
Basha: Publikim periodik sa kushtojnë fruta-perimet
Jo diktat të çmimeve gjatë festave, por goditje ndaj abuzimeve me to. Ky do të jetë qëllimi i Task-Forcës së ngritur nga Bashkia e Tiranës. Për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve dhe për të parandaluar abuzimin, Bashkia e Tiranës, duke nisur nga java tjetër, do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta-perimeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve që operojnë në qytetin e Tiranës. Kryetari Basha tha se Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë që dukuria e rritjes abuzive të çmimeve që vihet re çdo vit në prag festash të fundvitit të përsëritet edhe këtë vit. “Bashkia e Tiranës dhe unë si kryebashkiak, besojmë tek tregu i lirë dhe nuk besojmë tek asnjë mekanizëm tjetër, përveç tregut të lirë për të vendosur çmimin, por natyrisht, nuk do të lejohet abuzimi me të”, tha kryebashkiaku Basha. Ai bëri të ditur se Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, së bashku me shërbime të tjera të Bashkisë, ku bëjnë pjesë shërbimi tatimor dhe Policia Bashkiake, do të veprojnë në kuadrin e një organizimi të posaçëm, të ndarë në skuadra, roli i së cilave do të jetë shqyrtimi, hulumtimi dhe në rast konstatimi të marrin të gjithë masat për të frenuar dhe goditur abuzivizmin me çmimet në tregjet e qytetit. “Kurrë nuk do t’i lejonim vetes të ktheheshim në një trupë apo institucion që dikton çmimet apo mundohet të influencojë çmimet me politika jashtë tregut. Ashtu siç kemi vendosur, nuk do të lejojmë, do të bëjmë gjithçka që abuziviteti me çmimet të mos godasë konsumatorin, të mos godasë qytetarin e Tiranës. Për këtë ka një kuadër ligjor, të cilin ne do ta zbatojmë plotësisht. Për këtë ka një kuadër moral, para të cilit ne nuk do të mbyllim sytë, nëse kjo dukuri fillon të ‘ngrejë kokë’ përsëri këtë vit”, tha Basha.
Afishimi i çmimeve
“Në emër të 570 firmave të biznesit të madh, doja të theksoja se ne kemi vendosur tabelat e çmimeve, të cilat i nxjerr Zyra e Tregut në vende të dukshme”. Kështu u shpreh dje gjatë takimit Roland Hysa, president i Shoqatës së Agroindustrisë. Ai theksoi se kjo do të jetë një ndihmë për organet tatimore, të cilat do të shikojnë çmimet e afishuara në tabelat e nxjerra nga vetë Unioni i Tregtarëve dhe Zyra e Tregut. Në bazë të këtyre çmimeve mund të dallohen shumë kollaj abuzuesit. Këtë e shikon që nga klienti deri tek organet tatimore të Bashkisë.











