Dako, shkëputje e fortë në mes të garës

May 11, 2011 | 10:45

Partia Demokratike fiton dy bashki në qarkun e Durrësit dhe humb një tjetër, ndërsa gara mbetet gjithmonë e fortë për qytetin bregdetar.Beteja me shumë ethe e tension ndër anëtarë e simpatizantë ka vijuar për Bashkinë e Durrësit edhe në natën e tretë të numërimit të votave. Shtabet elektorale të të dy kampeve janë ulur e ngritur në shkallët e pallatit të sportit me dhjetëra herë ndërsa u kanë ngulur sytë monitorëve dhe fletëve me shënimet përkatës. Kandidati socialist Vangjush Dako ka kryesuar në pjesën më të madhe të kutive, madje edhe atje ku PD mendonte se kishte elektoratin më të fortë, ndërsa kandidati Ferdinand Xhaferaj e ka ulur diferencën herë pas herë. Janë 165 kuti votimi që do të numërohen për të përcaktuar fituesin, ndërsa deri në mesnatën e djeshme kanë përfunduar 81 kuti. Në orën 01:30 të mëngjesit të sotëm, Dako kaloi në avantazh të thellë, duke siguruar 17165 vota kundrejt demokratit Xhaferaj me 16024 vota.
Në orët e paradites janë numëruar kutitë e votuesve në lagjen numër 13 të Plazhit, Shkozetit, pjesërisht të Kënetës dhe Spitallës duke iu afruar qendrës së qytetit, për të kaluar kështu në zonën më të nxehtë. Në Durrës asnjë kamp politik nuk ka mundur të entuziasmohet për më shumë se disa minuta, pasi rivali ka ecur duke e zënë dhe kaluar konkurrentin. Kështu në Plazh, zona që deri tani ka qenë pikë e fortë e PD është mbyllur me 210 vota më shumë për socialistin Dako, Shkozeti me 60 vota pro tij dhe NISH Tulla me 34 vota. Në të tri këto zona PD është zhgënjyer për të kompensuar pjesërisht në lagjen 14, 15, 17, 18 të Kënetës dhe fare pak në Spitallë. Humbja e PD-së në Plazh, Shkozet e Nish Tulla është e barabartë me një zonë elektorale për deputet ku në mandatin e fundit parlamentar fitues ka qenë PD-ja. KZAZ numër 8 tek pallati i sportit ka vijuar normalisht procesin pas ndërprerjes prej dy orësh në mëngjes, por realisht rezultatet e para lidhur me ndonjë avantazh të mundshëm mund të mësohen vetëm sot në orët e pasdites. Shtabet elektorale që merren me studimin e statistikave e kanë pasur të vështirë të kapin logjikën e votimeve pasi atje ku PD mendonte se ishte e fortë ka rezultuar ndryshe, ashtu si dhe për PS e cila nga ana saj ka pësuar disa zhgënjime. Megjithatë kandidati PS Vangjush Dako në 76 kuti vijon të kryesojë me mbi 830 vota, shifër e cila lëviz herë pas here. Lodhja është ndier edhe ndër numërues e komisionarë, të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë kohës të lidhur pas kutive. Ndonëse ka dy ditë që ka nisur procesi i numërimit vërehet se nuk është shënuar asnjë incident mes kampeve. Në pjesën më të madhe të kohës kanë qenë të pranishëm edhe kandidatët Dako e Xhaferaj, ndërsa vëzhguesit e huaj janë ndërruar grupe-gupe duke mos u larguar për asnjë çast nga procesi verifikimit të numërimit. Edhe Fushë-Kruja e ka mbyllur procesin duke shpallur fitues kandidatin e PS Gjon Bardhi përkundrejt Bilal Stafukës së PD.

Numerimi

Në proces numërimi ka hyrë dje Bashkia e Krujës dhe sot në mesditë pritet të fillojë edhe komuna Bubq, Thumanë, Nikël. Rezultatet e tyre mund të bëhen të ditura vetëm sot në mbrëmje. Edhe komuna Maminas, Gjepalaj dhe Bashkia e Shijakut pritet të kenë ndonjë rezultat vetëm ditën e sotme, pasi ende nuk ka filluar numërimi për to.

Durres

Bashkia Fushë-Krujë
Gjon Bardhi i PS fiton ndaj Bilal Stafukës së PD
Bashkia Sukth
Sherif Fortuzi i PD fiton ndaj socialistit Selami Xhelili
Bashkia Manzë
Bujar Huqi i PD fiton ndaj Sokol Sulës së PS
Komuna Katund i ri
Fiton Hil Priska i PD ndaj kandidatit të PS, Servet Balla
Komuna Xhafzotaj
Agim Hoxha i PD-së fiton me 2600 vota kundrejt 720 votave të Basri Gjokës së PS-së
Komuna Ishëm
Fiton Sulejman Ibrahimi PS përballë Gëzim Ylli, PD

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura