Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, ka thënë se nuk është i kënaqur me rrjedhën e dialogut.
Ai në një intervistë për “Veçernje Novostin” ka përmendur vështirësitë në arritjen e marrëveshjeve, për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve, por siç është shprehur, pas “10 vjetësh, nëse zgjidhjet do të jenë funksionale, askush nuk do të kujtohet për problemet që kemi kaluar”.
Ai ka thënë se pret që të dy ekipet të takohen në janar, pasi sipas tij, “marrëveshjet janë afër”.
Cooper citohet të ketë thënë se “askush nuk do t’ia imponojë Serbisë pranimin e Kosovës, apo ndryshimin e Kushtetutës së saj”.
Ai po ashtu ka thënë se Brukseli nuk e ka ndërmend që ta vë në pikëpyetje Rezolutën 12 44, e as Kushtetutën e Serbisë.
Cooper në intervistën për të përditshmen beogradase, ka sjellë shembuj nga funksionimi i dy gjermanive, apo nga Irlanda veriore, ku për të shkuar përpara, shtetet nuk i kanë kushtuar rëndësi asaj se çka shkruhet në kushtetutat e vendeve përkatëse.
Ai ka vënë në pah se bashkëpunimi rajonal, përfshirë pjesëmarrjen e Kosovës, është propozim praktik dhe domosdoshmëri politike.
“Kjo do të jetë mirë edhe për stabilitetin dhe do të ofrojë edhe një nivel mbrojtjeje për serbët në Kosovë”, citohet të ketë thënë Cooper. /rel/
© Panorama.al











