Duket se pas një deklarate që Seldi Qalliu dha kur konkurroi në “Kënga Magjike”, se fansat nuk e imagjinonin dot pa Sinanin në skenë, është paraprirë nga një “ndarje” në bashkëpunimin mes tyre. Edhe pse as njëri, as tjetri nuk pranojnë të flasin në lidhje me këtë çështje, miq të tyre të afërt kanë pohuar se mosmarrëveshjet kanë nisur pasi Seldi bëri publike lidhjen e tij me Dafina Zekën, vajzën bukuroshe nga Peja që jeton në Suedi. Ndërkohë në lidhje më këtë çështje reagon babai i saj, një personalitet shumë i njohur në Kosovë, Milaim Zeka.
Jeni babai që ndërhyni në punët e zemrës së vajzës suaj, ç’mund të thoni për lidhjen e saj të dashurisë me Seldin Qalliun?
Në fakt, për hir të së vërtetës, vajzës i ndërhyj vetëm në çështjen e studimeve.
Çfarë studente është Dafina, çfarë di si baba për jetën jashtë shkollës?
Dafina është studente e shkëlqyer në degën e Inxhinierisë në Stolkolm dhe kjo më intereson për momentin. Unë nuk preferoj të ngatërrohem me jetën e saj private, edhe pse nuk më ka ardhur aspak mirë që kam lexuar komente të paqena në lidhje me ndonjë prononcim timin për lidhjen e tyre deri tani. Kjo është hera e parë që unë flas në lidhje me Seldin dhe vajzën time.

Dhe çfarë di për lidhjen e vajzës suaj me Seldin?
Mua nuk më intereson asgjë tjetër, përveç suksesit të saj në shkollë. Për të tjerat ajo e di vetë më mirë, po ashtu dhe lidhjen e saj ajo e di vetë.
Në fakt u fol për fejesë mes tyre, ti je dakord? E bëjmë pyetjen, pasi është folur se pasuria juaj ka joshur në këtë rast Seldin…
Vajza ime nuk është traktor, as makinë e prishur që unë t’ia jap apo të mos ia jap dikujt. Të them të drejtën, kurrë në jetë nuk lexoj shtypin shqiptar për këto që po më thoni, as televizion nuk shikoj, kështu që jam i qetë në këtë drejtim.
Je një gazetar me prestigj në Kosovë, si i ke pritur komentet e shumta ndërsa vajza juaj komentohet në këtë rast për “love story” me një këngëtar të përfolur mjaft së fundi?
Po, çfarë të bësh, vetëm të dal e të veproj sipas kanunit të Lekë Dukagjinit… ndaj kam zgjedhur t’u qëndroj larg komenteve të tilla për vajzën time.
Komentet: Seldi u josh nga pasuria e Dafinës, dhe ndaj s’i duhet më Sinani
Por menjëherë pas qarkullimit të lajmit se Sinani i jep duart Seldit, ishte hyrja në jetën e tij të Dafinës. Po ashtu u komentua se Seldi tashmë nuk ka nevojë më për mbështetjen e Sinanit, përderisa ka vendosur të fejohet me një vajzë në gjendje të mirë ekonomike. Por Milaim Zeka, si një gazetar në profesion, natyrisht që i di taktikat e një interviste, ndaj është përpjekur të jetë sa më i rezerveruar, duke komentuar pak në lidhje me të gjitha komentet që janë bërë kohët e fundit. Natyrisht që si një gazetar me karrierë ka pasur uljet e ngritjet edhe në gjendjen ekonomike. Ai paguhet edhe nga qeveria suedeze për emisionet dhe projektet, që i bën në Kosovë. Ndërkohë që ka pasur në pronësi një shtëpi në Breg të Diellit, por që ia dogjën para 2-3 vitesh kur publikoi një lajm për funksionimin e bankave. Në atë banesë, ai ka pasur dhe teknikën televizive që ia ka dhuruar qeveria suedeze për të realizuar dokumentarë. Ndërkohë që aludimet për pasurinë e tij vijnë, pasi Zeka bashkëpunon shumë me një milioner nga Shkupi, i cili po tenton të ndërtojë kullat binjake në Prishtinë. Te zyra e tij në Shkup, ai ka dhe studion private, ku xhiron e monton emisionet që i realizon si projekte të jashtme në RTK.
KUSH ËSHTË DAFINA
Dafina Zeka, një vajzë nga Peja por që jeton në Stockholm të Suedisë, është vajza e gazetarit Milaim Zeka. Fillimisht u panë të shoqëroheshin me Seldin në club-e, ndërsa tashmë e kanë deklaruar hapur lidhjen e tyre. Lidhja e tyre u pa si serioze, pasi ajo postoi disa foto në profilin e saj në facebook, ku shfaqej me kushërirën dhe nënën e saj. Para dy muajsh, Dafina ka qenë në Shqipëri për ta vizituar Seldin, një vizitë që Seldi ia ka kthyer shpesh në Pejë. Nuk dihet nëse Sinani dhe Seldi do të shfaqen sërish bashkë, duke e ditur se ishte Sinani ai që i hapi rrugën e koncerteve Seldit, koncerte mjaft fitimprurëse. Siç njoftoi “Kosova Sot”, një nga organizatorët e njohur të diasporës kishte organizuar dy mbrëmje madhështore në Malmo të Suedisë. Ndërsa për arsye që nuk dihen, Sinani i ka kërkuar organizatorit të koncertit që Seldi të largohet nga lista e të ftuarve dhe të mos këndojë, kurse Sinani ka qenë i angazhuar në një tjetër mbrëmje së bashku me Dafina Zeqirin.
BLERAND REXHEPI











