Çmimi i dritave, sa kërkon çdo kompani

Dec 1, 2011 | 15:28

Konsumatorët mund të përballen me një tjetër rritje të çmimit të energjisë, nëse Enti Rregullator do të pranojë kërkesat që kanë bërë kompanitë KESH, CEZ Shpërndarje apo OST. Dje është zhvilluar edhe dëgjimorja publike e radhës, ku kompanitë kanë paraqitur argumentet e tyre lidhur me kërkesën e rritjes së çmimit. Por sa është në shifra rritja e kërkuar nga secili prej operatorëve në treg?

KËRKESAT

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kërkuar që për vitin 2012 tarifa me të cilin ajo i shet energjinë CEZ-it të rritet nga 1.48 lekë për kilovat/ orë në 5.05 lekë. Nga ana e përfaqësuesve të KESH kërkesa është argumentuar me koston e lartë të blerjes së energjisë dhe kjo tashmë dihet, pasi KESH ka deklaruar që ka prekur overdraftin 45 milionë euro për të blerë energji. Sipas KESH, tarifa me gjithë koston e importit shkon në një total diku mbi 4 lekë për kilovat/orë. Ndërkaq, operatori i dytë, ai i Sistemit të Transmetimit (OST), ka kërkuar një rritje të tarifës së transmetimit të energjisë nga 0.6 lekë për kilovat/orë në 0.73 lekë për kilovat/orë. Kjo nga ana e përfaqësuesve të OST dje është argumentuar me investimet në rrjet, por edhe me llogaritjen e shpenzimeve operative, të cilat për t’u përballuar kërkojnë të ardhura mbi 4 miliardë lekë. E treta në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë është kompania e shpërndarjes CEZ. Kreu i saj në Shqipëri, Josef Hejsek, në fjalën e tij parashtroi dy alternativa për tarifat. E para sipas tij është rritja e energjisë me një mesatare 4.6 për qind, çka për qytetarët do të përkthehet me një kosto 200 lekë për faturë në muaj. Pra, nga 9.25 lekë për kilovat orë që është tarifa mesatare e energjisë që CEZ shet, kjo tarifë shkon diku tek 9.96 lekë. Alternativa e dytë që CEZ parashtroi, është zgjidhja e problemit të borxhit. CEZ ka deklaruar dje se, nëse gjendet zgjidhje për borxhin e keq të saj, apo për borxhin që kompanisë i kanë institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, atëherë tarifa mund të mos rritet. Burime nga CEZ bëjnë me dije se ky borxh që kompania kërkon që t’i jepet zgjidhje, kap një vlerë të përafërt me 80 milionë euro. Në këtë pikë del edhe problemi që CEZ ka me borxhin ndaj KESH-it, që shkon diku tek 50 milionë euro. DEBATI Grupe të ndryshme interesi ishin dje të pranishme në dëgjimoren publike të organizuar nga ERE. Nga ana e Shoqatës së Invalidëve u kërkua që CEZ të jetë më e kujdesshme me rritjen që kërkon, duke marrë parasysh këtë kategori. Ankesa që është parashtruar nga kryetari i kësaj shoqate, ka qenë edhe në aspektin e shërbimit që CEZ i ofron kësaj kategorie, duke përmendur këtu ngërçin me shpërndarjen e faturave në banesa. Nga ana e drejtorëve të CEZ u sqarua dje procedura dhe problematika që është hasur lidhur me këtë pjesë, por edhe masat e marra. Ndërkaq, Avokati i Qytetit pranë Bashkisë së Tiranës, Altin Qoshja, ka kërkuar dje më shumë transparencë për fitimin dhe koston që ka CEZ në vendin tonë, çka do ta bënte më të qartë edhe argumentin e kërkesës së rritjes së çmimit. Edhe Autoriteti i Konkurrencës përmes kryetares së tij, Lindita Milo, kërkoi më shumë transparencë në mënyrën se si llogaritet tarifa nga operatorët, si dhe përmirësimet që duhen bërë në kuadër të rritjes së konkurrencës në treg. Vendimi i ERE për çmimin e ri të energjisë pritet të merret në fillim të këtij muaji.

Dritat, Rama: Saliu rriti 300% barrën e familjeve

Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar dje lidhur me sektorin energjetik në vend, një reagim ky i ardhur në të njëjtën ditë kur ERE zhvillonte takimin me operatorët e tregut për kërkesat e tyre për rritje të çmimit. Në rrjetin social Twitter, Rama ka shprehur qëndrimin pro liberalizimit të tregut të energjisë, që sipas tij do të japë efekt direkt në uljen e barrës fiskale të familjeve, e cila sipas tij është rritur në mënyrë të konsiderueshme nga qeveria në pushtet. “Është koha e liberalizimit të plotë të tregut të energjisë dhe e shembjes së mureve të klientelave familjare të pushtetit në këtë sektor. 300% është rritur barra e familjeve në faturën e energjisë gjatë pushtetit të Saliut. Është koha që kush fiton më pak, të paguajë më pak”, thuhet në reagimin e kryetarit të Partisë Socialiste. Në fakt, një qëndrim pro rregullimit të tregut opozita e dha që në miratimin e mendimeve të ligjit për sektorin e energjisë elektrike, i kaluar në Kuvend të premten e kaluar. Por kreu i PS ka vendosur që këtë qëndrim pro ta ritheksojë dhe një herë, duke e ndarë në rrjetin social ku ai është aktiv tashmë prej disa kohësh. “Shqiptarët po paguajnë përditë e më shumë për rrushtë e për kumbullat e Saliut me paratë e tyre, edhe me energjinë i njëjti avaz është. Treguesit janë më të këqijtë e të gjitha kohërave pas ‘97-ës në menaxhimin e energjisë, vjedhjet janë më të mëdha se asnjëherë po ashtu”, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter.

Fierza ulet në 259.5 metra, KESH në tregje për importin

Niveli i liqenit të hidrocentralit më të madh në kaskadën e Drinit, Fierzës ka prekur 259.5 metra. Niveli maksimal i këtij liqeni është 296 metra, ndërkohë që mungesa e shirave e ka ulur në nivele ekstreme rezervën ujore. Në këtë liqen, Fierzë, prurjet janë 35m3 për sekondë, një nivel ky tejet i ulët po të kemi parasysh stinën ku jemi. Ky nivel ka detyruar KESH që të mbajë Fierzën në punë në kohën e pikut dhe pjesën më të madhe të energjisë ta sigurojë nga importi. Sipas KESH, tashmë në tregjet rajonale është siguruar energjia për dhjetorin, por kontrata të tjera do të nënshkruhen edhe për muajt në vijim në vartësi të situatës hidrike që do të kemi. Gjatë këtij viti, KESH është gjendur para një situate të vështirë, pasi përveçse mungojnë shirat, konsumi në vend është rritur sikurse ndodh në periudhën e dimrit. Nga të dhënat e KESH, konsumi në vend rrotullohet rreth nivelit 22 milionë kilovat/ orë dhe, nga këto, prodhimi në vend është limituar në 5 milionë kilovat orë, ndërsa pjesa tjetër prej 17 milionë kilovat/orë importohet. Në fakt, importin e zhvillojnë të dyja kompanisë, si KESH edhe CEZ, ku KESH importon 13.5 milionë kilovat/ orë dhe CEZ pak më shumë sesa 3 milionë kilovat/ orë energji. Në këto kushte, KESH ka deklaruar se ka nisur procedurat për të vënë në punë termocentralin e Vlorës, i cili ka një fuqi të instaluar prej 97 megavat, ndërsa për të filluar funksionimin e tij, duhet të sigurohet lënda e parë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura