Daçiq: Prishtina dhe Shqipëria, qendra krimi

Dec 13, 2011 | 15:50

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçic, ka deklaruar se as Zyra e Prokurorit e as EULEX-i nuk i kanë dhënë Policisë së Serbisë asnjë informacion në lidhje me pjesëmarrjen e dyshuar të Zvonko Veselinoviqit në dhunën që është zhvilluar në Jarinë dhe Jagnjenicë.

Duke thënë se Veselinoviqi “nuk është problemi më i madh në Kosovë”, Daçic ka shtuar se Ministria e Brendshme e Serbisë ka “informacione të caktuara” për të tjera aktivitete të personave, të cilët komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, i ka identifikuar si udhëheqës të dhunës.

I pyetur nga gazetarët në Beograd nëse policia serbe do ta arrestonte Veselinoviqin nëse i jepet mundësia, Daçic ka thënë se kjo është një pyetje hipotetike.

“Edhe nëse ndodh një gjë e tillë, nuk do të mund të flitej për ekstradimin e askujt në Prishtinë, sepse Serbia e konsideron Kosovën si territor të sajin”, ka thënë Daçic.

Sipas tij, serbët kanë të drejtë të shprehin kërkesat e tyre politike, “ashtu siç kanë pasur të drejtë edhe shqiptarët”, ndërsa deklaratat e komunitetit ndërkombëtar se qendra e krimit është në veri të Kosovës, “nuk janë të vërteta”.

“Kjo është gënjeshtër. Qendra e krimit është në Prishtinë dhe Shqipëri. Mafia shqiptare është më e forta në botë. Këto nuk janë fjalët e mia, por fjalë të shërbimeve ruse, gjermane dhe amerikane. Ndërsa, ne flasim për Zvonko Veselinoviqin… Nuk mund të besoj se në çfarë niveli kemi ardhur”, ka thënë Daçic.

Të hënën, komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, ka thënë se dy serbë, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, janë identifikuar si organizatorët dhe liderët e akteve të fundit të dhunës, që janë kryer kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it te barrikadat në Jarinë dhe Jagnjenicë.

© Panorama.al

Te lidhura