Dajti: Tabulatet e mia janë zhdukur

Dec 8, 2011 | 13:03

Dritan Dajti në gjyq

Dritan Dajti, debat me prokurorët: Humbën përgjimet para arrestimit.

Dritan Dajti shfajësoi veten dje tek Krimet e Rënda për akuzën e vrasjes së 4 policëve, duke përdorur dëshmitë e oficerëve të policisë, të dhëna në seancat me dyer të mbyllura të procesit ndaj tij. I akuzuari i Prokurorisë për ekzekutimin e katër policëve më 9 gusht 2009 në Durrës, tha dje se asnjë nga oficerët e policisë, dëshmitarë në proces, nuk drejtoi gishtin drejt tij si vrasës i policëve. Njëkohësisht, Dajti përmendi dëshmitarin P.S., që sipas tij, deklaroi qartë përpara gjykatës se shtetasi Ledion Mara është vrarë, pasi shtetasi Dritan Dajti është rrëzuar në tokë. Po dje, Dajti u shpreh se sekuestrimi i armëve të përdorura në ngjarje nuk ishte bërë në vendngjarje, por në korridoret e Prokurorisë. Gjithçka u tha gjatë një deklarimi të lirë të të pandehurit, i artikuluar në një seancë të tensionuar herë-herë me replika të forta mes palëve. Replikat e ndërsjella nuk ndaluan as më pas, gjatë pyetjes së dëshmitarëve. Thuajse mbas çdo pyetjeje të prokurorëve i pandehuri Dajti kundërshtonte, duke i kërkuar gjykatës mospranimin e tyre si pyetje sugjestionuese. Seanca e djeshme ishte e para seancë e zhvilluar normalisht, që prej seancës kur gjykata revokoi vendimin e ndërmjetëm për gjykim me dyer të mbyllura. Në vijim zbardhen pasazhe të seancës së djeshme të zhvilluar te Krimet e Rënda.
DEBATI NË SEANCË
Pasi u udhëzua nga trupa gjykuese që deklarimi duhet të kishte të bënte vetëm me objektin e akuzës për gjykim, Dajti vijoi të lexonte deklarimin e përgatitur me shkrim:
Vendimi për mbylljen e dyerve të seancave të këtij gjyqi, me qëllimin e vetëm që punonjësit e policisë, protagonistë të kësaj tragjedie…
(Ndërhyn prokurori): Zonja kryetare, është jashtë objektit.
Gjykata: Ju lutem brenda objektit të akuzës. Në kushtet kur gjykata vlerëson se deklarimet nuk i përmbahen objektit të akuzës, por janë vlerësime rreth provave, apo vendime të ndërmjetme të dhëna nga trupa gjykues, atëherë i pandehur paralajmëroheni, se nëse ju vazhdoni të dilni nga përmbajtja e objektit të akuzës, juve do t’ju hiqet e drejta e fjalës për të vijuar me leximin tuaj.
Avokati: Me leje, zonja kryetare.
Gjykata: Jo avokat.
Gjykata – Të pandehurit: Jo në lidhje me qëndrime mbi vendimet e gjykatës. Vetëm rreth objektit të akuzës, për atë çfarë jeni akuzuar.
Avokati: Gjithë deklarimi ka të bëjë me objektin e akuzës. Ju lutem lëreni të lexojë.
Gjykata: Avokat ju lutem, konsultohuni me dispozitën përkatëse. Lexoni nenin. Nëse është brenda objektit të akuzës, mund të vazhdohet.
Dajti: Së pari, të nëntë punonjësit e policisë, të cilët dëshmuan me dyer të mbyllura për shkak se u rrezikohej jeta prej meje, dëshmuan pa përjashtim se nuk kanë parë personin që ka qëlluar ndaj shefit të tyre, Fatos Xhani dhe punonjësit të policisë, Altin Dizdari dhe shtetasit Ledion Mara. Asnjë nga të nëntë dëshmitarët, që dëshmuan me dyer të mbyllura, nuk drejtoi gishtin tregues tek unë si vrarës i të ndjerëve Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Ledion Mara. Madje, mund të kujtoj se dëshmitari P.S. deklaroi qartë përpara jush se shtetasi Ledion Mara është vrarë, pasi shtetasi Dritan Dajti është rrëzuar në tokë.
Së dyti, tetë nga nëntë punonjësit e Policisë dëshmuan përpara jush se nuk kanë parë personin që ka qëlluar drejt kolegut të tyre, Sajmir Duçkollari.
I vetmi dëshmitar që fajësoi për këtë vrasje ishte A.G., person që sipas provës ka qenë pas shpinës së të ndjerit Duçkollari në momentin e vrasjes.
(Ndërhyjnë prokurorët): Kundërshtojmë leximin e kësaj deklarate, pasi deklarata përmban çfarë ka dalë nga seanca gjyqësore që ka qenë me dyer të mbyllura. Vlerësimin e provave mund ta bëjë në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. I kërkojmë gjykatës të vazhdojë me pyetjen e dëshmitarëve.
(Gjykata i kujton edhe një herë të pandehurit të mos dalë jashtë akuzës së çështjes objekt gjykimi, si edhe të mos bëjë vlerësimin e provave në këtë fazë të gjykimit).
Dajti: Zonja kryetare, akuzën e kanë ngritur prokurorët dhe më akuzojnë për pesë vrasje.
Gjykata: Pikërisht për këtë mund të deklaroni, për ngjarjen dhe jo të bëni vlerësimin për prova e të dhëna të marra gjatë gjykimit.
Dajti: Zonja kryetare, i keni lënë prokurorët gjatë gjithë kohës të bëjnë deklarime, madje kanë arritur deri aty sa të thonë se veprimet e policisë kanë qenë të paligjshme. Ju citoj edhe datën se kur e kanë dhënë këtë shpjegim vetë prokurorët. Tani nuk po më lejoni mua të shprehem se çfarë kanë thënë dëshmitarët? Po nuk është aspak normale kjo.
Gjykata: Nëse keni ndonjë gjë për të thënë rreth objektit të akuzës ndaj jush, i pandehur, atëherë mund të vijoni me fjalën tuaj.
Avokati: Klienti im është duke iu përmbajtur tërësisht objektit të akuzës. Ju lutem, ta dëgjoni, pasi keni tre vjet e ca që nuk keni lejuar të shprehemi për çfarë ne akuzohemi. Tani është momenti i përshtatshëm yni për të bërë këto deklarime, prandaj ne kërkojmë që ta dëgjoni. Faleminderit.
Gjykata: I pandehur, gjithmonë në lidhje me objektin e gjykimit!
Dajti: Së pesti, punonjësit e Policisë dëshmuan përpara jush se kanë marrë nga vendi i ngjarjes armët e punonjësve të policisë që mbetën të vrarë, duke kryer kështu krimin e veprimit që pengon zbulimin e së vërtetës, të parashikuar nga Kodi Penal dhe këtu bëhet fjalë për prokurorët, zonja kryetare. Kjo ka bërë që armët të mos sekuestrohen nga prokurorët në vendngjarje, por në korridoret e zyrave të tyre, duke i hapur rrugë manipulimit. Veprime korruptive këto, për të cilat Byroja për mbrojtjen e dëshmitarëve ka kërkuar ndjekjen penale të prokurorëve.
Prokurorët: Me leje, i kërkojmë gjykatës…
Dajti: Madje…

