Dako merr mandatin e dytë, humb Këshillin Bashkiak

May 13, 2011 | 10:26

Votat e durrsakëve rikonfirmojnë në krye të Bashkisë kryetarin aktual të saj, Vangjush Dako, i cili do të qeverisë qytetin në këtë mandat të dytë të tij.Kandidati i Aleancës për të Ardhmen fitoi dje pasi arriti të sigurojë 3584 vota më shumë se rivali i tij i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferraj, por nuk arriti të siguronte shumicën përsa i përket këshilltarëve bashkiakë.
Pas numërimit të votës së fundit, Vangjush Dako kishte marrë 33 369 vota, ndërsa Xhaferraj, i cili hoqi dorë nga posti i ministrit të Kulturës për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit, mori 29 785 vota. Në Durrës votuan 64 857 zgjedhës të thirrur në votime. Kryetari Dako arriti të sigurojë 10 herë më shumë vota se në vitin 2007, kur ai fitoi mandatin e tij të parë. Fitorja e tij me një diferencë prej 3584 votash më shumë se rivali i tij demokrat, i dha ngjyra feste pallatit të sportit “Ramazan Njala”, në të cilin u krye edhe procesi i numërimit të fletëve të votimit. Simpatizantë të shumtë ishin mbledhur para ambienteve ku  bëhej numërimi i kutive të fundit, për të vërshuar më pas brenda me duartrokitje. Kësaj atmosfere nuk i ka shpëtuar as ai vetë, i shoqëruar nga deputetët Blendi Klosi e Klodiana Spahiu, të cilët janë përfshirë në entuziazmin e fitores. Bashkë me mbështetësit, Dako festoi për më shumë se dy orë në ambientet e Pallatit të Sportit, për ta shpërngulur festën në rrugët e qytetit. Sapo ka dëgjuar rezultatin përfundimtar, kryebashkiaku i rikonfirmuar në detyrë nxitoi për të dalë para mediave për të falënderuar qytetarët, të cilët me votën e tyre i dhanë atij mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Durrësit. Sipas tij, çelësi i kësaj fitoreje të thellë ishte pikërisht puna. “Fitorja kaq e thellë erdhi sepse qytetarët vlerësojnë punën. Kemi punuar shumë dhe qytetarët e Durrësit na vlerësuan. Tashmë, në mandatin e dytë do të punojmë akoma më shumë në shërbim të qytetarëve. Duket qartë që qytetarët e Durrësit nuk shikojnë ngjyrimet politike, sesa vlerësojnë punën dhe votojnë atë kryetar bashkie që u shërben atyre dhe sa më shumë t’u shërbesh qytetarëve dhe të punosh, aq më i madh do të jetë vlerësimi. Në mandatin e dytë do të vazhdojmë t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të Durrësit, pa dallim, ashtu siç kemi bërë në katër vitet që kaluam. Edhe ky mandat do të jetë i mbushur me më shumë punë në shërbim të qytetarëve, për t’ia ndryshuar krejtësisht faqen Durrësit”, u shpreh Dako. Pas shpalljes së fitores nga KZAZ e Durrësit, në qytet kanë nisur festimet masive. Me gjithë fitoren e Dakos, në këtë mandat, ashtu si dhe në mandatin e parë, ai nuk do të ketë mbështetjen e Këshillit Bashkiak. Nga rezultati i numërimit të votave për subjektet politike rezulton se koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka fituar 24 këshilltarë, nga të cilët: PD 17608 vota, LSI 4916, PDIU 4917 vota. Ndërsa koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka fituar 21 këshilltarë. Një tjetër element i këtyre zgjedhjeve ka të bëjë me faktin se Dako arriti të korrë fitore edhe në disa zona, të cilat prej vitesh kanë qenë bastione të PD-së, si zona e ish-Kënetës, ku PD doli e zhgënjyer. Gjithashtu, PD-ja priste fitore të thellë edhe në zonën e plazhit e të Spitallës, por ndodhi e kundërta. Dako, gjatë gjithë garës ka kryesuar me një diferencë të madhe votash përballë Xhaferrajt. Pas viteve ’90, Vangjush Dako është i pari kryebashkiak në Durrës që drejton Bashkinë për dy mandate radhazi. Në ditën e fundit të numërimit, kandidati i djathtë nuk ka marrë pjesë në procesin e numërimit të votave. me sa duket diferenca ka qenë e madhe ndërmjet kandidatësh, çka bëri që Xhaferraj ta pranonte paraprakisht humbjen.

Durres

“Aleanca për qytetarin”,
24 këshilltarë.

