DURRES – Rritja e çmimit të naftës nxjerr të papunë rreth 2000 peshkatarë në Durrës. Të paktën prej 6 muajsh është paralizuar tolalisht puna në këtë sektor. Në dispeçerinë e peshkimit thonë se situata është rënduar si asnjëherë më parë. Këto ditë, ku moti është përmirësuar ndjeshëm, vetëm 6 peshkarexha kanë dalë për gjueti, nga 120 që numëron flota e peshkimit në portin më të madh në vend. Pronarët e anijeve janë pesimistë për zbatimin e skemës që parashikon furnizimin e peshkimit me çmimin e bursës dhe pa akcizë. Kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve, Klodjan Kapiti, shprehet se rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërsëdrejti në punën e tyre. “Edhe në ditët me mot të mirë nuk dalim në det. Për shkak të këtij problemi, nga 120 peshkarexha që janë në mol, vetëm 6 prej tyre kanë dalë në det. Për pasojë, në treg shitet peshk i importuar”, u shpreh Kapiti. Ndërsa Fadil Keci, pronar i një anijeje peshkimi, tha se flota do të shkojë drejt paralizimit nëse shteti nuk merr masa për rimbursimin e karburantit, ashtu siç ndodh në sektorin bujqësor. “Prej 6 muajsh, anija ime qëndron në port, pasi nuk mund të dalë në det në këto kushte kur çmimi i naftës ka kapur majat”, u shpreh Keci. Në kushtet e mosfunksionimit të sektorit të peshkimit po lulëzon tregtia e peshkut të importit, që po hyn vrullshëm në tregun vendas. Tregtarët pohojnë se prej gjashtë muajsh ka një rënie të prodhimit vendas dhe për këtë arsye detyrohen të furnizohen me peshk importi. Nasi Sula, një tregtar peshku, shprehet se “prej 6 muajsh po tregtojmë peshk të importuar, pasi anijet tona nuk kanë sjellë produkt, për shkak se nuk po dalin në det. Për pasojë, edhe xhirot tona kanë rënë, pasi konsumatorët preferojnë peshkun e freskët”. Për shkak të problemit të karburantit, mbi 2000 peshkatarë mbeten të papunë, qindra restorante pa klientelë, afro 200 mijë dollarë më pak taksa nga dorëzimi i licencave të peshkimit. Këto janë disa prej pasojave për ekonominë e Durrësit, që sjell kjo krizë. Veç kësaj, mbi 5 mijë familje durrsake rrënohen çdo ditë nga kriza e karburantit, pasi shumë kryefamiljarë të punësuar si peshkatarë, shitës, magazinues frigoriferikë të peshkut, konservues të tij apo kuzhinierë të restoranteve me bazë peshku, kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Ky është dëmi më i madh social-ekonomik që ka njohur sektori që nga fillimet e flotës peshkuese. l.m