(Krijohet tension në seancë. Prokurorët kërkojnë leje për të folur, po ashtu avokati dhe i pandehuri. Ndërhyn gjykata, duke u kërkuar palëve të ulin tensionin. Nuk i jep lejen e fjalës asnjërës palë).
Gjykata: I pandehur, keni gjë tjetër për të shprehur?
Dajti: Patjetër, zonja kryetare, por prokurorët flasin pa leje. Nuk është as etike.
Prokurori-të pandehurit: Ndërroni tonin e zërit, mos na trego neve etikë.
Gjykata: Të pandehurit i ndërpritet e drejta e fjalës. Gjykata ju jep fjalën, ndërsa ju vazhdoni dhe replikoni me prokurorin.
Dajti: Unë nuk vij nga pylli. Unë po flas, ai thotë “me leje, me leje” njëqind herë. Kam kërkuar lejen time.
Gjykata-Palëve: Ju lutem të zbatoni Kodin e Etikës të seancës gjyqësore.
Dajti: Po pra! Së shtati, punonjësit e policisë dëshmuan përpara jush se ata kanë qenë në ngjarje të veshur civilë, madje disa prej tyre edhe me kapuç në kokë, ndërsa disa të tjerë, me rroba banje, me pantallona të shkurtra, madje disa prej tyre edhe me shapka.
Së teti, punonjësit e Policisë që dëshmuan përpara jush, provuan unanimisht se Ledion Mara deri në momentin e vrasjes nuk kishte pasur asnjë precedent penal apo problem me autoritetet gjyqësore.
Gjykata: Nuk ka lidhje me objektin.
Dajti: Së dhjeti, drejtori i Drejtorisë kundër krimit të organizuar, Arjan Muça, dëshmoi para jush faktin se deri në momentin e tragjedisë, telefoni celular që përdorte Dritan Dajti ka qenë në përgjim, por rezultatet e përgjimit janë zhdukur. Kjo vë në diskutim shkakun se përse ky trup gjykues rrëzoi kërkesën time për marrjen në cilësinë e provës së tabulateve telefonikë.
Vijimi i deklaratës u kundërshtua nga ana e përfaqësuesve të akuzës, si edhe nga vetë gjykata. Më pas, avokati i Dajtit e depozitoi të gjithë materialin e përgatitur me shkrim, por gjykata sqaroi se pjesë e fashikullit do të bëhen vetëm ato pjesë ku i pandehuri i mbahet objektit të akuzës.