PD, 17608 vota, merr 15 këshilltarë
LSI, 4916 vota, merr 4 këshilltarë
PDIU, 4917 vota, 4 këshilltarë
PR, 1940 vota, 1 këshilltar

“Aleanca për të ardhmen”,
21 këshilltarë

PS, 23269 vota, merr 19 këshilltarë
PDK merr vendin e 1 këshilltari
PDS merr vendin e 1 këshilltari

Qarku Durres

Bashkia Durrës
Vangjush Dako, PS

Bashkia Manzë
Bujar Huqi, PD

Bashkia Sukth
Sherif Fortuzi, PD

Bashkia Shijak
Indrit Buka, PS

Bashkia Krujë
Shkëlzen Hoxha, PD

Bashkia Fushë Krujë
Gjon Bardhi, PS

Komuna Gjepalaj
Ardian Kokomani, LSI

Komuna Ishëm
Sulejman Ibrahimi, PS

Komuna Katund i Ri
Hil Priska, PD

Komuna  Maminas
Sulejman Rushiti, PS

Komuna Rashbull
Hysen Gashi, LSI

Komuna Xhafzotaj
Agim Hoxha, PD

Komuna Bubq
Avdyl Demjeli, PBDNJ

Komuna Cudhi
Xhevahir Bilja, LSI

Komuna Thumanë
Artur Bushi, PS

Komuna Nikël
Rrahman Raja, PS

Humbja në Durrës, Xhaferraj sot para mediave për arsyet

Në fund të procesit të numërimit, Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë në garën për Bashkinë e Durrësit. Kandidati i PS-së, Vangjush Dako, kryetari aktual i Bashkisë, fitoi me rreth 3700 vota ndaj kundërshtarit të tij, ish-ministër i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj. Ndërkohë, në garën për vendet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, koalicioni i PD-së ka një numër më të madh votash se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Xhaferraj tha se gjatë ditës së sotme do të dalë në një komunikim me mediat, ku do të flasë për diferencën e madhe në disfavor të tij në zgjedhjet e 8 majit. Vangjush Dako fitoi katër vjet më parë sërish në Durrës përballë kandidatit të PD-së, ish-zv.ministrit të Punëve Publike, Armand Teliti, me një diferencë prej 400 votash. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, PD-ja në Durrës fitoi me rreth 1200 vota si forcë politike ndaj Partisë Socialiste.

Subjektet, ndajnë baraz bashkitë e komunat

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë dalë barazim për sa i përket numrit të bashkive e komunave të fituara. Në rang qarku, PS-ja ka fituar 3 bashki dhe 5 komuna. Tre bashki dhe pesë komuna ka fituar edhe PD-ja, duke shënuar kështu Durrësin si të vetmin qark ku dy aleancat, e majta dhe e djathta, të dalin barazim në fitoren e tyre. Gjatë procesit të numërimit, por edhe në situatën postzgjedhore, në qarkun e Durrësit nuk janë shënuar incidente ndërmjet militantësh. Ajo që është vënë re në këto zgjedhje ashtu sikurse edhe në shumë rrethe të tjera, edhe në Durrës ka pasur përmbysje të bastioneve. Xhaferraj është zhgënjyer në disa zona në të cilat ai priste të merrte një numër të konsiderueshëm votash, si në Spitallë, në zonën e Kënetës dhe Plazhit. Por votuesit kësaj radhe e kishin ndarë votën e tyre.

Investimet në Durrës, ende pezull

Mazhoranca e këshilltarëve të Këshillit Bashkiak që i përket “Aleancës për qytetarin”, pritet të sjellë të tjera bllokime të investimeve në qytetin e Durrësit. Pak ditë më parë, kryebashkiaku Dako u shpreh në një intervistë për “Panoramën” se pas bllokimit që u është bërë disa projekteve, siç është rruga e re e Portit, apo sheshet “Taulantia” dhe “Liria”, veprimet e këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Durrësit, si dhe në ato të KRRT-së, që kanë shumicë të djathtë, janë thjesht dhe vetëm bllokuese. Gjithsesi, situata pritet të jetë e njëjtë, pasi ndonëse PS-ja arriti të siguronte postin e kreut të Bashkisë, nuk arriti dot të merrte shumicën në këshillin Bashkiak. “Ju e keni konstatuar vetë se Bashkia është penguar nga veprimet e verbra të militantëve partiakë. Nisëm rrugën e Portit, si Unaza e Re e Durrësit, na bllokuan. Filluam dhe ishim vetëm dy javë larg nga përurimi për fazën e parë të rivitalizimit të sheshit “Liria”, por na dërguan policinë e Agjencinë e Mjedisit, duke na akuzuar se po ndotnim mjedisin, apo nuk kishim leje. Të gjitha të pajustifikuara. Megjithatë, jam i bindur dhe garantoj se çdo projekt i Bashkisë do të përfundojë dhe se punimet nuk do të ndërpriten, pavarësisht çfarë thonë e veprojnë këshilltarët e PD-së”, u shpreh pak kohë më parë kryebashkiaku Dako.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura