Çmimi, kontroll fitimeve të autobusëve

Jan 27, 2012 | 13:00

Kryebashkiaku Basha: Kostot i studiojnë ekspertët. Jo arbitraritet për çmimet në transportin publik

Tërhiqet Shoqata e Transportit: Nuk kemi propozim zyrtar

“Çdokush që do të tentojë në mënyrë arbitrare të rrisë çmimin e biletës, do të ballafaqohet me pasojat ligjore që shkojnë nga penalizimi, deri te heqja e kontratës”. Këtë deklaratë bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, nëse ka vend për rishikim të strukturës së çmimeve për shkak të strukturës së kostove, kjo duhet bërë në mënyrë shkencore, të pavarur, transparente ndaj publikut. “Vetëm atëherë ne mund të ecim përpara, me çfarëdo propozimi, pasi publiku të jetë pjesë e shqyrtimit dhe vendimmarrjes. Çdo gjë tjetër është e papranueshme për mua dhe Bashkinë e Tiranës”, tha kryebashkiaku. Ai ritheksoi se deri tani në tavolinën e tij nuk ka një propozim zyrtar. Nga ana tjetër, nëse do të ketë, ai duhet të jetë i argumentuar në detaje përse çmimi i biletës duhet të rritet. Kërkesa e Shoqatës së Transportit Qytetas për të rritur çmimin e biletës së autobusëve deri në 70 lekë do t’i nënshtrohet një analize nga ekspertët pasi, sipas Bashës, askush nuk ka të drejtën të propozojë një shifër hamëndësie. Sipas tij, rishikimi i tarifës është një çështje komplekse, ku Bashkia e Tiranës ka një rol pjesor, pasi veç mbështetjes së interesit publik, përfshin edhe institucionet e tjera të qeverisjes qendrore. “Bashkia e Tiranës mbron dhe do të mbrojë vetëm interesin publik. Do ritheksoja  objektivin e Bashkisë së Tiranës për t’u ofruar studentëve dhe pensionistëve mbi 65 vjeç transport publik me tarifa të reduktuara që shkojnë drejt tarifës zero”, tha Basha. Vetëm pak ditë më parë, Shoqata e Transportit Qytetës ka kërkuar rritje të çmimit të biletave dhe aboneve në transportin publik në Tiranë. Çmimi i biletës, sipas Shoqatës, duhet të shkojë deri në 70 lekë, nga 30 që është aktualisht. Ndërsa propozimi për ata që përdorin abonetë është nga 1300 lekë në 2600 lekë.
Tërhiqet Shoqata
Por dje, në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e Shoqatës pranuan se nuk i kanë paraqitur asnjë propozim zyrtar Bashkisë për rritje të çmimit të biletës. Ata shprehen se problemet që ka  transporti në Tiranë janë të mbartura si nga mossubvencionimi, ashtu dhe nga rritja e karburantit. Këto mangësi kanë çuar në një rritje të kostove të tyre, e cila duhet të pasqyrohet me një çmim të ri të biletës. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Shoqatës, tani për tani nuk mendohet një rritje e saj. “Ne, pa një studim nuk do të dalim. Çmimin e vendos vetëm një vendim i Këshillit të Ministrave, meqenëse gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është bërë indeksimi i çmimit të karburantit me çmimin e biletës, të ardhurat tona janë në nivele shumë të këqija. Kjo është thirrja që ne kemi bërë”, ka deklaruar Hazbi Parllaku, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas. Ndërkohë, i ftuar në Tiranë, përfaqësuesi i Unionit Ndërkombëtar të Transportit Publik, Hans Rat, tha se çmimi i biletës duhet të ndryshojë, pasi edhe kostot e këtij transporti janë rritur, aq më tepër që në Shqipëri ky transport është privat.

“Shkolla ‘Servete Maçi’ nuk do të zhvendoset”
Shkolla e muzikës “Servete Maçi” në Tiranë nuk do të transferohet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i jep fund konfuzionit të shkaktuar ditët e fundit lidhur me një lëvizje të mundshme të nxënësve. Sipas tij, pretendimet se në territorin e kësaj shkolle do të ndërtohet kompleks banimi, janë fare pa bazë. ”Asnjë pallat nuk do të ndërtohet në asnjë territor shkolle. Përkundrazi, territore që janë liruar, shkolla që janë prishur, ndoshta për të liruar vend për pallate, do të rikthehen në shkolla”, tha Basha. Sipas tij, sa i përket shkollës “Servete Maçi”, ka një projekt për të ndërtuar atje një shkollë të mesme për shkak të kapaciteteve të pakta që ofrojnë dy shkollat e mesme, “Sami Frashëri” dhe “Partizani”. “Shkolla e muzikës do të mbetet dhe në rast se është e nevojshme do të shikojmë një projekt alternativ. Për këtë do të hapim një dialog me prindërit dhe mësuesit e shkollës. Tirana nuk do ta prishë shkollën e vetme muzikore, ne do t’i forcojmë shkollat dhe institucionet e artit dhe muzikës dhe jemi të angazhuar madje edhe në projekte për një Filarmoni të të rinjve të Tiranës”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura