Çmimi i naftës thyen rekord, në Tiranë, kalon 185 lekë/litër

Mar 21, 2011 | 10:28

Një litër naftë dje është shitur 185 lekë, duke vendosur kështu një rekord të ri për këtë periudhë. Pothuajse çdo lëvizje në bursën e huaj reflektohet në vendin tonë, madje edhe më agresivisht sesa parashikohet. Kështu, nëse deri dje vetëm një apo dy karburante ofronin çmime që shkonin në nivelin 175 lekë për litër, tashmë ky nivel çmimi mund të konsiderohet i lirë krahasuar me nivelin 185 lekë që ofrohet si çmim tavan. Situata e shtrenjtimit të karburanteve në vendin tonë ka nisur rritjen e saj qysh në nëntor të vitit të kaluar dhe pothuajse çdo ditë shihet ndryshim me tendencë shtrenjtimin. Argumentimi se çmimi është shtrenjtuar në bursë, është ai kryesori dhe tashmë situata duket se ka filluar të shihet si normale. Ministria e Financave nga ana tjetër ka deklaruar se nuk mund të bëjë asgjë më shumë, përveçse të rrisë kontrollet për të ulur abuzimet dhe evazionin fiskal.
Bursa
Çmimet e naftës kanë fluturuar dje edhe në bursë. Në atë të Londrës dje, një fuçi naftë u shit 114 dollarë pas niveleve mbi 90, por poshtë 100 dollarëve që ishin stabilizuar çmimet për rreth tri ditë. Këto ndryshime në bursë, iu faturuan situatës në Libi, ku ndërhynë edhe forcat ushtarake të SHBA-ve, Francës apo Britanisë së Madhe, një ndërhyrje kjo e mandatuar nga Kombet e Bashkuara. Libia, si një nga 17 prodhueset më të mëdha të naftës në botë dhe një ndër prodhueset kryesore në Evropë, ka efektin e saj në shtrenjtimin e çmimit. Pas trazirave, shumica e kompanive të prodhimit kanë stopuar punën, çka ka dhënë direkt efekt në ofertë dhe rrjedhimisht edhe në çmim. Ekspertët ndërkombëtarë parashikojnë që nëse situata do vijojë të jetë problematike, çmimet në bursë do arrijnë 120 dollarë për fuçi.

© Panorama.al

Te lidhura