“S’dua gjë tjetër, veçse të mund Barcelonën”, pat thënë para takimit Jose Mourinjo, por sërish Leo Mesi me shokë i dhanë një leksion futbolli, dhe përsëri në “Bernabeu”. Edhe pse Reali kaloi i pari në avantazh në pjesën e parë me anë të Ronaldos (faj trashnaik edhe i portierit Pinto), sërish galaktikët nuk arritën të ndalin “furitë” katalanase, të cilat këtë herë barazuan dhe kaluan në avantazh falë dy mbrojtësve, Pujol dhe Abidal. Ndeshja u dominua si gjithnjë nga Barcelona me një mbajtje të topit mbi 65 për qind, ndërsa Reali u përpoq të luante në presing që në gjysmëfushën kundërshtare. Për t’u theksuar është fakti se Barcelona goditi dy herë edhe shtyllat me Sançez dhe Iniestën, si dhe pati të paktën tri raste të tjera të pastra për shënim, por që u neutralizuan nga Iker Kasijas, pa dyshim më i miri nga 11-shja e hedhur në fushë nga Mourinjo. Me këtë fitore Barcelona e pret e qetë Realin në ndeshjen e kthimit, ku do t’i mjaftonte që të mos humbte për t’u kaulifikuar për në gjysmëfinalet e “Kupës së Mbretit”.
Skeda:
Real Madrid 1
Barcelona 2
Shënues: K.Ronaldo 11’/ Pujol 49′, Abidal 77′
K.të verdhë: Pepe, Koentrao, Kalejon, R.Karvajo/ Pike, Buskets, Pujol
Real Madrid: Kasijas, H.Altintop, R.Karvajo, S.Ramos, Koentrao, Diarra (Ozil 66′), Ksabi Alonso, Pepe (Granero 80′), Benzema, Higuain (Kajelon 66′), Ronaldo.
Trajner: J.Mourinjo
Barcelona: Pinto, D.Alves, Piké, Pujol, Abidal, Ksavi (Alkantara 86′), Buskets, Iniesta, Sançez (Adriano 82′), Fabregas (Kuenca 89′), Mesi.
Trajner: P.Guardiola











