Dajti: Ambasadorja e Kubës ka ardhur të na mbështesë në zgjedhje

May 6, 2011 | 10:54
Kreu i PPSHR, Marko Dajti me Ilir Hoxhën

Kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, kërkon ruajtjen e votës së kësaj partie nga komisionerët e PS-së. Ai shprehet se do ta vrojtojë edhe përmes CD-ve numërimin e votave. Dajti shpreh shqetësim për tensionin elektoral të këtyre ditëve dhe i kërkon Partisë Socialiste t’i kthehet natyrës pacifiste.
Zoti Dajti, si do ta vlerësonit këtë fushatë elektorale, e cila u shoqërua me shumë tensionim?
Kaluam një fushatë zgjedhore shumë të tensionuar dhe unë e shoh tejet të dëmshme për vendin. Për këtë fajin e ka pasur qeveria, por edhe ne si opozitë kemi përgjegjësitë tona. Ne duhet të tregoheshim më të përmbajtur, pasi vetëpërmbajtja na shton vlerat, siç e kemi bërë nga 1991-shi e deri në 2005-n, kur e majta i fitonte të gjitha betejat me të djathtën falë një politike pacifiste.
A keni besim se vota juaj do të numërohet realisht?
Personalisht kam besim të plotë te komisionerët e Partisë Socialiste dhe “Aleanca për të ardhmen” për të numëruar realisht votat tona dhe se çdo votë do të shkojë atje ku është hedhur nga votuesit. Megjithatë, ne kemi marrë të gjitha masat për të vëzhguar me kujdes çdo votë. Njerëzit tanë do të na informojnë qoftë edhe për një votë të dyshimtë dhe, në ato qendra votimi ku do të kemi dyshime apo kontestime, do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore që na jep ligji, duke filluar nga marrja e CD-ve nga KQZ e më pas denoncimi i tyre pranë prokurorisë dhe institucioneve ndërkombëtare.
Cili është rezultati maksimal që ju prisni nga këto zgjedhje?
Ne shohim vazhdimisht një afrim të madh njerëzish drejt partisë sonë, dhe kjo ndodh për shkak të një zhgënjimi të madh nga qeverisjet e papërgjegjshme në vend në këto 20 vjet. Si një testim i mirëfilltë politik për ne, më 8 maj Partia e Punës synon që në të gjitha zonat e regjistruara të marrë mbi 25 mijë vota, duke e bërë këtë parti një faktor politik në mbrojtje të shtresave të varfra.
Zoti Dajti, ju jeni një parti vijim i Partisë së Punës, e cila ka një histori të kritikueshme për realitetin shqiptar. Keni arsye të kërkoni një ndjesë të paktën për të dënuarit politikë?
Që në vitin 2009, kur Partia Demokratike mori iniciativën për të dhjetën herë që të hapte dosjet, ne si udhëheqje u mblodhëm dhe diskutuam gjerë për këtë çështje dhe të gjithë ishim të mendimit se dosjet duhen hapur njëherë e mirë dhe duhet parë se kush është dënuar i pafajshëm të dëmshpërblehet në maksimum.
Qenia juaj në një koalicion me PS e dëmton atë dhe është një armë në duart e maxhorancës për të sulmuar gjithë koalicionin…
PS të mos ketë frikë nga ky koalicion i madh. Partia e Punës vetëm i ka shtuar vlerat këtij koalicioni dhe i garanton fitoren, por unë dua të përfitoj nga rasti të falënderoj dy nga ish-të përndjekurit politikë, Kurt Kolën dhe avokat Ngjelën, që pranuan të jenë në koalicion me ne, edhe pse si me avokat Ngjelën, edhe me vetë zotin Rama kemi shumë gjëra që nuk na bashkojnë në planin politik, apo edhe të politikave ekonomike.
Ju sot keni pasur një takim me ambasadoren e Kubës në Tiranë, cili ishte mesazhi i saj?
Ambasadorja e Kubës në Bullgari, shoqja Terezina Kapoto, e cila mbulon dhe Shqipërinë, po zhvillon një vizitë në vendin tonë, ku paraqiti letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës. Partia e Punës e Shqipërisë ka marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Komuniste të Kubës, ndërsa unë e kam vizituar disa herë Kubën, ku jam pritur me shumë respekt nga udhëheqësit më të lartë të këtij vendi. Shoqja Kapoto shprehu vlerësim dhe interes të madh për paraqitjen e partisë sonë në këto zgjedhje.

© Panorama.al

Te lidhura