
Për Prof. Dr. Adrian Civicin, Universiteti Europian i Tiranës do të sjellë risi edhe në studimet e doktoraturës. I promovuar dhe në rolin më të ri në UET si drejtor i Shkollës Doktorale, Civici ka shpjeguar gjithçka që do të ofrojë UET për ciklin e tretë të studimeve akademike.
UET është i pari universitet privat që po merr të drejtën e studimeve të ciklit të tretë. A mendoni se ishte koha për një hap si ky në sistemin arsimor shqiptar?
Në Shqipëri vazhdon të ketë shumë paragjykime e vlerësime subjektive për universitetet private. Në mjaft raste ato burojnë thjesht nga fakti se «ato janë private», se «kanë vetëm qëllime të pastra biznesi» etj. Mendoj se në momentin aktual gjithçka duhet parë e vlerësuar vetëm nën filtrin dhe mekanizmat e sigurimit dhe garantimit të cilësisë nga të gjitha llojet e universiteteve në Shqipëri. Në këtë këndvështrim, licencimi, aprovimi akademik si dhe akreditimi për studimet e ciklit të tretë janë filtrat seriozë që garantojnë standardet cilësore. Besoj se tashmë është plotësisht koha që çdo universitet privat që i “reziston” këtij kriteri, të ketë plotësisht të drejtë të hapë studime të ciklit të tretë. Ne jemi të bindur se shumë nga universitetet analoge me UET do të ecin së shpejti në të njëjtën rrugë, duke uruar që të kemi sa më shumë partnerë e bashkëpunëtorë në këtë etapë të re, jo vetëm për universitetet private, por për gjithë sistemin arsimor shqiptar.
Në ç’fusha janë të kanalizuara studimet doktorale dhe kërkimi shkencor në UET?

Pas një përgatitje të gjatë 5-vjeçare për rritjen e standardeve akademike, thellimin e kërkimit shkencor dhe botimeve shkencore, si dhe zhvillimeve cilësore në procesin e mësimdhënies në programet e studimit në dy ciklet e para (Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave), të licencuara dhe akredituara, UET vlerësoi se i plotësonte kushtet për hapjen e programeve të studimit të doktoraturës. Ato orientohen në tri drejtime bazë, që përfaqësojnë dhe kompetencat më të mira akademike e shkencore të UET, në Shkencat Ekonomike (drejtimet: Financë, Menaxhim, Ekonomi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Menaxhim i Sistemeve të Informacionit), në Shkencat Sociale (drejtimet: Shkenca Komunikimi, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sociologji dhe Antropologji Sociale, Psikologji-Pedagogji), në Shkencat Juridike (drejtimet: E drejtë Publike, E drejtë Ndërkombëtare, E drejtë Civile, E drejtë Biznesi). Programet e mësipërme të studimit realizojnë formimin e doktorantëve me dije e kulturë ndërdisiplinore në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor koherent, si dhe garantojnë përgatitje shkencore e profesionale cilësore për doktorantët.
A ka marrë UET masa për sigurimin e cilësisë dhe ruajtjen e standardeve të larta, duke qenë se në arsimin privat të lartë ka shpesh dritëhije?
Programet e studimit të doktoraturës janë programe të reja, të konsultuara dhe të krahasueshme me mjaft programe të ngjashme që zhvillohen në universitete cilësore e prestigjioze europiane e amerikane. Programet mbështeten nga grupe kërkimore kombëtare e ndërkombëtare të vlerësuara për kërkime në fushat tona të studimeve. Një garanci e madhe në realizimin e programeve tona është cilësia e personelit tonë akademik të brendshëm, të vënë në dispozicion të ciklit të tretë. Synim i rëndësishëm i Shkollës Doktorale është dhe internacionalizimi i programit të doktoraturës duke tërhequr sa më shumë studentë të huaj, duke nxitur mobilitetet e studentëve dhe pedagogëve me universitete perëndimore analoge, krijimin e programeve të përbashkëta doktorature me universitete të rajonit apo më gjerë, angazhimin e pedagogëve të huaj në drejtimin e doktoraturave apo komisionet vlerësuese etj.
Një rol thelbësor në cilësinë e doktoraturave luan dhe cilësia e stafit akademik. A ka UET akademikët dhe profesorët e nevojshëm për të garantuar një kërkesë të tillë?
UET ka në dispozicion 35 pedagogë me tituj “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose me gradën “PhD”, të përfunduar jashtë vendit në universitete perëndimore. Këtij kontingjenti u shtohen edhe 6 profesorë nga Aston University në Angli, të cilët, sipas një marrëveshjeje të detajuar ndërmjet UET dhe Aston University, do të angazhohen në realizimin e së paku 30 krediteve teorike e metodologjike në vitin e parë (nga 60 të tilla në total). Studimet teorike janë të organizuara në raporte të drejta e të ekuilibruara ndërmjet formimit akademik, metodologjisë së kërkimit shkencor dhe formimit specifik të doktorantëve. Kursi teorik i doktoraturës vlerësohet nëpërmjet një provimi të përgjithshëm të organizuar nga Shkolla Doktorale dhe Këshilli i Profesorëve. Vetëm kandidatët që marrin notën 8 e lart mund të vazhdojnë etapën tjetër kërkimore të studimeve. Në këtë këndvështrim, ne garantojmë 100% të programit doktoral me pedagogët tanë të brendshëm. Por, ndërkohë, ne kemi dhe një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh të jashtëm me tituj dhe grada akademike e shkencore, të cilët mund të kontribuojnë me kompetencat dhe përvojën e tyre në shumë aspekte të funksionimit cilësor të Shkollës Doktorale.
Si do të orientohen dhe stimulohen studentët e doktoraturës në kërkimin shkencor?
Objektiv themelor në kuadrin e programit të doktoraturës është ngritja e vazhdueshme e nivelit teorik dhe nxitja e pjesëmarrjes së studentëve në aktivitete të ndryshme kërkimore-shkencore, referuese e botuese. Organizimi i studimeve të ciklit të tretë i orienton dhe detyron studentët e doktoraturës që të përvetësojnë metodologjinë dhe metodat më bashkëkohore për shkrimin e artikujve shkencorë, prezantime shkencore, zotërimin e standardeve të shkrimit akademik, evidentimin dhe përdorimin e burimeve të informacionit, punë të pavarur shkencore. Në ndihmë të realizimit të këtyre objektivave shërbejnë 4 revistat shkencore që boton UET, një nga të cilat krejtësisht në anglisht, si dhe diapazonin mjaft të gjerë në libra, revista dhe akses elektronik në informacione që ofron biblioteka e UET Nga ana tjetër, studentët e doktoraturës stimulohen sipas një programi të veçantë që të marrin pjesë aktivisht në aktivitete të tjera plotësuese të formimit të tyre shkencor të tilla si angazhime në leksione e seminare, debate ndërdisiplinore, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, projekte kërkimore etj. Në programin e doktoraturës parashikohet dhe një periudhë kërkimore-shkencore jashtë vendit në një nga universitetet tona partnere.
Cilat janë kriteret e pranimit në Shkollën Doktorale?
Pranimi i studentëve në programin e doktoraturës në UET bëhet duke respektuar disa standarde e kritere rigoroze. Pranohen në këto programe studentë që kanë përfunduar me një notë mesatare 8 e lart (në mënyrë të veçantë grup-lëndët bazë të fushës së studimit ku aplikojnë për doktoraturë) ciklin e studimeve dhe ka fituar diplomën universitare «Master i Shkencave» ose një diplomë analoge dhe të njohur me ligj si e barabartë me të. Kriter tjetër seleksionues është zotërimi nga ana e kandidatëve i gjuhës angleze të certifikuar në nivel ndërkombëtar minimalisht në nivelin «C1». Prioritet përbën edhe zotërimi i një gjuhe të huaj të dytë si frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, ose në raste specifike, sidomos për Shkencat Sociale, mund të jetë dhe gjuha latine, greqishtja e vjetër, turqishtja etj.
Në mënyrë më të plotë, Këshilli i Profesorëve ka definuar rregullat dhe kriteret e plota të pranimit në programin e doktoraturës, të cilat janë të pasqyruara në rregulloren e programit të studimeve. Aplikantët disponojnë një informacion të plotë e të detajuar për kohëzgjatjen e programeve të studimit, kushtet e përgjithshme dhe ato specifike që duhet të plotësojnë, strukturat e Shkollës Doktorale dhe UET në përgjithësi, të cilat i mbështesin, modalitetet e periudhës së doktoraturës në UET, përfshirë këtu dhe provimi i pranimit në doktoraturë. Çdo student pranohet në ciklin e tretë të doktoraturës vetëm nëse atij i miratohet projekti kërkimor që paraqet. Këshilli i Profesorëve zgjedh dhe vlerëson në vazhdimësi udhëheqësit shkencorë për të gjithë doktorantët në UET, duke garantuar cilësinë e nivelit të tyre akademik dhe përputhjen me fushën apo sferën e studimit të doktorantëve.
Të gjitha këto kritere kaq rigoroze të pranimit a janë po kaq rigoroze edhe për produktin final, diplomës së doktoraturës?
Në programet e doktoraturës në UET, një vëmendje speciale i dedikohet vlerësimit përfundimtar të studentëve duke kërkuar që studenti, i cili fiton gradën “Doktor i Shkencave”, ka fituar njohuri të thella shkencore në fushën e tij të kërkimit, ka aftësi të spikatura profesionale, ka fituar integritet shkencor e profesional, ka arritur të prodhojë diçka origjinale të vlefshme për publikime cilësore shkencore brenda apo jashtë vendit me faktor impakti, nuk ka asnjë element plagjiature, ka realizuar të gjitha detyrimet e botimeve dhe referimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit etj. Këtë lloj standardi ne e kemi «huazuar» nga praktikat e mjaft universiteteve perëndimore me eksperiencë dhe reputacion në fushën e kërkimit shkencor dhe studimeve doktorale.
UET, i pari universitet privat me Shkollë Doktorale
Në 5-vjetorin e themelimit të tij, pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli i Akreditimit dhe pas renditjes ndër më të mirët në procesin e rankimit të universiteteve, Universiteti Europian i Tiranës promovoi dje hapjen e Shkollës Doktorale, duke u bërë kështu i pari universitet privat me të drejtën e ciklit të tretë të studimeve. Në një atmosferë ceremoniale, mes personalitetesh të njohur nga fusha të ndryshme dhe akademikësh, Universiteti Europian i Tiranës hapi dyert për studentët e interesuar në ndjekjen e studimeve të ciklit të tretë, kërkuesve të rinj shkencorë dhe atyre që duan të thellojnë dijet në nivelin më të lartë të studimeve në arsimin e lartë. Pas përgatitjes së gjatë për rritjen e standardeve akademike, thellimin e kërkimit shkencor dhe botimeve shkencore, si dhe zhvillimeve cilësore në procesin e mësimdhënies në programet e studimit në dy ciklet e para (Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave), të licencuara dhe akredituara, UET u vlerësua pozitivisht nga Këshilli i Akreditimit më 29 korrik të këtij viti, se i plotëson kushtet për zhvillimin cilësor të programeve të studimit të ciklit të tretë (doktoraturës). Duke i plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Këshilli i Akreditimit, UET bëhet i pari universitet privat në historinë dhjetëvjeçare të krijimit të institucioneve alternative të arsimit të lartë në Shqipëri, që hap ciklin e studimeve të doktoraturës. “Ne jemi të parët në sektorin privat, por shpresojmë dhe presim të mos jemi vetëm, por të kemi edhe bashkudhëtarë të tjerë në këtë sektor, për t’u dhënë edhe studimeve të ciklit të tretë dinjitetin, konkurrencën, larminë, pluralitetin që i takon një universiteti shqiptar bashkëkohor”, u shpreh themeluesi i këtij universiteti, Henri Çili. Programet e studimit të ciklit të tretë (doktoraturës) në UET janë programe të reja, të konsultuara dhe të krahasueshme me mjaft programe të ngjashme që zhvillohen në universitete cilësore e prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa UET do të vërë në dispozicion të studentëve të tij një staf prej 35 pedagogësh me tituj “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose me gradën “PhD”, të përfunduar jashtë vendit në universitete të njohura perëndimore, si edhe 6 profesorë nga Aston University në Angli.
© Panorama.al











