Daul: U deformua deklarata për kreun e PS

Dec 11, 2011 | 11:39

Kreu i PPE, Jozef Daul

“Fyerjet s’tregojnë qytetari, i fshiva pa pendesë nga faqja”

Presidenti i Grupit të eurodeputetëve të djathtë në Parlamentin Europian, Jozef Daul, reagoi lidhur me sulmet që po bëhen ndaj tij nga simpatizantë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deklarata e Daul se: “Pretendenti i PS-së për t’u bërë Kryeministër, Edi Rama, është pak i sëmurë mendor, dhe se Kryeministri Berisha ka shmangur humbjen e shumë jetëve më datë 21 janar”, ka shkaktuar jo pak reagime nga radhët e PS-së. Prej disa ditësh në adresën e tij në Facebook, qytetarë nga Shqipëria e kanë sulmuar për këtë pohim të bërë gjatë punimeve të Samitit të PPE-së. Në reagimin e tij, po në internet, presidenti i PPE-së shprehet se sulmet janë të orientuara politikisht dhe se fjalët janë deformuar qëllimisht, pasi ai ka pohuar se rruga e Shqipërisë është integrimi në BE. “Është shumë e qartë që disa njerëz në Shqipëri janë duke e deformuar atë që unë thashë për Shqipërinë këtë jave në Marsejë, që ishte as më shumë e as më pak se Shqipëria është në rrugën e saj drejt integrimit europian”, pohon Daul. Presidenti i Partive Popullore Europiane nuk e ka mohuar deklaratën për Edi Ramën, për të cilën ka postuar dhe në faqen e tij zyrtare fjalën e plotë në Samitin e PPE-së. Ai saktëson se “fyerjet nuk tregojnë qytetari dhe nuk i shërbejnë aspiratës integruese të Shqipërisë”. Daul u ka sqaruar pjesëtarëve të rrjetit social se çdo postim fyes do të fshihet. “Fyerjet që shumë njerëz menduan se ishte me vend të postonin në këtë faqe, janë natyrisht jo konform këtij integrimi europian. Unë i fshiva pa pendesë, edhe pse është në kundërshtim me rregullin e të qenit i hapur dhe transparent, të cilin unë e kam përdorur qysh kur e kam hapur këtë faqe”, deklaron Daul.
Dyshimet
Pas botimit të lajmit, të shumtë ishin zërat se deklarata nuk ishte e vërtetë dhe ishte deformuar politikisht. Një qëndrim të tillë e mbajti disa ditë më parë dhe kreu i delegacionit të Komitetit të Asociim-Stabilizimit Shqipëri-BE, Eduard Kukan. I pyetur nga mediat, Kukan theksoi se e vërteta do të zbardhet, duke hedhur hije dyshimi për vërtetësinë e deklaratës. Vetë Jozef Daul, edhe pse sulmet ndaj tij nuk kanë reshtur në internet, nuk e ka mohuar në asnjë rast vërtetësinë e deklaratës, çka pasoi dhe me hedhjen e fjalimit të plotë në internet.

Deklarata e Daul
“Miku im Berisha, të falënderoj për gjithë punën që ke bërë për të ndaluar gjakderdhjen. Ti ke të drejtë dhe unë e di që ne kemi kaluar së bashku disa net pa gjumë me kandidatin socialist, që ndofta është pak i sëmurë mendor. Bashkë me Martin Shulz, ne kemi arritur bashkë me ty dhe në sajin tënd të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Meqenëse ti e ke dhënë këtë kontribut për vendit tënd, ti e meriton këtë duartrokitje, zoti Berisha”.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura