
TIRANE- “Lojë “kungulleshkash” me çmimet, i ka quajtur kreu i Bashkisë së Tiranës, lajmet lidhur me rritjen deri në 70 lekë të çmimit të biletës për linjat urbane në Tiranë.
Ai nuk përjashtoi mundësinë e një dialogu me operatorët për rishikimin e çmimit.
Deklaratat, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit Europian të Tiranës.
Ai tha se, “Bashkia e Tiranës mbron dhe do të mbrojë vetëm interesin publik dhe që bën të mundur që ne të ecim përpara me të gjithë qëllimet tona, duke përfshirë edhe objektivin e Bashkisë së Tiranës, për t’u ofruar studentëve dhe pensionistëve mbi 65 vjeç, transport publik me tarifa të reduktuara, që shkojnë drejt tarifës zero.”
Duke treguar gadishmëri për këtë, Basha tha se operatorët kanë bërë të qartë dëshirën e tyre për të angazhuar Bashkinë e Tiranës, në një dialog mbi rishikimin e çmimit, që është një proces shumë më kompleks, ku Bashkia e Tiranës ka vetëm një rol pjesor, por ku përfshihen edhe institucionet e tjera.
“Lojë “kungulleshkash” me çmimet, Bashkia e Tiranës nuk bën. Do të bëjmë një studim me ekspertë të pavarur, do të shikojmë strukturën aktuale të çmimeve, kostove, të shërbimeve, të shpenzimeve dhe në bazë të kësaj, do të shikojmë rrugën përpara, por procesi është shumë kompleks dhe në thelb të procesit mbetet interesi publik, interesi I qytetarëve të Tiranës dhe objektivat tona strategjikë, ofrimi i shërbimit me tarifë të reduktuar fillimisht, deri në tarifë zero për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç.”- tha kreu i Bashkisë.
© Panorama.al











