniku italian ka firmosur kontratën në prani edhe të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke pohuar se do bëjë një ristrukturim të gjithanshëm të Kombëtares dhe ekipeve të moshave. Duke e marrë fjalën, tekniku nënvizoi se e njihte ekipin shqiptar, pasi kishte para disa DVD gjatë kohëve të fundit. “Ardhja ime në krye të Shqipërisë përbën një moment specifik dhe të veçantë në karrierën time si trajner. Në planin e përgjithshëm, drejtimi i Kombëtares është krenari dhe përgjegjësi e madhe, njëkohësisht. Falënderoj presidentin Duka që ma besoi mua këtë detyrë. Jam krenar që jam zgjedhur trajner i një vendi që rritet si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sportive. E di mirë se çfarë më pret, ndërkohë që mund të them se e njoh disi skuadrën Shqipërisë. Kam parë disa ndeshje të saj në DVD dhe kam krijuar përshtypjet e mia të para. Të kuptohemi, Shqipëria ka një Kombëtare të vogël, nuk bën pjesë në elitën e futbollit europian, por kjo nuk më tremb as dekurajon mua si trajner. Personalisht jam mësuar të punoj me ekipe të vogla, kështu që ndihem mirë dhe jam në terrenin tim. Do të mundohem të krijoj një komunikim të drejtpërdrejtë me lojtarët, në mënyrë që të prek dhe kuptoj çdo gjë me dorën, sytë dhe veshët e mi”, ka thënë në fillim tekniku italian. Më tej, De Biazi shpalosi edhe strategjinë e tij në drejtim të Shqipërisë, duke pohuar se me atë në krye, Kombëtarja do të bëjë hapa më lart në të gjitha aspektet. “Së pari, do mundohemi të gjejmë arsyet se përse Shqipëria ka një rënie në renditje dhe në bazë të tyre të ndërtojmë strategjinë në vijimësi. Do të bëjmë një riorganizim rrënjësor të skuadrës dhe kjo do përfshijë edhe sistemin e ekipeve kombëtare më poshtë. Një gjë mund të garantoj sot: Shqipëria, me mua trajner, do të rritet. Bashkë me lojtarët dhe drejtuesit e federatës do bëjmë gjithçka për t’i arritur objektivat. Natyrshëm, ju do të më pyesni në këtë pikë se çfarë objektivash kemi përpara. Në gjykimin tim, rezultatet në futboll nuk janë fantazi, por realitet. Ato duhet të jenë të prekshme. Ndaj unë them se kemi një objektiv real në lojë: të ecim përpara hap pas hapi! Do të sjell eksperiencën time të punës në Itali, ndërsa impenjimi personal, por edhe i stafit tim, do të jetë maksimal në këtë detyrë të re. Mirë është që të mos krijojmë iluzione të kota, pasi të gjithë e njihni realitetin e Kombëtares shqiptare. Sa i takon grupit kualifikues për Botërorin 2014, në të cilin bën pjesë Shqipëria, mund të saktësoj se është mjaft kompetitiv dhe impenjativ, por skuadra që duhet mundur, skuadra më e fortë sipas meje, është Zvicra”, ka thënë dje De Biazi. Italiani do bëjë debutimin e tij në miqësoren e shkurtit ndaj Gjeorgjisë.
Presidenti
Duka: Ëndërroj kualifikim edhe me trajnerin e ri
Presidenti i FSHF-së, gjatë prezantimit të trajnerit të ri ka pohuar se edhe pse për kualifikimet e Botërorit jemi në një grup të vështirë, ai përsëri mendon se duhet tentuar. “Kemi pasur disa futbollistë, të cilët kanë kontribuar goxha në ekipin tonë, dhe që tani nuk do të vazhdojnë më. Gjej rastin edhe t’i falënderoj sot, si Altin Lala, Ervin Skela, apo ndonjë tjetër, që me të vërtetë kanë dhënë shumë. Tani detyra e parë është që këto vende të zëvendësohen nga futbollistë të rinj, e që mund të kontribuojnë shumë në arritjen e rezultateve. Duke pasur parasysh edhe grupin që kemi, ky është me të vërtetë një grup shumë, shumë i vështirë. Por, çdo kundërshtar mund ta thyesh, po edhe të thyejnë. Për ne do të ishte më mirë që të vazhdojmë të ëndërrojmë se do të jemi pretedentë për t’u kualifikuar për në finalet e Botërorit, megjithëse është një detyrë e vështirë”, pohoi Duka.
Anxhelo Pereni, zv.trajneri i Kombëtares
Bashkë me prezantimin e Xhani de Biazi, si kryetrajner i Kombëtares së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme, deri në fund të fushatës kualifikuese për Botërorin 2014, presidenti Armand Duka ka zbuluar edhe emrin e ndihmësit të italianit, Anxhelo Pereni. Ai ka punuar edhe më parë me De Biazin si dhe me Çezare Prandelit, trajnerin aktual të Kombëtares italiane. Si futbollist ka luajtur me Lenjano, Novara, Katania, Palermo dhe Pro Verçeli. Ndërsa si trajner ka drejtuar Xhiulianovën, Teramon, SPAL, Mantovan, Novarën, Komo e Leçen. Ndërkohë, në rolin e zëvendëstrajnerit ka qenë te Torino, Kaljari, Atalanta dhe Leçe.











