Fabiola Hysenbelliu bën bashkë Topin, Nanon, Metën, diplomatë e socialistë.
Ka qenë një dasmë gati surreale ajo e Fabiola Hysenbelliut, zëvendespresidentes së “Hysenbelliu Group”. Të shtunën e kaluar, në ambientet e “Sheraton, vajza e bizensmenit të njohur Irfan Hysenbelliu, celebroi martesën e saj me Rigels Ballën në mesin e miqve të familjes së saj. Dhe kur themi miqtë, keni parasysh se aty nuk mungonte asnjë nga figurat dhe personalitetet më të njohura në vend, sepse kishte ftesa për të gjithë. Që nga kreu i shtetit Bamir Topi, i cili ishte i ftuar familjarisht, tek kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta (familjarisht), duke vazhduar me familjen e Kryeministrit Berisha, dy fëmijët e tij Argita dhe Shkëlzeni familjarisht. Ishte i ftuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Kanë qenë gjithashtu të ftuar ministrat Ruli, Naço, Tafaj dhe Bregu, ish-kryeministri Fatos Nano, deputetët Kastriot Islami, Idrizi, Arben Malaj, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri Arvizu, ambasadori i OSBE-së Volfarth, këshilltari i Kryeministrit dhe kandidati për President Ceka. Të ftuar kanë qenë biznesmenë me emër, botues, analistë, bankierë, bashkiakë të PS-së, deputetë të PS-së, krerë institucionesh etj. Të ftuarit kanë shijuar verë “Gaja” dhe shampanjë “Don Perignon”, ndërkohë që janë kënaqur me gatimet e jashtëzakonshme të shefit special të kuzhinës së Sheraton. Nusja (e rregulluar me mjeshtëri nga Lili) dhe dhëndri kanë shkëmbyer unazën dhe kanë prerë tortën gjigante me tetë kate, në prani të të ftuarve, ndërkohë që Fabiola si një princeshë e vërtetë ka shijuar bashkë me të ftuarit atë atmosferë magjike ku gjithçka kishte klas.





