Prokuroria: Si u vranë katër policët në Durrës
TIRANE – Ngjarja e njohur si “masakra e Durrësit” u shënua pak pas mesditës së 7 gushtit 2009, në një rrugicë pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit. Gjatë një operacioni policor për arrestimin e të shumëkërkuarit të atëhershëm Dritan Dajti, u vranë katër punonjës policisë. Oficerët e vrarë ishin Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj. Gjithashtu, në të njëjtën ngjarje u vra edhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Dritan Dajti dhe F. Shamku. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, punonjësit e Policisë u vranë nga i pandehuri Dritan Dajti. Për ngjarjen në fjalë, Prokuroria për Krimet e Rënda kanë dërguar në gjyq tre të pandehur, Dritan Dajti, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, “vrasje në rrethana të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “falsifikim dokumentesh”, “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”. Të bashkëpandehurit e tij, Ergest Xhoxhi akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” e “falsifikim dokumentesh”, ndërsa Mariglen Muça për “shpërdorim detyre”.

Gjykata pyet dëshmitarin Hasula
Tregtari i kumbullave tregon vrasjen e policëve
TIRANE – Xhevat Hasula shiste prodhimet e pemëtores së tij mesditën e 7 gushtit 2009, fare pak metra larg vendit ku gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit u vranë katër punonjës policie dhe një civil. Në seancën e djeshme, i thirrur në proces si dëshmitar i prokurorisë, Hasula rrëfeu për momentet e pak sekondave pas ngjarjes. “Kisha lënë arkat me kumbulla dhe po pija kafe me një shokun tim pak metra më tutje. Pastaj aty dëgjuam disa të shtëna. Pamë dy makina, një fuoristradë dhe një makinë të vogël. Pamë një person të shtrirë përmbys. Kishte të veshur një bluzë të ndritshme dhe një palë pantallona të shkurtra. U futëm në një avlli shtëpie aty pranë dhe u shtrimë barkas. Mund të shikonim vetëm nga drejtimi i portës, pasi avllia ishte me gjelbërim. Pamë dy veta që po përlesheshin. Në një moment, njëri prej tyre e rrëzoi tjetrin. E dëgjova që i tha ‘Qen, me vrave shokët!’. Pastaj pashë shumë njerëz me kapuça të zinj në kokë, me ç’kuptova ishin forca të policisë. Më pyetën se kush i kishte kumbullat. I thashë që i kam unë. Nuk mbaj mend se si më janë prezantuar, por më thanë që duhet të shkoja me ta. Shkuam në Komisariatin e Policisë Durrës, ku dhashë deklarime”, iu përgjigj dëshmitari pyetjeve të prokurorëve. I pyetur nga i pandehuri Dajti në lidhje me vendosjen e automjeteve ngjarje, dëshmitari tha se nuk e kishte fiksuar më parë automjetin “Touareg”. Por, sipas dëshmitarit, i kishte bërë përshtypje autovetura e vogël, që ishte futur në krahun e së parës. Po për Dajtin, dëshmitari tha se nuk e kishte parë se kush kishte qëlluar mbi personin që kishte parë të përmbysur. Në të njëjtat linja ishte dje edhe dëshmitari tjetër Agim Muça, shitës ambulant në plazh. Ai ishte personi tjetër që kishte qenë duke pirë kafe me dëshmitarin Hasula dhe kishte qëndruar tek avllia pranë vendit të ngjarjes.                         ar.ba

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura